Filloi rikonstruimi i Teatrit në Shkup

Më në fund do të fillojnë punimet për rikonstruimin detal të Teatrit Shqiptar në Shkup.

Pas 40 vitesh në godinën aktuale, 8 milion euro do të investohen për një objekt të ri dhe modern për djepin e kulturës shqiptare në Shkup. Këtë projekt të ministrisë së kulturës, i cili është në vazhdën e rikonstruimit të shumë teatrove në vend, e përuruan sot zyrtarët më të lartë qeveritarë, vet kryeministri Gruevski dhe zv/kryeministri Musa Xhaferri.

Fillimin e punimeve, Gruevski e përshëndeti edhe në gjuhën shqipe.

“Për fat të keq ky teatër, si edhe teatrot e tjerë në vend, në periudhën e kaluar punonte në kushte të mbaruara, të cilat nuk i plotësonin kriteret elementare. Për këtë shkak me kërkesë të Teatrit Shqiptar dhe me përkrahje të Qeverisë, në këtë periudhë filluan përgatitjet për realizimin e një projekti të madh kapital… Ju qoftë me fat rikonstruimi i Teatrit Shqiptar, ku shpresoj sa më shpejt të shihemi në hapjen solemne të njëjtit. Ju faleminderit”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.

“Menjëherë, që nga nesër fillohet me rikonstruimin e plotë. Shpresoj se artistët do të jenë të kënaqur nga Teatri Shqiptar, me gjithë atë që do të ndërtohet në aspekt të kushteve teknologjike dhe komoditetit që do të shfrytëzojnë në këtë objekt”, deklaroi Elizabeta Kançevska Milevska, Ministre e Kulturës.

Objekti i teatrit shqiptar deri tani ishte në shfrytëzim edhe për artistët e teatrit turk. Për ta tani do të ndërtohet objekt i ri, që do të shfrytëzohet vetëm për shfaqjet në gjuhën turke. Ndërkohë deri në përfundim të punimeve të teatrit shqiptar, nuk dihet se ku do të vazhdojnë shfaqjet në gjuhën shqipe.

“Ne do të duhet të shpërngulemi bashkërisht. Ideja është që mund të shkojmë në teatrin e vjetër të Teatrit Popullor Maqedonas, dhe eventualisht shfaqjet tona të repertorit të jenë në kordiminim edhe me institucionet e tjera teatrore”, u shpreh Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar.

Në objektin e ri të Teatrit Shqiptar do të ndërtohen 2 salla të mëdha për shfaqje dhe hapësira të tjera administrative. I gjithë rikonstruimi i teatrit shqiptar duhet të përfundojë në shtator të vitit 2015 dhe do të kushtojë rreth 8 milion euro, para të ndara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë./alsat

Lajme të ngjashme

Back to top button