Edhe sa kohë duhet të pritet për një shkollë në Vizbeg të Shkupit?!

Fëmijët e lagjes Vizbeg të Shkupit, edhe këtë vit të ri shkollor do ta fillojnë në shkollën e Shuto Orizares, “26 korriku”, pasi që ende nuk u ndërtua objekti i ri shkollor.

Banorët tani më disa herë kanë bërë kërkesë në komunën e Butelit si dhe në MASH, por deri më tani kanë marrë vetëm informacionin se shkolla e vjetër nuk do të rregullohet por do të ndërtohet një e re, mirëpo ende nuk ka asnjë shenj të objektit të ri shkollor.

“Disa herë kemi kërkuar nga komuna që të rregullojë shkollën sepse fëmijët tanë ecin një rrugë të gjatë për të shkuar në shkollë. Na thanë se ajo nuk do të rregullohet po që do të ndërtohet një shkollë e re, po ende nuk po shohim asnjë ndërtim dhe nuk ka asnjë lajm lidhur me këtë çështje”, tha për Portalb Faik I., banor i Vizbegut.

“Nuk e di se çfarë po presin, ndërtojnë kryqe kurse nuk bëjnë shkolla, kjo është e tmerrshme. Fëmijët e sidomos të vegjlit e kanë të vështirë, se jo të gjithë prindërit kanë makina për t’i dërguar fëmijët në shkollë. Ka disa që i njoh qe me vite shkojnë e kthehen në këmbë, që për një fëmijë të moshës 6-7 vjeçar është gjë mjaft e vështirë”, tha për Portalb, Zenel Ibrahimi, banor.

Nga MASH thonë për Portalb se shkollat fillore bien nën kompetencat e komunës dhe nëse e njëjta nuk ka fondet atëherë i drejtohet MASH-it.

“Siç e dini edhe ju me decentralizim shkollat fillore janë nën kompetencat e komunës dhe mjetet dhe kushtet për të njëjtat duhet të sigurohen nga Komuna. Nëse e njëjta nuk ka mjete na drejtohet neve me projektin dhe nëse vlerësohet se është e nevojshme të intervenohet, ne intervenojmë”, thonë për Portalb, nga zyra për informim e MASH.

Në buxhetin e këtij viti të Komunës së Butelit është përmendur kjo shkollë, por duke u theksuar se është në fazë të fundit kompletimi i dokumenteve për ndërtimin e saj, ndërkaq se kur do të fillojnë punimet dhe kur do të përfundojnë të njëjtat nuk ka fare informacion.

Ueb faqja e Komunës së Butelit
Ueb faqja e Komunës së Butelit

Kurse para katër viteve nga komuna e Butelit po të njejtën gjë e thanë për Portalb.

Gjithashtu edhe nxënësit ankohen se janë të detyruar të shkojnë në shkollat në komunat Shuto Orizarë, Çair, Butel dhe Karposh. Ata kërkojnë shkollë në vendbanimin e tyre.

“Është larg dhe sidomos dimrit ballafaqohemi me shumë vështirësi, disa nga ne shkojmë në këmbë në shkollë që është larg”, thanë një grup fëmijësh të cilët ishin nxënës të shkollës fillore “26 Korriku” në Shuto Orizarë.

Derisa organet kompetente nuk ndërmarrin asgjë, 800 nxënësit shqiptar të lagjes Vizbeg të Shkupit mbeten të detyruar të ecin çdo ditë në këmbë 4 kilometra për të arrit tek shkolla fillore ’26 Korriku’ në Shutkë./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button