Ekspertët amerikanë të shqetësuar: Al-Kaida po forcohet!

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet e gjysmë pas vdekjes së udhëheqësit të al-Kaidës,  Osama bin Laden, ekspertët amerikanë dhe zyrtarët kundër terrorizmit thonë se, organizata e tij mbetet një kërcënim i madh në gjithë Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut.

James Mattis e njeh al-Kaidën, pasi ka komanduar marinsat amerikanë në Irak dhe më pas ka drejtuar operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, Pakistan dhe Afganistan si gjeneral në Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Megjithëse tani është në pension, ai është i shqetësuar për kursin e luftës kundër al-Kaidës. “Xhihadi i dhunshëm, veçanërisht al-Kaida, janë në rritje për nga numri i pasuesve të tyre.

Në fakt ata po fitojnë terren dhe po shfrytëzojnë mundësi të reja. Mattis foli kohët e fundit në një konferencë për terrorizmin në Uashington, të organizuar nga Fondacioni Jamestown.

Ai thotë se perëndimi nuk po arrin ta kuptojë al-Kaidën dhe si rezultat nuk ka arritur të hartojë një strategji të efektshme operacionale dhe propagandistike për ta mundur organizatën. “Sigurisht që përpjekjet tona nuk kanë që të mjaftueshme.

Ne mbrojmë sot jo vetëm një terren gjeografik, por edhe një terren idesh. Për ne në perëndim kjo pozitë e ka burimin në periudhën e Iluminizmit dhe ka të bëjë me lirinë dhe dinjitetin e njeriut dhe parime të tjera të ngjashme.

Që kur Tony Blair u largua nga posti, unë nuk di që ne të kemi patur një politikan perëndimor të aftë për të shpjeguar pozitën tonë fisnike për të mbajtur lart vlerat e qytetërimit tonë”. Mattis nuk është i vetëm në zhgënjimin e tij nga forcimi i aktiviteteve xhihadiste gjatë vitit 2013.

Megjithëse shumë nga ndihmësit e lartë të Bin Ladenit kanë vdekur ose janë vrarë nga forcat speciale të Shteteve të Bashkuara, ose gjatë sulmeve me avionë pa pilot, grupet xhihadiste në Siri, Somali, Jemen, Libi dhe në Afrikën Perëndimore kanë qenë në gjendje të ndërmarrin disa operacione të mëdha gjatë vitit të kaluar.

Në 2013, xhihadistët e frymëzuar nga al-Kaida ose të lidhur me të, sulmuan një qendër tregtare në Kenia, ku u vranë të paktën 72 vetë, pushtuan një impiant gazi në Algeri dhe vranë 39 pengje. Sulmet e al-Kaidës janë duke u shtuar përsëri në Irak.

Në shkretëtirën Sinai të Egjiptit, ekspertët kanë frikë për shtimin e grupeve ekstremiste vendase që mund të jenë pranë një lidhjeje zyrtare me al-Kaidën. Ndërkaq, xhihadistët kanë dalë si forca më e fuqishme në radhët e kryengritësve në Siri që luftojnë për largimin e Presidentit Bashar al-Assad.

Në verilindje të Sirisë, Giwan Ibrahim, komandat i lartë kurd, i cili lufton kundër forcave të lidhura me al-Kaidën, thotë se xhihadistët po shënojnë sukses në rekrutimin e anëtarëve në gjithë botën. Shumë nga xhihadistët që ai lufton nuk janë të lindur në Siri. “90 për qind e tyre janë nga vende të tjera. Ata nuk janë nga Siria, shumica janë nga Arabia Saudite, Tunizia dhe Libia. Unë kam parë vetë në radhët e tyre njerëz nga vendet evropiane që kanë luftuar kundër nesh”. “Ata nuk kanë gjë tjetër në vëmendje, veç shkatërrimit dhe shkuarjes në parajsë. Kjo e bën më të lehtë misionin për të se sa për ne”.

Në Uashington, ekspertët që morën pjesë në konferencën Jamestown thanë se misioni kundër terrorizmit ka të ngjarë të bëhet edhe më i vështirë gjatë vitit 2014.

Lajme të ngjashme

Back to top button