Gabimet që çiftet e fejuar bëjnë në rrjetet sociale

Jo, nuk po të ndodh vetëm ty. Nëse shumica e njerëzve që njeh po fejohen në Facebook dhe në jetën e vërtetë, ky fenomen është bërë një trend gjatë stinës së dimrit prej atmosferës familjare që krijojnë festat e fundvitit.

Fejesat në përgjithësi kanë një lloj tensioni të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo, për shkak se çifti ndihet i vënë në provë për një sfidë të ardhshme, siç është martesa, ndërsa të tjerët që rrethohen prej tyre fillojnë të ndryshojnë sjellje duke i konsideruar nga beqarë në të martuar të mundshëm.

Megjithatë, ka disa çifte që tensionin e tyre e kthejnë në energji negative. Ja cilat janë 10 arsyet përse çiftet e fejuar ta shpifin, sidomos kur i ke miq virtualë në rrjetet sociale.

1. Ata harrojnë që në fakt bota rrotullohet akoma për beqarët. Kur vajzat fejohen, i vetmi lajm i mirë për to pas kësaj, është kur dëgjojnë se të tjerë njerëz janë fejuar, martuar apo bërë me fëmijë. Për të fejuarit, pas dhënies së fjalës për martesë, njerëzit beqarë janë të mjeruar, të pamatur dhe në një farë mënyre frikacakë. E vetmja këshillë e mirë që ata dinë të japin për beqarët është të fejohen, t’i bëjnë lidhjet serioze ose të ndërgjegjësohen për të mirat e martesës.

2. Papritur dashuria ka lulëzuar në zemrat e tyre dhe gjithçka që ata bëjnë është online, që nga fotot e puthjeve deri te postimet e shprehjes së dashurisë. Kjo gjë është jo e pjekur dhe për më tepër e çuditshme. Rrjetet sociale nuk janë vendi ideal ku të fejuarit të bëjnë deklarata dashurie, ndoshta në ndonjë drekë me familjen e njëri-tjetrit do të ishte më e përshtatshme. Për nga vetë natyra, Facebook është rrjeti ku njerëzit shprehin pakënaqësitë dhe opinionet, ndërsa sonetet e dashurisë mes dy të fejuarve mund të tingëllojnë shumë të pavenda.

3. Përdorimi i përemrit vetor “ne” në vend të “unë”, bëhet një term i fortë në bisedat me të fejuarit. “Ne kemi vendosur të shkojmë këtu”, “ne do të blejmë këtë”, “ne sapo u kthyem nga…”, këto shprehje i bëjnë të tjerët të ndihen si beqarë të stazhionuar, të cilët po jetojnë një jetë të vetmuar dhe të pashpresë. Ndaj nëse të fejuarit duan t’u bëjnë nder personave të tjerë beqarë, bëjnë mirë të fillojnë nga përemri vetor shumës.

4. Shoqëruesja e nuses së ardhshme kthehet në një skllave të martesës së ardhshme. Për çiftin e fejuar, koha e të tjerëve nuk ekziston, gjithçka duan ata është t’i shërbejnë për të organizuar dasmën më së miri, sepse fundja, sipas tyre, po bëjnë një ceremoni të shenjtë. Dëshira për të marrë vëmendjen e të gjithëve, i bën të fejuarit të kërkojnë gjithnjë e më shumë llastime, duke i kthyer disi në të padurueshëm.

5. Adresat dyshe në rrjetet sociale. Fakti që shumica e gjërave të bezdisshme që bëjnë çiftet e fejuar kanë të bëjnë me internetin, nuk duhet të duket një çudi, fundja shumë njerëz jetojnë për t’u dukur mirë në sytë e miqve virtualë. Kështu, kur një çift bëhet serioz në lidhjen e tyre dhe fejohet, adresat dyshe në Facebook bëhen diçka normale. Ata përdorin dy emra dhe të njëjtin fjalëkalim. Kështu që bëni mirë t’u thoni lamtumirë sekreteve që ndani me miqtë tuaj, sepse sapo fejohen, jeta private shuhet së ekzistuarit.

6. Fotot e çiftit bëhen mbizotëruese në profilin e tyre të rrjetit shoqëror. Harrojeni kohën kur i shihnit të ndarë, tani gjithçka është dy. Një foto profili dhe dy njerëz. Kudo së bashku, kudo vetëm ata fytyra. Koha kur ndonjë mik apo mikeshë e ndonjërit prej tyre shfaqej si foto kryesore e profilit, ka ikur përgjithmonë. Gjithçka që do të shihni është çifti i lumtur i të fejuarve.
7. Epitetet ose etiketimet që përdorin njerëzit e fejuar fillojnë të marrin nuanca tepër bashkëshortore, betimi dhe ndjesie fati. Ata e konsiderojnë veten si më të bekuarit, si njerëzit më me fat në botë, si princër dhe princesha. Kjo gjë e kryen më së miri detyrën “e poshtërimit” dhe i bën të tjerët të ndihen keq me jetën e tyre të thjeshtë pa ndonjë partner të rëndësishëm.

8. Të fejuarit harrojnë se jo çdo njeri do të jetë në pozitën e tyre. Të tjerët mund të jenë të lumtur për gëzimin e tyre, por kjo nuk do të thotë se do ta dëshironin veten me të njëjtat karakteristika. Kur lumturia ua verbon sytë të fejuarve, dashuria për ta bëhet sinonim i fjalës martesë. Një çift i dashuruar, por i lidhur? Jo, për ta kjo nuk është dashuri. Papritur dashuria bëhet vetëm fejesë, martesë, fëmijë.

9. Zënkat në postime ndonjëherë bëhen një shfaqje e vërtetë për beqarët që kanë miq. Xhelozia dhe ngacmimet që vijnë prej saj mund të jenë të zakonshme në komentet që të fejuarit i bëjnë njëri-tjetrit. Kjo, sepse ata e mendojnë tjetrin pronë të ardhshme të tyre.

10. Faqet që ata pëlqejnë kthehen së shpejti në një parodi dashurie. Gjithçka që do të gjeni në profilin e tyre është një numër i madh faqesh, si “Përgjithmonë bashkë”, “Dashuri e përjetshme”, “Të dua”, “Do e kaloj jetën me ty” dhe bla bla bla. Më mirë na tregoni për këto andralla disa vite më vonë, kur ta urreni njëri-tjetrin.

Lajme të ngjashme

Back to top button