De Biasi paralajmëron Spanjën dhe Italinë

“Nuk kemi frikë nga askush. Do të luajmë ashtu si dimë. Italia dhe Spanja janë të paralajmëruara, nuk do ta kenë të lehtë kundër Shqipërisë”. Ky është mesazhi i Gianni De Biasit kur kanë mbetur edhe pak diitë nga starti i kualifikueseve të Botërorit “Rusi 2018”. Por, ndërsa Shqipëria do të nisë përgatitjet për ndeshjen e parë të Grupit G, më 5 Shtator në “Loro Boriçi” kundër Maqedonisë, drejtuesi i stolit kuqezi bëri një hap mbrapa, duke analizuar aventurën në finalet e Kampionatit Europian, transmeton Supersport.

“Në një turne si Europiani, fituesi e meriton gjithmonë trofeun, pavarësisht se Portugalia nuk bindi me lojën e paraqitur. Shqipëria grumbulloi aq pikë sa edhe portugezët në grup, por për fat të keq nuk arritëm të kualifikoheshim. Jeta nuk na jep mundësinë të kthehemi mbrapa në kohë, megjithatë mendoj se bëra zgjedhjet e duhura. Nuk shfrytëzuam ndonjë mundësi, apo pësuam gola që mund të evitoheshin, gjithsesi mund të jemi të lumtur për atë që realizuam”.

Shqipëria është gati për aventurën e re drejt Kupës së Botës, në një grup mjaft të vështirë, ku përveç debutimit me Maqedoninë, do të luajë ndaj dy gjigandëve bootërorë si Spanja dhe Italia, por edhe me Izraelin e Lihtenshtejnin.

“Nuk ka dyshim që ky do të jetë një grup tejet i vështirë. Por, nuk do të trembemi dhe do të luajmë ashtu si kemi bërë gjithmonë, duke dhënë më të mirën tonë, pa harruar karakteristikat që na ndihmuan të luanim në Francë. Do të jemi të përulur, por të bindur te kualiteti ynë dhe të vetëdijshëm se mund të luajmë si të barabartë ndaj të gjithëve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button