Raportimi për katastrofat natyrore – si duhet?

Tashmë mbi dy javë, mediat raportojnë për dëmet dhe pasojat e vërshimeve në rrethinën e Shkupit, të cilat me intensitetin që kishin, nuk mbahen mend të kenë ndodhur më parë, e as nga gjeneratat më të moshuara të zonës. Duke komentuar nevojën për hulumtime mbi shkaqet e katastrofës që ndodhi në Shkup, në këtë fazë, kur akoma nuk ka asgjë më konkrete në këtë drejtim, asaj do t’i referohemi parimisht si një katastrofe natyrore.

Përveç për të dëmtuarit, për të afërmit e tyre dhe për institucionet shtetërore, kjo ishte një sfidë edhe për gazetarët. Ekzistojnë rregulla, disa të shkruara, e të tjerat sugjerime nga gazetarët që kanë kaluar përvoja të tilla, se si në raste të tilla,  përveç që të jetë profesionist, gazetarit i duhet të jetë edhe i njerëzishëm, i përmbajtur dhe, normalisht, të kujdeset për veten e tij, sepse një terren ku sapo ka ndodhur një katastrofë, ka rrezik potencial edhe për sigurinë e vetë gazetarit.

Kur ndodh një katastrofë natyrore; vërshime, tërmet, cunami etj., media zakonisht e shtrin raportimin e saj për katastrofën në dy faza: e para është ajo e edicioneve të jashtëzakonshme (breaking news) menjëherë pas katastrofës, kur njerëzit po përballen akoma me pasojat e para të katastrofës, ndërsa e dyta është faza e informimit të zakonshëm pas normalizimit të situatës, me sqarime gjerë e gjatë të më tepër aspekteve të fenomenit dhe pasojave.

Më sfiduese, është e para.

“Breaking news”

Përveç me një infrastrukturë të shkatërruar që vështirëson lëvizjen e lirë për inspektim të zonës, gazetari përballet edhe me situata tjera të pakëndshme që kanë të bëjnë me gjendjen emocionale të personave të dëmtuar. Komunikimi me ta mund të jetë i vështirë, por gazetari duhet të tregohet i kuptueshëm. Ata mund të kenë pësuar traumë, dëme materiale, ose edhe humbje të të afërmve.

Gjatë raportimeve të para, shpesh nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar,  të zhdukur apo numrin e mundshëm të viktimave. Nuk ka as informacione mbi sasinë e dëmeve materiale. Gjithë çfarë mund të bëjë gazetari për publikun që e ndjek është të përshkruaj terrenin, të tregojë detajet që sheh, zhurmat madje edhe erën që ndjen dhe të tregojë çfarë po bëhet për t’ju ardhur në ndihmë të dëmtuarve. Varësisht kushteve në të cilat ndodhet zona e dëmtuar (me që gjasat janë të mëdha të jetë dëmtuar rrjeti i energjisë elektrike), nëse të dëmtuarit janë pjesë e publikut dhe mund të ndjekin edicionet e lajmeve, gazetari duhet t’i njoftojë se si të qëndrojnë të sigurt dhe t’i udhëzojë ku mund të drejtohen për ndihmë, nëse kanë nevojë. Nuk duhet të krijohet panik në opinion. Kjo nuk ndihmon askënd.

Nëse gazetari ka informacione, është e rëndësishme që të përshkruajë skenarin e mundshëm se si mund të ketë ndodhur e gjitha, nga çfarë është shkaktuar dhe si ka arritur deri te dëmtimi i vendbanimeve. Por, edhe në këto raste, nuk duhet të harrohen parimet bazë të profesionit, nuk duhet të bëhen akuza dhe të emërohen fajtorë, përderisa nuk ka dëshmi të forta që mbështesin këto pohime. Banorët janë burim i domosdoshëm informacioni mbi mënyrën se si ka ndodhur rasti. Ata mund të thonë vetë me gojën e tyre nëse e kanë idenë se cili ka qenë shkaktari i fatkeqësisë dhe të flasin për gjendjen e tyre pas saj. Por, gjithmonë, duhet pasur parasysh gjendjen e rëndë psikologjike, në të cilën mund të ndodhen të prekurit gjatë bashkëbisedimit. Madje, banori që intervistohet prej gazetarit mund të jetë lënduar ose mund të ketë humbur ndonjë person të afërt, prandaj gazetari duhet të tregohet i ndjeshëm dhe të ketë mirëkuptim dhe të trajtojë bashkëbiseduesin me më shumë kujdes.

KODI ETIK:

Kur raportojnë për ngjarje që kanë shkaktuar tragjedi personale, dhimbje dhe shok – gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanet duhet të tregojnë dhimbshuri, diskrecion dhe maturi.

Gazetari duhet të kujdeset që gjatë ushtrimit të punës së tij në terren, të mos pengojë ekipet e punës që veprojnë për të parandaluar fatkeqësinë ose për t’u ballafaquar me pasojat e saj.

Identifikimi i viktimave

Përderisa gjendja në vendin e ngjarjes së katastrofës vazhdon të jetë kaotike, hapësira e pa pastruar dhe pa inspektuar nga autoritetet, nuk preferohet që gazetari të përmendë emra viktimash, edhe nëse ato emra konfirmohen nga banorët e zonës. Ka shumë të ngjarë që në atë gjendje, banorët të kenë marrë vesh gabim. Nga ana tjetër, edhe po të jetë e vërtetë, ka mundësi që të afërmit e tij të mos e kanë marrë vesh akoma. Gazetari gjithmonë lufton për ekskluzivitet, por jo në këtë rast. Mbi sensacionin, qëndron dhembshuria privacia dhe dinjiteti i familjes së viktimës.

KODI ETIK:

Raportet duhet të mbajnë llogari për familjen e viktimës, të mos ia shtojë dhimbjen, por edhe të mos ndihmojë për “anatemimin” e tyre.

Emrat e viktimave vinë në shprehje për publikim atëherë kur janë të konfirmuara zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.

KODI ETIK:

Emrat dhe fotografitë e personave të zhdukur mund të publikohen, por vetëm me marrëveshje me familjen dhe organet kompetente.

Kujdesi personal

Në situata të këtilla, edhe gazetari punon në kushte të jashtëzakonshme. Atëherë, është e rëndësishme që të kujdeset edhe për vetën.

–          Të bëjë kujdes për të qëndruar i sigurt.

–          Të marrë me vete ushqim.

–          Të ketë veshje të përshtatshme.

Hulumtimi

Me përfundimin e fazës së parë të informimit për katastrofën dhe kthimit në edicionet normale, gazetari mund t’i kthehet asaj që ka ndodhur për ta analizuar në detaje. Hulumtime duhen bërë në aspektin nëse mundej dhe si do të mund të parandalohej katastrofa, a ka qenë infrastruktura në rregull, çfarë nuk ka funksionuar dhe çfarë do të mund të funksiononte më mirë.

Pavarësisht se pas një kohe, vëmendja zhvendoset pjesërisht edhe në zhvillime të tjera, gazetari herë pas herë kthehet në vendin e ngjarjes për të mësuar se si personat e prekur përpiqen të kthehen në normalitet dhe çfarë mësimi mund të jetë ky për të ardhmen. Gjatë punës në terren pas katastrofës, ai mbledh prova dhe dëshmi nga banorët, të cilat mund të ndihmojnë hulumtimin, për të parë nëse autoritetet përgjegjëse kanë mundur të parandalojnë një katastrofë të tillë dhe nuk e kanë bërë. Kjo mund t’i shërbejë gazetarit për të kërkuar llogari nga ata publikisht në emër të interesit publik, si dhe që të alarmojë paraprakisht për raste të tjera që përbëjnë një rrezik potencial për një katastrofë të ngjashme.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button