Rrëfehet Vedat Xhymshitit për fotot dramatike të masakrave në Siri

Një rrëfim rrëngjethës nga shqiptari që realizoi fotografitë e luftës në Siri. Vedat Xhymshiti tregon për publikimin e fotografive të tij në mediet prestigjioze dhe për këngën e re të Ellie Goullding, ku do të shfaqen fotot e tij.

Ndërsa rrezikon jetën në çdo moment duhet të shkrepë dhe aparatin fotografik. Çdo foto është një ngjarje, që bën xhiron e botës.

Ky është fotoreporteri i luftës, shqiptari Vedat Xhymshiti. Puna e tij është publikuar në organet mediatike më të njohura në botë.

Fotografitë e tij i gjejmë të publikuara në U.S. Time, Der Spiegel, The New York Times, Swiss ‘Sunday Times’, Paris Match, Foreign Policy, Die Presse, Die Welt, The Guardian, The Sun, The Daily Telegraph and Bloomberg etj.

Ai është shqiptari Vedat Xhymshiti. Të gjithë e njohin si Vudi. Kohët e fundit ai po përflitet për fotografitë e realizuara në Siri gjatë luftës. Por, fotografive të tij nuk i mjafton xhiroja e botës mediatike. Së fundmi, ato do të përdoren edhe në videoklipin e këngës së Ellie Goulding, një prej këngëtareve më në zë të muzikës. “

Shekulli” ju sjell sot një rrëfim rrëngjethës të një fotoreporteri, emri i të cilit njihet kudo në botë. Ai ndan me lexuesit tanë fotografi të cilat nuk i keni parë kurrë më parë.

https://i2.wp.com/www.shekulli.com.al/website/images/images17/vudi2.JPG?resize=623%2C405

Si lindi iniciativa e të fotografuarit të një lufte civile si ajo e Sirisë?

Kryengritja paqësore siriane, e cila kishte nisur që në vitin 2011, në muajin Maj të vitit 2012 kishte hyrë në vitin e parë të zhvillimit të saj. Mediet shkruanin dhe raportonin për zhvillime serioze në veriun e vendit, mirëpo një errësirë e plotë e informacionit të paanshëm dhe të paverifikuar po zotëronte opinionin njerëzor jashtë hapësirës së Sirisë. Mediet e huaja përdornin fotografi dhe video-xhirime të ngarkuara nga YouTube.com nga gazetaria qytetare në Siri, mirëpo në mes të raportit thuhej: “këto janë pamje, të cilat nuk janë të verifikuara”. Këtyre dëshmive të krimeve që po bëheshin kundër civilëve të paarmatosur e të pambrojtur në Republikën Arabe të Sirisë, kur në fund të raportit thuhej se janë të paverifikuara, sikur u humbte besueshmëria. Në anën tjetër qeveria deklaronte se ata po vrisnin terroristët dhe jo civilët. Unë vendosa të nis përgatitjet e mia për ta marrë atë rrugë. Doja të shkoja, të isha dëshmitar, të dokumentoja zhvillimet atje dhe të raportoja për botën mbarë. Reportazhet e mia sigurisht që do të ishin të besueshme, duke qenë se për besueshmërinë kam arritur të marr akreditimet ndërkombëtare si reporter lufte. E për më tepër, të gjitha reportazhet që nisja nga Siria drejt medieve perëndimore arrija t’i dokumentoja me fotografinë.

https://i2.wp.com/www.shekulli.com.al/website/images/images17/vudi3.JPG?resize=574%2C391

A ishte aq i vështirë sa edhe e prisje ky mision?

Sigurisht që ka qenë shumë e vështirë. Unë, që në muajin shtator të vitit 2011, kisha nisur procedurën e aplikimit për vizë të rregullt gazetareske për të hyrë legalisht në territorin e Sirisë, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar nga ambasada siriane në Beograd, e cila kishte arsyetuar refuzimin mbi pretekstin se unë kisha punuar disa herë për rrjetin televiziv saudit në gjuhën angleze “Al Jazeera”. Ky televizion për autoritetet siriane ishte pika e zezë mediatike përveç medieve perëndimore. Gjithsesi, ishte e dukshme që qeveria kishte diçka për të fshehur, sepse besoj që nëse kanë hulumtuar mirë për karrierën time si fotoreporter do ta kenë kuptuar edhe kokëfortësinë time të insistimit në të vërtetën. Gjithsesi, unë gjeta komunikime tjera përmes rrjetit student sirian që po vepronte në Gjermani për të organizuar mbështetje për kryengritjen paqësore, e cila në fund të vitit 2011 u zhvillua si kryengritje e armatosur. Besueshmëria paraprake u fitua dhe me 16 maj, unë fluturoj drejt Turqisë, për të hyrë një ditë më pas në mënyrë ilegale në territorin e Republikës Arabe të Sirisë. Unë e di se në luftë të gjithë vdesin. Atje nuk ka rregull kush vdes dhe kush jeton. Mirëpo kisha besim te vetja ime, përvojën dhe njerëzit atje të etur për lirinë, se do t’ia dilja të shpëtoja për ta rrëfyer tregimin e trishtuar të civilëve sirianë të cilët po hyjnë në vitin e tretë të një lufte të përgjakshme pa ndonjë shpresë për të përparuar kauzën e tyre për liri.

https://i1.wp.com/www.shekulli.com.al/website/images/images17/vudi.JPG?resize=612%2C402

Çfarë do të thotë për ju fakti që Ellie Goulding ka zgjedhur fotografitë e tua në këngën e saj?

Përdorimi i fotografive të mia nga organizata britanike ‘Save the Children’ në projektin e tyre të përbashkët me Ellie Goulding, që bëjnë thirrje për t’u solidarizuar me fëmijët sirianë, ka qenë një nga momentet që kam përjetuar jo pak herë edhe në Siri. Fakti se puna ime po përdoret për qëllimin që i kam vënë vetes për të ndihmuar dhe mbështetur kauzën njerëzore kjo për mua është një shpresë më shumë. Unë nuk jam autori i vetëm i fotografive në këngën e Goulding. Aty janë edhe shumë autorë të tjerë që kanë raportuar nga Siria. Por, unë gjithsesi kam qenë i përqendruar më shumë në në tregimet njerëzore.

 

Gjendja në Siri

Kam qenë dëshmitar i disa masakrave të bëra nga civilët. Kam bashkëbiseduar me shumë civilë, që ishin torturuar deri në prerje të organeve të ndryshme të trupit, të cilët janë liruar më pas për t’u kthyer në vendet ku kanë jetuar më parë. Dhe kjo me qëllim që ata të rrëfenin tregimet e tyre të trishtueshme për t’i terrorizuar civilët, frustrimi i të cilëve përditë e më shumë po rritej kundër tiranisë qeveritare. Zëri i viktimave asnjëherë nuk është dëgjuar. Ne jemi dëshmitarë të kësaj epoke, e cila gjithnjë na është premtuar se do të jetë më e mirë dhe me paqësore, por fatkeqësisht nuk po ndodh kështu. Jemi duke jetuar në një luftë për paqe, e cila po sjell vetëm luftë. Solidariteti njerëzor është nevojë e domosdoshme në ditët e sotme, sepse qeveritë, me përjashtime, janë shumë solidare me njëra-tjetrën, derisa po mundohen ta prishin solidaritetin njerëzor për qenien në nivel global”, tregon Vedati.

“Dua të hap një ekspozitë për Gërdecin”

Kur e pyesim Vedatin për planet e së ardhmes dhe për vizitën e tij të ardhshme në Tiranë, ai na rrëfen se dëshiron pafund të hapë një ekspozitë në mars. Për Gërdecin, për njerëzit, për historinë… “Viti 2008, ka qenë viti që kur unë kisha nisur rrugëtimet e mia nëpër konflikte. Në mars erdha edhe në Shqipëri pikërisht pak minuta pasi ishte dëgjuar krisma e Gërdecit. Kisha marrë vendim që të rrugëtoja andej. Arrita në vendin e ngjarjes natën vonë. Kam dokumentuar zhvillimet aty, në muajin Mars, e ndërsa tani nuk e besoj se po hyjmë në vitin e shtatë të tragjedisë së Gërdecit. Ndiej se viktimat nuk janë shpaguar së paku me drejtësi e aq më pak me kompensim financiar. Ndiej nevojë shpirtërore dhe obligim profesional e njerëzor që të organizoj një ekspozitë për Gërdecin në Tiranë. Dua të shkoj e t’i vizitoj të mbijetuarit e Gerdecit, të cilët i pata vizituar e fotografuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Dua të ndërtoj një tregim në fotografi për të mbijetuarit që i gjeta në prag të vdekjes në dhomat e Spitalit Ushtarak. Gërdeci shtatë vjet pas, ende është në arkivat e mia të fotografisë, i pa parë nga syri i publikut shqiptar me të cilin do të doja shumë ta ndaja. Ndaj përmes kësaj interviste, i lutem donatorëve të mundshëm ose institucioneve qeveritare shqiptare që nëse kanë interesim të rikthejmë në kujtesë tragjedinë shqiptare të 15 marsit të më mbështesin me qëllim që të kujtojmë gabimet dhe të mësojmë nga kritikat duke mos lejuar që të na përsëriten ato”, na thotë ai.

Një fotografi sa 1000 fjalë…

Një foto gjendjen e një lufte si ajo e Sirisë arrin ta përcjellë mjaft suksesshëm, është thjesht e pakontestueshme. Fotografia e përcjellë nga shkronjat është dëshmia e aktit të zhvillimit të ngjarjes. Por, ndoshta do të pyesja, a kemi politikanë njerëzorë që do të reagonin njerëzisht në raport me ato që i shohin; përgjigjja ime është shqetësuese, jemi dëshmitarë që nuk kemi. Këta, politikanët duket se e kanë mendjen tek leku, por asnjëherë tek njeriu. Një fotografi sa 1000 fjalë… Do ta ndaj me lexuesin e “Shekullit”. Fotografia mund të lexohet pa shkronja, por shkronjat duhet të shoqërohen me fotografinë. Kjo është mënyra se si unë operoj në terren si fotoreporter. Do ta ndaj një fotografi me lexuesit e “Shekullit” patjetër”, premton Vedati.

Rrëfimi rrëqethës – të jesh në fund të një varri masiv

Për një fotoreporter ka gjithnjë një moment në të cilin aparati nuk punon. Ka gjithnjë një moment, të cilin ai nuk mund ta fokusojë nëpërmjet aparati fotografik. Dhe ka nga ato raste, kur nuk të jepet më mundësia për ta realizuar më, një moment të tillë. E pyetëm Vudin (Vedatin) për këtë moment, për çastin e humbur për të cilin është dëshpëruar pse e ka humbur. Ai na rrëfen një ngjarje rrëqethëse: “Në momentin që nuk mund të fokusoni aparatin fotografik nuk dëshpëroheni aspak, sepse thjesht i gëzoheni faktit që keni shpëtuar për ta rrëfyer tregimin. Kam qenë në një ceremoni mortore ku po varrosej një grua, e cila ishte vrarë nga siç thuhej snajperistët qeveritarë teksa ajo ishte duke blerë perime në tregun e gjelbër në Aleppo. Gruaja rreth të 50-ave ishte nga fshati Tel-Arafatm një fshat në veri-perëndim të Aleppos. Varrezat e fshatit gjendeshin në një distancë ajrore prej rreth 6/km nga një aeroport ushtarak, i cili ishte ende nën kontrollin e forcave qeveritare dhe nga i cili jo pak herë kishte fushatë bombardimesh me kalibër armatimi të artilerisë së rëndë tokësore. Sirianët kanë traditë që të lejnë hapur disa varreza, pavarësisht pse nuk ka ende të vdekur. Unë isha rekomanduar nga forcat kryengritëse që të mos shkoja në atë ceremoni mortore, sepse ishte shumë e rrezikshme. Të njëjtin rekomandim ma bënin edhe kolegët e mi reporterë, por unë gjithsesi doja të verifikoja çfarë ka në të vërtetë aq të rrezikshme. Dhe unë shkova, aty. Gjatë ceremonisë një helikopter fluturoi nga aeroporti, mori një rrugëtim rreth-e-për qark varrezave dhe në një moment ka filluar të gjuajë në turmën e njerëzve, të cilët po jepnin lamtumirën e fundit të tyre gruas së vrarë. Makinat ishin shumë larg për të ikur, kam fluturuar me helikopter në zona tjera të konflikteve dhe e di mirë nivelin e dukshmërisë nga lart-poshtë. U krijua paniku në njerëz, disa thërrisnin në ndihmë Zotin, por duket se ai ishte shumë i zënë me punët e tij për të shpëtuar ata që e adhuronin. Unë, kërceva në varrin më të afërt, ishte moment për të shpëtuar kokën. Helikopteri vazhdonte të hidhte breshëri plumbash, trupa njerëzish filluan të bien mbi trupin tim, gjaku rridhte. Isha i terrorizuar nga kjo situatë. Nuk e dija nëse kisha plagë në trupin tim. Pas nuk e di se sa minutave, kam filluar të zgjohem, mezi dola nga trupat e vdekur që kishin rënë mbi mua në varrin, ku kisha hyrë dhe kisha shumë fat pasi ishte i hapur. Nuk kishte më zhurmë, i mbuluar në gjak, ia mbatha nga varri, i hipa motoçikletës dhe jam kthyer në fshatin Marea aty ku kishte përqendrim të plotë të forcave. Ky është një nga qindra momentet ku mua më ka dështuar fokusi fotografik, por duhej të shpëtoja kokën. Dhe atëherë nuk isha i dëshpëruar, sepse kisha shpëtuar kokën time, një mundësi kjo për ta çuar dëshminë në formë të shkronjave, por jo me fotografi”./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button