Bashkëpunimi strategjik Shqipëri-Kosovë, zbardhet dokumenti i plotë

Suela Topi

-Zbardhet dokumenti i plotë për bashkëpunimin strategjik mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës. Në deklaratën 5-faqësh palët angazhohen të bashkëpunojnë ngushtësisht ndërsa vlerësojnë rëndësinë historike të proceseve integruese rajonale, evropiane dhe euroatlantike. Dokumenti konstaton zhvillimet pozitive në rajon, me vizionin dhe vullnetin e përbashkët për t’u bërë pjesë e një historie të re dhe perspektivës së pakthyeshme të integrimit evropian dhe euroatlantik. Më tej detajohen dhe marrëveshjet e bashkëpunimit.

Deklarata 

Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës angazhohen të bashkëpunojnë ngushtësisht për të garantuar arritjen e këtyre objektivave, përmes një bashkëpunimi dhe bashkërendimi në planin dy dhe shumëpalësh. Për sa më lart, deklarojmë në emër të dy qeverive tona dhe shprehim solemnisht angazhimin për të zhvilluar një kuadër të strukturuar dialogu dhe bashkëpunimi strategjik, nëpërmjet institucionalizimit të praktikës së re të mbledhjeve të përbashkëta, jo më pak se një herë në vit, duke identifikuar si prioritare fushat e mëposhtme: 

Politika e Jashtme dhe e Sigurisë: Forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e dialogut ndërqeveritar për të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë; bashkërendimin e aksionit të përbashkët politik dhe diplomatik; thellimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme; mbështetjen për avancimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë; koordinimin e përpjekjeve dhe aksionit diplomatik për afirmimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të pozitës ndërkombëtare të Republikës se Kosovës; avancimin e reformave të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë; koordinimin e përpjekjeve për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve me ShBA-të, si aleati kryesor dhe i përbashkët strategjik, me vendet anëtare të BE-së, si dhe me partnerët e tjerë të rëndësishëm rajonalë dhe ndërkombëtarë; konsultimin, koordinimin dhe adoptimin e qëndrimeve të BE-së mbi çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm; konsultimin dhe bashkëpunimin për afrimin e vazhdueshëm dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe NATO-s; bashkërendimin e përpjekjeve në kuadër të OSBE-së; konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Këshillin e Evropës.

Për sa më lart, në emër të dy qeverive tona vendosim: Qeveritë e Republikës se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në mbledhjet e tyre të përbashkëta, do të përcaktojnë strategjinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, transportit, mjedisit, kulturës, shkencës, artit, arsimit, sportit, drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe shoqërisë civile. Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive do të mbahen çdo vit mbi bazë të një kalendari të rregullt dhe mbi parimin e rotacionit. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, do të veprojnë si bashkë-drejtues të mbledhjes së dy qeverive. Ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve janë përgjegjës për planifikimin dhe përgatitjen e mbledhjeve të përbashkëta ndërmjet dy qeverive. Ministrat, në përputhje me fushat e tyre të kompetencës, do të jenë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve të ndërmarra nga mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive. Komisioni i Përbashkët Ekonomik do të veprojë si mekanizmi kryesor në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe shkëmbimet tregtare. Komisioni i Përbashkët në fushën e Energjisë do të veprojë si mekanizmi kryesor në forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, për të zhvilluar dhe zbatuar projekte të përbashkëta në këtë fushë. Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të mbështesin me burime dhe do të koordinojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, me qëllim prosperitetin e dy vendeve dhe rajonit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët evropiane. 

Deklarata u nënshkrua më 11 janar 2014, në Prizren, në tri kopje në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.

Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme

Duke rikonfirmuar vullnetin për: Thellimin e bashkëpunimit midis institucioneve të zbatimit të ligjit; forcimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet organeve më të larta gjyqësore; intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse të dy vendeve për bashkëpunimin juridik në çështjet penale dhe civile; shkëmbimin e përvojave në proceset e reformimit të shtetit të së drejtës në përputhje me acquis communautaire; forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në çështjet e administrimit të pronës private dhe publike; përafrimin e standardeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë publike, nëpërmjet patrullimit e kontrollit të përbashkët të kufirit shtetëror, intensifikimit të shkëmbimit të informacionit në luftën ndaj trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkëmbimit të përvojave në fushën e shkollimit dhe trajnimeve për çështje të sigurisë publike dhe emergjencave civile, ndihmës reciproke në raste të emergjencave civile, si dhe masave të përbashkëta për sigurinë rrugore; intensifikimin e bashkëpunimit në rrafshin e qeverisjen vendore.

Një ditë pas takimit të Prizrenit, Demaçi: Rama e Thaçi kaq kanë kaçik

Ka vijuar edhe dje jehona në mediet e Kosovës për takimin e zhvilluar dy ditë më parë në Prizren mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Veprimtari Adem Demaçi në një bisedë për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” duke folur rreth takimit të dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren ka pohuar se “konferenca në Prizren edhe pse u quajt “bashkim” u vërejt mungesa e shqiptarëve të Preshevës. Por, mos harroni se dje s’ishte fundi i dynjasë, meqë ky takim nuk është as i pari e as i fundit takim dhe po vijnë ditë të mira për popullin tonë..” Ndërsa rreth shumës prej 100 mijë euro, të dy qeverive caktuar për Luginën e Preshevës ka pohuar se: “e di se ato para për maternitet në Preshevë, nuk mjaftojnë për Luginën dhe e di se ju ka mbetur hatri edhe juve atje në Preshevë, që u ndanë vetëm 100 mijë euro për Luginën. Por nuk duhet me ju zënë për të madhe se Tirana dhe Prishtina aq kanë kaçik (mundësi, sh. red) për të ndihmuar! Unë këtë e shoh një hap të mirë, mjafton se këtyre kryeministrave tanë më në fund u ra ndërmend për ata vëllezërit tanë, ata njerëz të lënë pas dore nga Beogradi e Evropa”. “Një gjë mund t ’u them se as Thaçi e as Kosova, edhe sikur të japin jo 100 mijë euro, por as 100 miliardë euro s’mund t’i dalin hakut shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sepse sikur ne, edhe ata u flijuan dhe sakrifikuan për këtë Kosovë, u burgosën e derdhën gjak e luftuan krah për krah me ne për Kosovën e lirë, për shtetin e Kosovës…”, – ka pohuar Demaçi duke shtuar se tash çka të flitet, veç flitet tepër… E njëjta agjenci shkruan se Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Zvicrës, është duke e shqyrtuar mundësinë qe të ndihmojë shtetin shqiptar dhe atë kosovar me 200 mijë euro. Kjo shoqatë do ti dedikojë shtetit shqiptar 100 mijë euro për rrethimin e mburojave të rrugës së kombit, në mënyrë që, siç citon agjencia deklaratën e shoqatës “Medvegja”, “bandat dhe gomarët të mos pushtojnë autostradën”. Sipas drejtuesve të shoqatës, “shtetit të Kosovës, 86.800 mijë euro do t’i ndahen për botime dedikuar nxënësve dhe studentëve si dhe oligarkisë intelektuale në mënyrë që përfundimisht të mësojnë ku edhe gjeografikisht shtrihet Medvegja, Presheva dhe Bujanovci, ndërkaq 13.200 euro të tjera i dedikohen projektit “Kthehuni” si dhe trajtimit më të përshtatshëm të refugjatëve nga Lugina që kanë gjetur strehim në Kosovë e që duhet të trajtohen si Luginarë e jo legionarë”. Ndërsa “Express” shkruan se Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Januz Musliu, thotë se 100 mijë euro të ndarë nga dy qeveritë për Luginën do të mund t’i ndanin edhe individët. Sipas tij, Lugina e Preshevës është çështje kombëtare e jo humanitare.

Ekonomia

Partneritet për degëzimin e TAP-it në Kosovë

Ekonomia, Energjia, Transporti, Turizmi dhe Mbrojtja e Mjedisit: Krijimin e një klime nxitëse për biznesin në një treg të integruar; rritjen e bashkëpunimit midis administratës publike dhe institucioneve fiskale të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës; palët angazhohen të punojnë intensivisht me partnerët për të mundësuar një degëzim të TAP-it në Kosovë dhe zhvillimin e tregut vendas dhe rajonal të gazit; ndërtimin e Linjës Ndërkufitare (LP) llOkV, e cila do të veprojë në drejtim të rritjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike të Dragashit dhe Kukësit; hartimin e strategjive të përbashkëta për zhvillimin dhe modernizimin e transportit në mes dy vendeve; hartimin e një strategjie të përbashkët bashkëpunimi në fushën e telekomunikacioneve; hartimin e marrëveshjeve që mundësojnë përdorimin e rrjedhjeve të ujërave në mënyrën më efikase, në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare; nxitjen e turizmit nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të një strategjie kulturore të përbashkët, me një ofertë turistike të njësuar; forcimin e bashkëpunimit për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, ujërave, pyjeve dhe biodiversitetit, nëpërmjet zhvillimit dhe përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, uljen e nivelit të ndotjeve dhe rehabilitimit të mjediseve të dëmtuara.

Kultura, Arsimi dhe Shkenca 

Duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për: Hartimin e planeve të veprimit dhe strategjive zhvillimore të përbashkëta të arsimit parauniversitar; bashkërendimin e politikave arsimore në përputhje me standardet evropiane; zhvillimin e programeve të studimit të përbashkët në institucionet e arsimit të lartë, përkrahjen e programeve të shkëmbimit të studenteve dhe promovimin e bursave; mbështetjen e projekteve kërkimore të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë, si dhe mbështetjen e projekteve të përbashkëta në kuadrin e partneritetit me BE-në; bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të kulturës, për krijimin e një kalendari të përbashkët kulturor vjetor; hartimin e një platforme me qëllim promovimin e nismave të përbashkëta të bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore; bashkërendimin e politikave në fushën e sportit, në përputhje me standardet evropiane, përfshirë zhvillimin e kampionateve në disiplina të ndryshme sportive; forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arkivave kombëtare dhe bibliotekave kombëtare të dy vendeve. 

Lajme të ngjashme

Back to top button