TRAGJEDIA E MËSUESIT TË MADH

Zhan Zhak Ruso (1712-1778) qe disidenti që sfidoi mënyrën tradicionale të mendimit mbi pushtetin, moralin dhe fenë – iluministi më i famshëm francez i epokës së arsyes, kur në Evropë u forcua ideja se nuk mund të ketë shtet pa njerëz të barabartë, atdhetarizëm pa liri, liri pa virtyt dhe virtyt pa qytetar. Mësimet e tij vlejnë për të gjitha kohërat, por, meqë e  përbëjnë anën e njohur të biografisë së Rusoit, për lexuesit e Portalb-it po shpërfaqim anën tragjike të jetës së gjeniut me të dhëna të përkthyera dhe të parafrazuara nga vepra e V. Stanojeviqit “Tragjedia e gjeniut”.

Rusoi thoshte shpesh se tmerrohet kur ndjen shenjat e para në nerva, sepse ishte sëmundja e familjes së tij.

Ai mbeti pa nënë që kur i pati 5 vjet, kurse babai e la në një jetimore dhe iku në Gjenevë. Në moshën tetë vjeçare ndjeu simptomet e para të përndezjes së panatyrshme të epshit seksual. Kjo u bë shkas që të ketë shumë herët jetë seksuale, madje me dy vajza.

Si i ri, punoi pak si shëgërt, por e kaploi sëmundja e të parëve dhe nisi të endet botës si nomad. Nën ndikimin e një prifti dhe një gruaje të re, në moshën 16 vjeçare u konvertua në katolik. U punësua te një zonjë si lakej, por, kur ajo vdiq, paratë e saj i gjetën në xhepat e Rusoit dhe e përzunë në rrugë.

Një kohe jetoi me zonjën Vorens, e cila ia mësoi muzikën, letërsinë dhe dashurinë. Është koha kur nisi të lexojë gjithçka që i binte në dorë. Pas udhëtimit të parë në Paris u dëshpërua dhe iu kthye sërish zonjës Vorens. U bë dashnori i saj i vetëm.

Duke dashur të zbulojë ngjyrë shkrimi të pangjyrë, përjetoi fatkeqësi dhe për pak nuk u verbua e nuk vdiq. Kjo e bëri shumë fatkeq dhe ndokoi që të sëmuret nga frika e vdekjes. U bë shumë religjioz.

Për një kohë u bë dhe mësues shtëpiak i fëmijëve të pasanikëve. Kjo ia mundësoi njohjen e jetës së prishur të aristokratëve.

Endej gjithandej. Dy herë e ndërroi fenë. Gënjente dhe vidhte që si fëmijë. I ndërronte shpesh punët dhe vendbanimet. Ishte tejet nevrik.

Në moshën 29 vjeçare u dashurua njëanshëm në zonjën Ser. Mossuksesi në dashuri dhe krijimtari ia rëndoi keq gjendjen shëndetësore. Pas shërimit qëndroi 14 muaj në Venedik dhe u bë sekretari i një njeriu me pozitë të lartë shoqërore.

Në një periudhë të jetës Rusoi mësoi me një energji të habitshme gjeometrinë, latinishten, historinë, agrikulturën… E lexonte me pasion të veçante Virgjilin. Në një konkurs letrar zuri vendin e parë, u bë i famshëm, por nuk e harroi zonjën Vorens të cilës i dërgonte para, sepse ishte në krizë.

Pasi arriti një lloj autoriteti nisi të shoqërohet me të mëdhenjtë. U dashurua marëzisht në një shërbyese hoteli me emrin Tereza, me të cilën jetoi gjer në fund të jetës.

Pati probleme të mëdha me njerëzit, por ia doli të krijojë vepra shumë të mira. Puna e mundimshme krijuese e shkatërroi përfundimisht. Dyshonte në gjithkë dhe në çdo gjë. Mikut të tij Volterit, iu vërsul përnjëherësh dhe pa ndonjë shkas konkret. Për të shkruajti në shtyp gjithfarë të zezash.

E ndoqën nga të gjitha anët për ta dënuar. Ia konfiskuan dhe veprat shkaku i skandaleve. Vdiq në rethana të paqarta. Disa thonë se bëri vetvrasje, të tjerët se e vrau Tereza.

Biografët e tij e pranojnë se Rusoi pati shpirt të sëmurë që nga lindja e gjer në vdekje. Fati i tij qe shumë i ngjashëm me fatin e Tolstoit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button