Beqiri: Deklarata e Menduh Thaçit, skandaloze

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Galip Beqiri, i ka quajtur skandaloze deklaratat e kreut të Partisë Demokratike Shqiptare(PDSH), Menduh Thaçi, i cili ka thënë të shtunën se kryeministrat Rama dhe Thaçi në takimin e Prizrenit janë fokusuar vetëm në gjendjen e shqiptarëve në Luginë, duke harruar 1 milion shqiptarë në Maqedoni.

Beqiri ka deklaruar për “Zërin” se kreu i PDSH-së mesiguri ka harruar se në Luginë të Preshevës shkelen drastikisht të drejtat e shqiptarëve nga qeveria e Serbisë, përderisa në Maqedoni shqiptarët janë popull shtetëformues.

“Shqiptarët janë udhëheqës në pozita të larta në qeverinë e Maqedonisë, përkatësisht zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, ndërsa shqiptarët në Serbi udhëheqin vetëm më dy komuna, përkatësisht me Preshevën dhe Bujanocin”, shprehet Beqiri.

Sipas kreut të KNSH-së, shqiptarëve në Serbi u nevojitet më shumë se kurrë ndihma e dy qeverive shqiptare, përkatësisht asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, për shkak të diskriminimit që bënë qeveria e kryeministrit Ivica Daçiq dhe tërheqja e një paralele mes pozitës së shqiptarëve në Maqedoni dhe në Serbi është e padrejtë.

Beqiri poashtu ka vërejtje të shumëta rreth ndarjes së fondit prej 100 mijë euro për Luginën nga kryeministrat Rama dhe Thaçi, pasi që, sipas tij, një fond i tillë jo vetëm që është i pamjaftueshëm për maternitetin në Preshevës, por është edhe qesharak.

Qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë, sipas Beqirit, do të duhej ta krijonin një fond të posaçëm për Luginën e Preshevës, në të cilin do të mund të konkurronin me projekte në infrastrukturë, zhvillim ekonomik, arsim, kulturë, shoqëri civile, etj.

” Kjo formë e krijimit të Fondit është më reale, sepse në këtë mënyrë të gjitha shtetet në rajon i stimulojnë pakicat e tyre kombëtare”, është shprehur Beqiri./zeri

Lajme të ngjashme

Back to top button