Ermira Mehmeti: Kandidati konsensual, risi për zgjedhjet presidenciale

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, në kolumnën  për gazetën Koha,  konsideron se zgjedhja e një presidenti konsensual të pranueshëm për shqiptarët dhe maqedonasit, është mënyra më e mirë për të ndërtuar një ambient të mirëbesimit, i cili do të flasë në emër të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Ndonëse, presidentët e shtetit gjithnjë kanë pasur përkrahjen e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale, duke ndikuar drejtë për drejtë në zgjedhjen e tyre, Ermira Mehmeti, e konsideron si një shans ideal zgjedhjen e një presidenti konsensual  që do të demonstronte maturinë dhe kapacitetin e mjaftueshëm për të bërë reforma jo vetëm të legjislacionit në letër, por edhe në mentalitetin e shoqërisë.

“Në këto zgjedhje vjen si risi ideja për një kandidat konsensual presidencial. Nevoja për të hapur një debat të këtillë duket se u shfaq natyrshëm dhe ajo u imponua nga dilema gjithnjë e më valide: si të zgjidhet një president i të gjithë qytetarëve në një shtet të organizuar etnikisht, ku tradicionalisht votimi përcaktohet në bazë të përkatësisë etnike dhe jo fort në bazë të ndonjë parimi a vlere tjetër”, thotë Ermira Mehmeti. 

Ermira Mehmeti, në kolumnën e saj, vlerëson se Maqedonia, gjatë muajve në vijim, duhet të bëjë një rivlerësim të raporteve pushtet- opozitë, duke dhënë kështu sinjalin se ka gatishmëri dhe vullnet për të përmirësuar cilësinë e dialogut politik, një ndër kriteret politike të cilat duhet përmbushur gjatë procesit të plotësimit të reformave evropiane. 

“Partitë maqedonase në pushtet dhe opozitë, në veçanti duhet të rishikojnë pozicionet e tyre dhe të demonstrojnë më shumë gatishmëri për koncesione, në interes të të ardhmes evropiane. Ne akoma sot nuk kemi konkluzione lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit 2012, dhe kjo është e papranueshme sepse na mban të bllokuar në avancimin tonë përpara!

Ajo, konsideron se fryma e mirëbesimit duhet të jetë baza për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Greqisë gjatë gjashtëmujorit në vijim,  gjithnjë në interesin e përbashkët – e ardhmja e Evropës.

“Kjo nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë dhe natyrisht, gjatë muajve të ardhshëm nuk përjashtohet mundësia për të parë e dëgjuar edhe situata e deklarata kontroverse. Megjithatë, ajo çfarë ne mundemi dhe duhet ta bëjmë është që të plotësojmë detyrat tona të shtëpisë. Le të fillojmë me kohezionin etnik, të tjerat duken pastaj më të kollajshme”,  shkruan Ermira Mehmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button