Shkëndija sot fillon me stërvitje

Pas një pauze prej rreth një muaji, sot në mesditë përfundon pushimi dimëror për futbollistët e Shkëndijës. Duke vlerësuar si moment të duhur për të startuar me punë dhe sipas paralajmërimit paraprak, stafi teknik në krye me Shpëtim Duron saktë në orën 12:00 në zhveshtoret e klubit te stadium i vjetër do të kenë grumbullimin e parë në vitin 2014. 

Futbollistëve do t’u prezantohet plan-programi i përgatitjeve dimërore, si dhe pritjet dhe ambiciet e ekipit për vazhdimin e kampionatit. Dihet se deri sa futbollisët ishin në pushim, kryesia e klubit nuk është ndalur për asnjë çast, duke punuar vazhdimisht në përforcimin e ekipit me futbollistë kualitativ. Pas analizës së mirëfilltë kohë më parë drejtuesit vendosën që të ndahen me 6-të futbollistë, ndërsa shprastirat plotësohen me lojtarë kualitativ të cilët pritet të ngrejnë kualitetin e ekipit në nivel më të lartë. 

Deri tani Shkëndija ka prezantuar Asrtit Fazliun dhe Nuri Mustafin, për herë të parë me ekipin do bashkohen ndihmës trajneri i ri Jeton Beqiri dhe trajneri kondicional Metin Dalip, ndërsa tashmë zyrtare është ardhja e kroatit Bojan Vruçina, që të martën do të vendos firmën në kontratën e tij me Shkëndijën. Përveç Vruçina-s edhe tre futbollistë tjerë do të firmosin kontratat profesionale me Shkëndijën në orët e paraditës të së martës, pas çka do të bëhet prezantimi zyrtar i tyre me fanellën ‘kuqezi’. 

Promovimi i futbollistëve të ri do të jetë i karakterit të mbyllur, ndërsa mediat dhe opinioni do të pranojnë në kohë reale materialet e prezantimit nga zyra për informim pranë KF Shkëndija.  Përveç përforcimeve të reja, përgatitjet me Shkëndijën do t’i fillojnë edhe të rrinjtë Shqiprim Taipi dhe Argjend Bardhi, të cilët nëse kënaqin shijen e stafi teknik do t’i bashkohen skuadrës për vazhdimin e sezonit. Pas prezantimit të futbollistëve të ri dhe grumbullimit të paralajmëruar në orën 12:00, futbollistët menjëherë do t’i përveshen punës. Seanca e parë stërvitore do të zhvillohet në orën 13:00 tek palestrat sportive me bar sintetik pas kompleksit ‘Ramstor’ në Tetovë. / KF Shkëndija / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button