Autobusi i qeverisë për në Prizren, me gjoba të papaguara

Lajmi se qeveria shqiptare shkonte në Prizren me autobus eklipsoi simbolikën e takimit patriotik duke tërhequr vëmendjen e medieve te mjeti i udhëtimit.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive zhvillohej, pas 136 vitesh nga mbajtja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me qëllim që në një kuvend të madh të vendosej rreth projekteve të përbashkëta në të dy anët e kufirit.

Organizimi ishte i pasur në simbolikë, por i kursyer në shpenzime. Duhej justifikuar se, pse dy shtetet tona të varfra jepnin vetëm 100 mijë euro për Preshevën. Në këtë kuadër hynte edhe zgjedhja që kishte bërë kabineti qeveritar i Shqipërisë, për të udhëtuar me autobus.

Por, zgjedhja e autobusit ka qenë e nxituar dhe jashtë rregullave. Në një kohë krize, nga shumë kush mund të ishte si një zgjedhje e shkëlqyer për të kursyer lekë dhe nga ana tjetër për të mbledhur sëbashku ministrat duke i dhënë atyre mundësinë që të bisedojnë gjatë rrugëtimit të përbashkët në anën tjetër të trevës shqiptare. Por nga një investigim i gazetës “Shekulli”, rezulton se kabineti qeveritar ka udhëtuar me një automjet që ka detyrime të papaguara ndaj shtetit shqiptar. Aq më tepër , kur Policia e Shtetit ka marrë edhe një aksion në shkallë të gjerë për uljen e aksidenteve dhe marrjen e masave për disiplinimin e qarkullimit rrugor.

Sipas hulumtimit të gazetës” Shekulli” rezulton se, autobusi ngjyrë portokalli me targë TR 4265 T ka një gjobë të papaguar ndaj policisë rrugore, në vlerën prej 2000 lekësh. Sigurisht, marrja e një gjobe nga një autoveturë dosido kujtdo mund t’i ndodhë, por kur udhëton i gjithë kabineti qeveritar çështja ndërlikohet disi. Edhe më serioze bëhet çështje pas kontrollit që ‘Shekulli” i ka bërë autobusit me të cilin udhëtoi kabineti qeveritar në faqen e Policisë së Shtetit, pikërisht, aty ku janë ftuar të gjithë qytetarët që të kontrollojnë nëse kanë gjoba të papaguara. Rezulton se shkelja për të cilën është vendosur gjoba prej 2000 lekësh është moszbatimi i kufizimit të shpejtësisë, që do të thotë se, automjeti ka ecur me shpejtësi mbi normat e lejuara të qarkullimit rrugor.

Sigurisht për udhëtimin drejt Prizrenit autobusi është prirë nga një autokolonë e makinave të Policisë së Shtetit deri në kufi, dhe më tej edhe në anën e kufirit të Kosovës nga makinat e Policisë së Kosovës. Por, gjithsesi, shumë pikëpyetje ngrihen në lidhje me sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore dhe për mënyrën e bashkëpunimit me personat e tjerë. Por, cili është autobusi i kontaktuar nga qeveria? Ai është një autobus tipi IRIBUS, lloji MAGERYS, me motor 6 cilindër dhe vit prodhimi 2009. Sipas të dhënave të marra nga hulumtimi i “Shekullit” rezulton se autobusi është gjithsej 55-2 vende, ndërsa është regjistruar në Shqipëri në datë 18.01.2011 në orën 14:48 minuta.

Lajme të ngjashme

Back to top button