Maqedoni, së pari kushtet, pastaj zgjedhjet

Mosplotësimi i kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve është tregues se liderët e partive politike në Maqedoni duhet të punojnë në zgjidhjen e problematikave dhe jo me shpejtësi të vendosin për datën e zgjedhjeve. Kështu porosisin analistët edhe pse vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve dhe vijimin e procesit parazgjedhor e caktojnë, më 31 gusht, katër liderët nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos; Ali Ahmeti, Menduh Thaçi, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev.

Rreziqet pas takimit të liderëve

Takimi i liderëve, të katër partive nënshkruese në Përzhino- PDSH, BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që pritet të mbahet më 31 gusht, ku duhet të vendoset data definitive e zgjedhjeve, më pas do të ballafaqohet me dy sfida të rëndësishme: njëra është ë lidhur me funksionimin e PSP-së dhe tjetra me Listën e “pastruar” zgjedhore.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.

Rreziku i dytë për komprometimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike është fati i Listës së pastruar zgjedhore, e cila gjithashtu do të gjendet para Gjykatës Kushtetuese, pasi që BDI ngriti iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të KSHZ-së për fshirjen e 39.502 votuesve. Koha kur votuesit nga Lista e kontestueshme duheshte ta vërtetonin të drejtën e votës, ka mbaruar më 19 gusht. Deri në atë afat vetëm 8.922 qytetarë e kanë konfirmuar të drejtën e votës në KSHZ. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë iniciativë, gjithashtu mund të ketë ndikim në përgatitjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhje pa probleme utopike në Maqedoni

Politikologu Deniz Memedi vlerëson se në këtë kaos ku ende nuk janë kristalizuar gjërat, përkundrazi dalin gjithnjë e më tepër problematika tjera, si kjo e fundit me fshirjen nga lista e mbi 30 mijë votuesve.

“Realisht do të jetë vështirë nga segmenti kohor që të shkohet pastër pa asnjë problem në zgjedhjet që po parashihen të mbahen në dhjetor. Nga ana tjetër duke pasur parasysh që në prill 2017 kemi edhe zgjedhje tjera lokale do të ishte më e arsyeshme qe partitë politike të dakordohen që të dy palë zgjedhjet të mbahen në një periudhe. Unë, besojë se do të fitohet edhe më tepër kohë për tejkalimin e gjitha dilemave dhe problemeve që janë shtruar tani, po ndërkohë do t’i shmangemi harxhimeve të dyfishta për organizmin e zgjedhjeve që nuk janë edhe të vogla”, deklaroi për Portalb Memedi.

Nga ana tjetër Mevlud Islami, politikolog, mendon se si asnjëherë më parë në marrëveshjen e fundit e arritur në Përzhino në mes subjekteve politike në vend, palët janë shumë afër gjuhës së përbashkët që do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme dhe njëkohësisht do të garantonte dalje nga ngërçi politik që ka kapluar vendin një kohë të gjatë.

Edhe Islami qëndron në atë se problemi kryesor i marrëveshjes paraqitet te funksionimi i PSP si dhe te pastrimi i listës zgjedhore.

“Duke pasur parasysh këta dy pika të vlefshme për ardhmërinë demokratike të vendit sipas mendimit tim ende nuk është koha të flitet për datë eventuale të zgjedhjeve. Mos ndëshkimi i krimit automatikisht nënkupton përsëritje të tij nga autor të ndryshëm në të ardhmen. Nga ana tjetër fshirja nga lista e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve shumica shqiptarë paraqet edhe një hap tjetër drejt majorizimit që po i bëhet popullit shqiptar në Maqedoni vite me radhë. Dalja në zgjedhje pa plotësimin të këtyre dy kushteve do të ishte vetëm fasadë e një ndërtesë që është pranë rrënimit”, tha për Portalb Islami./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button