АNALIZË: Vërshimet i nxorën në sipërfaqe problemet buxhetore?

Edhe një rebalanc veror i buxhetit. Sapo u mor huaja nga eurokambiali prej 450 milionë eurosh dhe pas vendimit për thellimin e deficitit buxhetor, qeveria vendosi të bëjë edhe një riformatim të arkës shtetërore. Minusi në buxhet u thellua në 4% të PBB-së. Qeveria do t’i harxhojë depozitet shtetërore për mbulimin e mungesës së parave, shkruan  analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Rebalanc për hua të reja – baroku nuk ndalet!

Vetëm dhjetë ditë pasi qyteti i Shkupit shpalli thirrje për park zbavitës për të cilin është planifikuar të harxhohen 800 mijë euro, pa TVSH, edhe atë disa ditë pasi përfundoi tenderi për pamjen e re në barok të QT “Paloma Bjanka”, për të cilën gjë do të harxhohen 1,1 milionë euro, si dhe pasi u paralajmërua ndërtimi i “Parkut të parajsës” prej 15 milionë eurosh në komunën e Aerodromit, vendimit për pamje të re në formë baroku edhe të disa ndërtesave në qendër të qytetit, këmbënguljes për ta ndërtuar “Rrotullamen”, Qeveria publikoi se, për të siguruar para për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, duhet të ketë rebalanc të buxhetit. Kryeministri, Emil Dimitriev paralajmëroi se 33 milionë eurot e nevojshme do të sigurohen me ridestinim të parave buxhetore, të cilat pastaj do të plotësohen me hua të reja.

“Çdo familjeje që u vërshua në stuhinë e 6 gushtit do t’i paguhen që më parë nga rreth 30 mijë denarë. Me rebalancin do të sigurohen gjithsej 32 milionë euro, mjete këto që janë të nevojshme. Bëhet fjalë për angazhimin e mjeteve të cilat tani i kemi në dispozicion, e të cilat pastaj do t’i kompensojmë me mjete nga institucionet ndërkombëtare me kushte shumë të volitshme”, deklaroi kryeministri Dimitriev, transmeton Portalb.

Kjo deklaratë e Dimitrievit është dëshmi se institucionet janë në kaos dhe se qeveria merr hua të re, akoma pa u bërë një muaj pasi i mori paratë nga eurokambiali – reagojnë nga LSDM-ja opozitare.

“Dëshmi për paaftësinë e kësaj qeverie është pranimi se për 33 milionët e paralajmëruara për kompensim do të marrin kredi të re nga institucionet ndërkombëtare. Edhe përkundër asaj se para më pak se një muaji në mënyrë të paligjshme emetuan eurokambial prej 450 milionë eurosh, sot vetë e pranuan se nuk janë në gjendje nga ato mjete të ndajnë vetëm 7% dhe t’i destinojnë ato për sanimin e dëmeve nga vërshimet”, thonë nga LSDM-ja dhe propozojnë që qeveria të heqë dorë nga një pjesë e projekteve të paralajmëruara dhe nga paratë e dedikuara për krizën e refugjatëve.

“LSDM-ja propozon që 20 milionë euro nga eurokambiali i katërt, që ishin të dedikuara për krizën e refugjatëve, të ridestinohen për sanimin e dëmeve nga vërshimet. Njëkohësisht, qeveria urgjentisht të heqë dorë nga 15 milionë eurot e paralajmëruara për Kopshtin e parajsës në komunën e Aerodromit dhe nga 18 milionë eurot për Rrotullamen”, propozuan nga LSDM-ja.

Me rebalancin aktual, të hyrat buxhetore mbeten në nivelin e njëjtë prej 2,8 miliardë eurosh, ndërsa të dalat rriten në 3,2 miliardë euro, me ç’rast rriten shpenzimet për rroga, ndërsa zvogëlohen investimet kapitale në nivel prej 363 milionë euro.

Gjatë rebalancit të paradokohshëm, të parat që e pësuan ishin investimet kapitale, të cilat u zvogëluan në 366,6 milionë euro. Në buxhetin inicial, ky zë ishte pozicionuar në 412,1 milionë euro, me çka u zvogëlua për 45,5 milionë euro.

Përderisa nga njëra anë, zëri i përgjithshëm për shpenzime kapitale zvogëlohet, nga ana tjetër ekonomistët pyesin se për çka dhe ku harxhohen kreditë dhe huatë që merren në vend dhe jashtë vendit, dhe sa me paratë e huazuara nxitet rritja ekonomike, duke pasur parasysh se tani përsëri kemi rritje të deficitit buxhetor, përcjellë Portalb.

“E ndaj mendimin e njëjtë me shumë ekspertë, të cilët nuk janë kundër marrjes së huave, mirëpo me një kusht, që me ato mjete të financohen projekte për njohuri dhe teknologji të reja, pastaj për financimin e projekteve nga fusha e infrastrukturës rrugore, fillimisht të korridoreve rrugore me karakter rajonal dhe ndërkombëtar, projekteve nga fusha e energjetikës, e të ngjashme. Realizimi i projekteve të këtilla kapitale mundëson zhvillim ekonomik, e si efekt kthyes nga kjo, para së gjithash, do të ishte rritja e shfrytëzimit racional të resurseve, rritja e konkurrencës, si rezultat i produktivitetit të shtuar faktorial”, thotë profesori universitar Semi Bislimi dhe konsideron se marrja e vazhdueshme e huave është indikative, në kushte kur qeveria thotë se buxheti është në kondicion të mirë.

“Atëherë parashtrohet pyetja, pse ka nevojë për paratë e huave të reja në qoftë se buxheti është në kondicion të mirë? Llogaritjet nuk e vërtetojnë këtë”, vlerëson profesori Bislimi.

Përndryshe, deri në fund të gjysmës së parë të vitit, shpenzimet kapitale që konsiderohen si shtylla kryesore zhvillimore e buxhetit, janë realizuar vetëm 27% në krahasim me projektimin, gjegjësisht planin.

Sipas ekonomistëve, si duket do të kemi edhe një vit të humbur në aspekt të investimeve, veçanërisht në pjesën e investimeve qeveritare nëpërmjet buxhetit. Kjo tregon se projektimet në letër kanë qëllim të marketingut dhe se nuk janë të realizueshme, vlerësojnë ekonomistët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button