Emrat maqedonas zyrtarë, kurse emrat shqiptar jozyrtarë

Katër shkollat fillore në komunën e Çairit të cilat tani më kanë marrë emrat e personaliteteve të njohura shqiptare, ende nuk njihen në mënyrë zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Emrat e shkollave u ndryshuan para zgjedhjeve lokale, si një “akt patriotik” me gjasë për grumbullimin e votave. 

Por realisht situata qëndron ndryshe nga pretendimet e kryetarit të Komunës , Izet Mexhiti i cili ishte më i zëshëm gjatë procesit të ndryshimit të emrave.

Udhëheqësi i sektorit për arsim në këtë komunë, Nuhi Dardhishta, bën të ditur se në dokumentacione kjo shkollë ende mban emrat e vjetër maqedonas.

“Në dokumentet zyrtare që dërgohen ne ministri si dhe dëftesat dhe të gjitha dokumentet tjera që dalin nga këto shkolla, mbajnë emrat e vjetër të tyre. Kurse në dokumentet jo zyrtare, shënohen emrat e rinj shqiptarë”, tha Dardhishta për Portalb.

Ai shtoi se nuk ka ende informacion nga MASH në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi.

“Çështjet e arsimit kalojnë nëpërmjet sektorit të cilin e udhëheq unë. Deri më tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Jemi ende në pritje”, tha Dardhishta.

Nga MASH bëjnë të ditur se është duke u punuar në zgjidhje të këtij problemi, por momentalisht nuk ka asgjë konkrete.

Ndërkaq nxënësit e shkollave fillore, ‘Imri Elezi’, ‘Ismail Qemali’, ‘Hasan Prishtina’, ‘Jashar Bej Shkupi’ në Komunën e Çairit fundvitin e kaluar dëftesat i morën me emrat e vjetër të tyre Nikolla Vapcarov, Rajko Zhinzifov, Cvetan Dimov dhe Jane Sandanski.

Atë kohë kryetari i Çairit, Izet Mexhiti deklaroi se ” ajo ishte një zgjidhje e përkohshme dhe pragmatike”.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button