Liria me sukses përfundoi përgatitjet

Kanë përfunduar me sukses përgatitjet një javore të KM Liria, të cilat janë realizuar në malet e Kitkës, e ku mundësit gjatë kësaj faze kanë akumuluar energji për sfidat që i presin gjatë gjithë vitit 2014. Ekipi i kompletuar i klubit të mundjes Liria, i udhëhequr nga trajnerët  Lulzim Vrenezi, Sedat Baftiu, Sufijan Ismaili dhe Ramadan Shabani. 

Të kënaqur kanë mbetur nga kushtet e ofruara në Villa Princ – Alldic, si stafi i trajnerëve ashtu edhe mundësit, të cilët kanë arritur të shfrytëzojnë maksimalisht shtigjet e maleve dhe kushtet e mira atmosferike.

“Kemi punuar për çdo ditë me mundësit tanë, duke u stërvitur 3 herë në ditë. Këto stërvitje do të jenë të mirëseardhura për mundësit tanë, pasi që kishim një pushim të shkurtër dhe me këtë kemi arritur që të kthejmë formën dhe të nisim përgatitjet për sfidat e vitit 2014. Nuk kemi lënë që koha të na ikë, pasi që sivjet shpresojmë që të përmirësojmë rezultatet e vitit të kaluar dhe të arrijmë më shumë. Do të jemi të kënaqur vetëm atëherë kur KM Liria të kthehet me medalje nga evenimentet më të mëdha ndërkombëtare”, është shprehur për “Portalb”, trajneri Lulzim Vrenezi. 

(Kryetari i KM Liria Betim Vrenezi me pronarin e Villa – Princ Adem Abdullahi)

Nga ana tjetër edhe Sedar Baftiu ka folur për kushtet që i kanë shfrytëzuar në malet e Kitkës. “Kushtet i kemi pasur fenomenale. Kemi qen në lartësi të lartë mbidetare ku ka munguar bora, por kjo nuk na ka ndaluar të japim maksimumin. Tani mundësit po ndihen mirë janë mbushur me energji dhe shpresoj se e njëjta do të jetë vendimtare për garat që na presin gjatë vitit”, deklaroi Baftiu. 

Garat fillojnë nga muaji shkurt kur mundësit do të kenë kampionatin zgjedhor si dhe garat ndërkombëtare “Dan Kollov” dhe “Jashar Dogu”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button