Paro Laçi arrestohet për llogari të Italisë

Ish-aksioneri i klubit të futbollit, Partizani, Paro Laçi u arrestua mbrëmë, në një lokal në rrugën e Durrësit, në Tiranë. Laçi është arrestuar për llogari të drejtësisë italiane, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, dhe pritet të ekstradohet në Itali.

“Më datë 12.01.2014, rreth orës 20:00 nga shërbimet e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr.3 Tiranë, duke vlerësuar në kohë informacionet e grumbulluara, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Paro Destan Laçi, 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar në Itali. Arrestimi i tij u bë, pasi ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë së Apelit Tiranë, për ekzekutimin e vendimit datë 03.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ka shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për efekt ekstradimi në shtetin e Italisë”, -thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës, transmeton shekulli.

Paro Laçi në vitin 2011 është dënuar nga gjykata e Milanos me 10 vjet burg nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Pas arrestimit pritet vendimi i Gjykatës për të realizuar edhe ekstradimin e tij drejt Italisë për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia italiane. Paro Laçi u arrestua rreth dy vite më parë për korrupsion dhe qëndroi në ambientet e paraburgimit për 9 muaj, për t’u liruar më pas. Ai akuzohej se kishte ndikuar tek gjyqtarët e Apelit në Shkodër, së bashku me disa persona të tjerë, për lirimin e Altin Viganit, dënuar me 25 vite burg për vrasje, duke ofruar 125 mijë euro. Në atë kohë Laçi u akuzua edhe për trukim ndeshjesh sportive.

Lajme të ngjashme

Back to top button