Besimi: Mundohemi ta përmirësojmë imazhin e Maqedonisë

Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi paralajmëroi se takimi i radhës në kuadër të Dialogut të Lartë me BE-në mund të zhvillohet muajin e ardhshëm. Pas ndërprerjes së bisedimeve për shkak të ngërçit politik në vend, Besimi tha se do të takojë grupet parlamentare që të nxit zbatimin e rekomandimeve të Komisionit hetimor lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit, dhe kthimin e agjendën evropiane në rrugë të duhur.

“Kjo është pjesë e planit tonë aksionar të Qeverisë në kuadër të Dialogut në nivel të lartë. Përmbyllja dhe realizimi sa më i shpejtë i proceseve që lidhen ne dialogun politik dhe zbatimin e rekomandimeve që dolën nga Komisioni hetimor do të ndikojnë në të mirë të procesit e euro-integrues të vendit. Kjo do të dëshmonte qasjen konsensuale të partive politike të Maqedonisë për procesin euro-integrues të vendit. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për partitë politike në pushtet apo opozitë, me rëndësi është që në procesin e integrimeve evropiane Maqedonia të veprojë si tërësi ndërkaq atë kohezion të brendshëm duhet ta shndërrojmë në rezultate konkrete”, u shpreh zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi pas takimit me ministrin e drejtësisë, Blerim Bexheti.

Ai tha se qeveria po bën përpjekje për të përmirësuar imazhin e vendit për sa i përket lirisë së mediave dhe gjykatave. Sipas tij, Qeveria ka miratuar ndryshimet në Ligjin për media, konform kërkesave të Shoqatës së Gazetarëve, ndërkaq më 16 janar ligji do të gjendet përpara deputetëve.

“Inkurajojmë që të vazhdojë dialogu ashtu siç është marrë vesh edhe për temat e tjera që kanë të bëjnë me normat tjera ligjor dhe nën ligjore për fushën e mediave dhe lirisë së shprehjes, shtoi zv/kryeministri Besimi.

Nga ana tjetër për sa u përket kritikave gjithnjë e më të mëdha të Bashkimit Evropian por edhe faktorit ndërkombëtar lidhur me mungesën e pavarësisë së gjykatave dhe qasjes seleketive të tyre, Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti tha se dikasteri që udhëheq ai në vazhdimësi punon në bazë të rekomandimeve.

“Për sa u përket rekomandimeve të Bashkimit Evropian rreth punës së gjykatave, Ministria e drejtësisë gjithmonë i pranon rekomandimet, i shqyrton dhe vepron në bazë të tyre. Ne punojmë në vazhdimësi për t’i zbatuar rekomandimet që janë pjesë e raportit dhe i pranojmë si qëllim mira”, u shpreh Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button