Qeveria turke synon të censurojë internetin

Sipas burimeve zyrtare, bëhet me dije se qeveria turke synon të censurojë faqet e internetit pa vendim përkatës nga ana e gjykatës.

Projektligj i ri për kontrollin e gjyqësorit dhe planet për censurimin e internetit, janë masat e reja që parashikon të ndërmarrë qeveria turke si kundërvënie ndaj zbulimit të skadaleve të korrupsionit.

Censurë për internetin

Partia në pushtet AKP e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, ka përgatitur edhe një projektligj me të cilin qeveria turke synon t’i japë vetes të drejtën për të bllokuar faqet e internetit edhe pa vendim përkatës nga ana e gjykatës. Po ashtu sipas këtij projektligji autoritetet duhet të kenë madje edhe të drejtë për të regjistruar dhe ruajtur për dy vjet faqet që frekuentojnë përdoruesit në internet.

Zërat kritikë në Turqi e quajtën këtë projektligj si fillimin e një censure. Avokati dhe eksperti i internetit, Mehmet Ali Koksal tha për gazetën “Evrensel” se rregullat e reja që po planifikohen janë antikushtetuese. Shoqata e inxhinierëve turq të IT-së e akuzoi qeverinë se nuk dëshiron ta pranojnë lirinë e shprehjes në internet.

Sipas legjislacionit aktual në Turqi, edhe sot shumë faqe interneti mund të bllokohen shumë thjeshtë, por për një të tillë është i nevojshëm paraprakisht një vendim gjykate.

Kritika nga Uashingtoni dhe Strasburgu

Këto projektligje janë kritikuar edhe nga Uashingtoni dhe Këshilli i Evropës. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, theksoi rëndësinë e një sistemi ligjor që përmbush standardet më të larta të drejtësisë, efikasitetit dhe të transparencës si në çështjet civile dhe ato penale. Këshilli i Evropës e vlerësoi këtë ndërmarrje nga ana e qeverisë si një pengesë serioze për pavarësinë e gjyqësorit. Mediet liberale turke dhe avokatët po e kundërshtojnë gjithashtu projektligjin./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button