fbpx

Kolosët e atdhetarisë dhe Tetova e tretur në kujtesë

Më arriti kohë më parë një korrespondencë nga Nju-Jorku, nënshkruar nga pinjolli i familjes së Derrallajve, Ervin Pilku: “Do kisha dëshirë të ndaja me ju kujtimet e gjyshes sime, Emine Derralla (Pilku), e bija e dytë e Halim Derrallës, e lindur në Selanik, më 06/12/2012, ku i ati Halim Derralla jetonte me familjen dhe ku pak vite më parë ishte kthyer pikërisht Mehmet Pashë Derralla nga internimi. Në Selanik, Mehmet Pasha dha dorëheqjen si gjeneral i Perandorisë Osmane. Bashkë me të birin, Halimin, u kthyen në vilajetin e Shkupit, ku babë e bir kushtuan jetën dhe familjen për krijimin e Shqipërisë etnike…”, më shkruante Ervini nga Amerika e largët. Ky ishte një motivim shtesë për të kujtuar jo vetëm këtë vigan të atdhetarisë dhe të shtetësisë së shqiptarisë, Mehmet Pashë Derrallën, i cili ka prejardhjen nga Gradeci, një fshat me një histori të begatshme, ku kaloi jetë edhe e ëma e Skënderbeut, Vojisava, një vendbanim i vogël rrëzë Sharrit, mes Tetovës dhe Gostivarit, por edhe për atdhetarë të tjerë që shkrinë pasurinë, shpirtin dhe jetën për një Shqipëri të pavarur. 

Jo vetëm kaq. Tetova, sikundër edhe Shkupi shqiptar, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri, Kumanova dhe vendbanime të tjera shqiptare të kësaj pjese të Iliridës kanë pasur gjatë historisë personalitete të shumta, të cilët janë hedhur në harresë dhe nuk e gjetën respektin e duhur të brezave të tashëm. 

Ç’është e vërteta, Mehmet Pashë Derralla, nënshkruesi i pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, pranë Ismail Qemalit në Vlorë, ministri i parë shqiptar i Luftës (i Mbrojtjes) i Shqipërisë së pavarur, deri-diku ka gjetur vendin dhe respektin e duhur për meritat që ka ndaj popullit. Është më i njohuri ndër breza, por, mjerisht, nuk po ndodh kështu edhe me personalitetet e tjera të shquara, në këtë rast, të atyre që kanë trungun dhe rrënjët nga Tetova, qytet që ka dhënë nga gjiri i vet shumë kolosë të kombit, që meritojnë të përmenden dhe atyre t’u ngrihen përmendore, buste, pllaka përkujtimore, mbishkrime, epitafe etj. 

Në këtë kontekst, duhet përmendur të atin e Mehmet Pashës, Hasan Pashë Derrallën, i cili ka qenë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit (1878); Dervish Carën nga Pallçishti i Tetovës, i cili ka luftuar që në shekullin e 19-të për çlirimin e tokave shqiptare; Abdurrahman Pashën që kërkoi nga Sulltani autonomi për shqiptarët dhe u syrgjynos pa kthim në Anadoll; për Sheh Mustafa Tetovën, për të cilin mbase nuk kanë dëgjuar fort shqiptarët, ndonëse ky ka qenë njeriu i dytë i Lidhjes së Prizrenit, ka qenë “ambasador” i kësaj lidhjeje në raportet dhe kontaktet me Sulltanin në relacionin Prizren-Tetovë- Stamboll.

“Pluhuri mbulon njësoj, si gjësendet me vlerë, ashtu edhe ato pa vlerë”, thotë një urti, por duhet hequr kjo shtresë e harresës nga vlerat tona kombëtare, që t’u kthehet atyre shkëlqimi i dikurshëm. Nuk janë vetëm këta që u përmendën, të cilët i ka dhënë Tetova për kombin. Janë shekujt që dëshmojnë për shumë të tjerë që janë strukur ndër breza, presin respektin e merituar nga ne që kemi rënë në halle të tjera…Tetova nuk është vetëm kaq, nuk është rastësisht qendër politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore e shqiptarëve në Maqedoni. Ajo ka qenë bastione në të gjitha periudhat kyçe historike, ka dhënë sakrifica të mëdha mendjesh, atdhetarësh, intelektualësh, letrarësh që kapërcejnë kufijtë e kombit. Por, ne, ndër vite po i harrojmë, sikur të mos kishin qenë fare. 
Tetova nuk është vetëm Teqeja Harabati Baba, një kompleks kulti i të kaluarës, apo Xhamia e Larme (e Pashës), një monument funksional islam që mbrohet nga shteti, Kalaja e shekullit 19-të apo ndonjë tjetër, që njihen jashtë kufijve rajonalë, kur ato i vizitojnë turistët. Qyteti rrëzë Sharrit plak ka një të kaluar shumë më të begatë, të cilën brezat që vijnë duhet ta njohin pak më mirë. Por, si do të ndodhë kjo, nëse ne nuk i përkujtojmë, nuk i shënojmë apo nuk i spikasim me elemente arkitekturale-memoriale që do ta bënin veprën të amshueshme.

Nuk na takon ne që të bëjmë valorizimin apo revalorizimin e personaliteteve të këtilla të shquara të historisë kombëtare. Kjo punë, për nga kompetencat u takon komisioneve parlamentare, apo të atyre që duhet të ngrihen në kuadër të komunave, të cilët do të marrin mendimin e ekspertëve dhe do ta bëjnë radhitjen relevante të tyre. 
Për fillim, mjafton të ngrihen pllaka përkujtimore apo pllaka mbishkrimi, në vendet ku kanë vepruar të parët tanë apo ku kanë ndodhur ngjarjet e rëndësishme historike. Kjo punë do ta begatojë, gjithsesi, edhe me një dimension tjetër të kaluarën tonë historike, të cilën do ta kenë më pranë dhe në zemër brezat e tashëm dhe të ardhshëm, si kulte krenarie kombëtare, si rrënjë që nuk do t’i shkulin furtunat eventuale në të ardhmen. Kur të kryhet kjo punë, s’do t’u takojë vetëm vizitorëve të rastit dhe turistëve që po shtohen vazhdimisht, kohëve të fundit, në këtë qytet, të cilët do të kenë më shumë pika turistike dhe do të tërheqin edhe më shumë turistë në këtë destinacion, që do të afirmojë qytetin, por do të duhet që këto lokalitete historike, shtëpi përkujtimore, buste e përmendore të historisë t’i vizitojnë në mënyrë të organizuar edhe nxënësit shkollorë dhe studentë universitarë, për të gërshetuar dhe harmonizuar njohuritë e tashme me ato të së kaluarës. 

Kjo paletë e ofertës turistike-historike do të mund të zgjerohej dhe begatohej edhe me emra të tjerë nga fusha të ndryshme dhe të historisë më të re, që e meritojnë këtë. Bie fjala, shtëpia e dikurshme e Halim Beut, të birit të Mehmet Pashë Derrallës, që ende po funksionon në kompleksin e Spitalit të Tetovës, do të mund të shndërrohej në një muze memorial, ashtu siç kërkonte dhe e kishte ëndërr këtë shestim mbesa e Mehmet Pashës, Valdeta Derralla, gjatë një vizite në Tetovë në fillim të këtij shekulli. Halim Beu ka qenë deputet shqiptar në Parlamentin e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, në vitet e 30-ta. Me një pllakë përkujtimore do të mund të shënohej Shtëpia në pjesën e Çarshisë së Epërme të Tetovës, ku në vitin 1939 u themelua shoqata atdhetare “Besa”, në të cilën vepruan një plejadë të rinjsh patriotë shqiptarë, që dolën në mbrojtje të popullatës në momente kritike. Kjo vlen edhe për shoqatat dhe organizatat e tjera ilegale të shqiptarëve që u themeluan në vazhdimësi, me sakrifica të mëdha dhe u shuan me arrestime dhe vrasje nga regjimet e kohës. 

Është shtëpia e prefektit të parë shqiptar në qytetin e Tetovës, në kohën kur Tetova hyri në juridiksionin e Shqipërisë etnike (1941-1944), dr. Xhafer Sulejmani, doktorit që studioi mjekësinë në Stamboll, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Sorbonës në Francë, i cili u sakrifikua për çështje kombëtare; prefekti i dytë i Tetovës, Shaip Kamberi (1943-1944), themeluesi i organizatës ilegale “Besa” (1939), juristi i parë i Tetovës, i cili u ekzekutua nga OZNA famëkeqe, disa ditë para se të vinin partizanët në Tetovë (nëntor 1944). Duhet përmendur “Mandelën” e Tetovës, patriotin e palodhshëm, Memetriza Gega, si dhe shumë e shumë veprimtarë të tjerë të mëvonshëm që meritojnë të përmenden, të shënohen me pllaka vendet ku kanë jetuar, ku kanë punuar dhe vepruar. Vetëm atëherë s’do të harrohen nga brezat, ndërsa me vizita në ato vende, do të ripërtërihet kujtesa për sakrificën e të parëve tanë në mbrojtje të popullit, për të mbetur kjo histori shqiptare në mbamendje me shekuj. Kjo vlen njësoj edhe për gjeografinë e mbetur shqiptare të Maqedonisë.  

Lajme të ngjashme

Back to top button