Vruçina: Shpresoj të shënoj shumë gola

Përforcimi më i ri i Shkëndijës, Bojan Vruçina për faqen zyrtare të klubit kuqezi ka folur për përshtypjet e tij të para pas arritjes së marrëveshjes me skuadrën ‘kuqezi’. Ai është shprehur tejet i entuziazmuar me aventurën e re që ka para vetes, duke premtuar se do japë gjithçka nga vetja për të arsyetuar besimin e kryesisë. 

“Jam i lumtur me kalimin tim te Shkëndija. Ishin bisedime korrekte me personat me të cilët arrita marrëveshje. Normal se pres suksese me klubin tim të rij. Ndërtohet skuadër e re, në ekip kanë hyrë njerëz serioz dhe të fuqishëm, me plane të qarta për të ardhmen. Kjo më bëri që të pranoj të vij në Shkëndijë. Pres të shënoj shumë gola dhe të ndihmoj klubin të realizojë ambiciet”, është shprehur për faqen zyrtare të KF Shkëndija, sulmuesi 29 vjeçar nga Kroacia, Bojan Vruçina. Ai ka shtuar se nuk din shumë për futbollin e Maqedonisë, por në grumbullimin e informatave të para, “Ballistët” gjithnjë kanë qenë më të përmendur.

“Realisht nuk di shumë, por kam tentuar këto ditë të grumbulloj informata. Kam biseduar me Jane Nikollovskin me të cilin së bashku kemi luajtur në Slaven Belupo dhe me një shok nga Tetova që qëndron në Kroaci. Tani e di se Shkëndija është ekip me emër në Maqedoni dhe që ka pas vetës tifozë të shkëlqyeshëm që krijojnë atmosferë fantastike. Kjo është shumë me rëndësi, pasi që atmosfera e mirë në tribuna bën që ne futbollistët në terren të japim edhe më shumë nga vetja për t’ua kthyer me sukses mbështetjen që marrim nga tifozeria”, tha sulmuesi i ri ‘kuqezi’. 

Vruçina ka luajtur në shumë skuadra, por shenjë të vërtetë dhe afirmim të plotë arriti te ekipi i Slaven Belupos, ku shënoi shumë gola. Ai tani beson që atë formë ta kthejë te Shkëndija. “Absolutisht, shpresoj të jetë ashtu. Jam i shëndoshë, i përgatitur dhe pres të jem në formën time optimale. Do të punoj shumë dhe do jap gjithçka nga vetja për të arsyetuar besimin e kryesisë”, përfundoi Bojan Vruçina intervistën e parë si futbollist i Shkëndijës, i cili deri sa e kontaktuam ishte duke ushtruar në përgatitje force.
Me Shkëndijën përgatitjet do t’i fillojnë edhe të rinjtë Shqiprim Taipi dhe Argjend Bardhi, të cilët do të testohen nga stafi teknik i ekipit. KF Shkëndija/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button