Kriza e ujit në West Virginia

Kriza e ujit të ndotur në West Virginia të Shteteve të Bashkuara nuk do të mbyllet shpejt.

Zyrtarët sqarojnë se, më parë duhen kryer të gjitha analizat e nevojshme, për të vendosur nëse kimikatet e derdhura në sistemin e furnizimit me ujë, të 9 konteve në jugperëndim të këtij shteti, po e vazhdojnë kontaminimin apo jo.

Kjo do të thotë se urdhri për mospërdorimin e ujit, i lëshuar të enjten, do të vazhdojë të mbetet në fuqi për disa ditë me radhë.

300,000 banorë të West Virginia-s nuk do ta përdorin dot ujin e rubinetit për të larë duart, dhëmbët apo edhe për të bërë dush.

Ata janë këshilluar të tregohen të kujdesshëm ndaj simptomave të ekspozimit, që përfshijnë acarimin e lëkurës, të përzierat, të vjellat dhe vështirësinë në frymëmarrje.

16 kamionë me ujë të ambalazhuar janë dërguar nga qeveria. Kufizimet në përdorimin e ujit u vendosën të enjten, pasi u zbulua se në sistemin e shpërndarjes kishte përfunduar një sasi e konsiderueshme kimikatesh, nga një çisternë e ndodhur jo shumë larg ujësjellësit.

Banorët e pritën lajmin me ankth. “Ne as që e dimë se me çfarë rreziqesh reale për shëndetin përballemi, – tha një prej tyre për CNN. – Jemi larë e kemi gatuar me atë ujë, përpara se të na vinte lajmi i kontaminimit”.

“Jemi njerëz të thjeshtë, nuk jemi kimistë”, – shprehet një tjetër. “S’dimë të themi deri në ç’masë mund të ndikojë ndotja e ujit në organizëm dhe sigurisht që jemi të shqetësuar”, – shton ai.

Problemet e lidhura me kontaminimin e ujit kanë bërë që, të paktën 800 vetë të kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet federale nisën një hetim mbi rrjedhjen e substancave kimike në lumë, nga ku përfunduan në rrjetin e ujësjellësit.

Lajme të ngjashme

Back to top button