Thyhet pllaka përkujtimore për Mara Bunevën

Pranë shëtitores së lumit Vardar në Shkup mbrëmë sërish është thyer pllaka përkujtimore  për Mara Bunevën, patrioten bullgare nga Maqedonia.

Përfaqësues të disa shoqatave bullgare të dielën promovuan pllakën e re përkujtimore në pjesën qendrore të Shkupit me rastin e përvjetorit të Mara Bunevës, e cila njihet si një aktiviste bullgare dhe patriote e cila më 13 janar 1928 në Shkup vrau prokurorin serb Velimir Preliq dhe më pas u vetëvra. Në përkujtim të saj disa herë ishte vendosur pllakë përkujtimore, por ajo ishte thyer nga persona ende të panjohur.

Bullgaria këtë personalitet historik e vlerëson si një heroinë bullgare, e cila ka kryer atentatin ndaj politikës shoviniste serbe. Por edhe ky emër gjithashtu shënohet në historinë maqedonase, ku ajo konsiderohet si maqedonase, dhe se kishte kryer atentatin në emër të lirisë dhe Maqedonisë së pavarur.

Ky incident i radhës sërish do të acarojë marrëdhëniet midis dy vendeve. Ministria e Jashtme në Bullgari është njoftuar për incidentin dhe se këtë e kanë shkruar edhe disa media bullgare. 

Lajme të ngjashme

Back to top button