S H P I R T R O B I

Para dy javësh shkruajta për shpirtshiturit – për koqen me qelb dhe të pa-Atdhe të Konicës, për ufot pa gjuhë hyjnore Nëne, pa shenjtëri të qëndrueshme…; për hafijet që stolisin surratet me simbole etnie, po kanë për idhuj ekselencat që fyejnë barbarisht Flamurin kombëtar; për batakçinjtë e pabesë dhe rriqnat e ndyt, që fashitin vullkanet e kombit, sepse i kanë zët vijat dalluese që na i fali Zoti, si gjithë të tjerëve. Sot, ndërkaq, po them dy fjalë për shpirtrobërit – këta pobratinë memecë dhe pjellë shpirtshiturish, hafijesh e mashash të hueja.

Është histori e gjatë sindromi i shpirtit të robit. Atë e kanë portretuar me shkrime të dhimbshme pothuajse gjithë Rilindësit, të cilët e kuptuan dëshpërimisht se armiku i shqiptarëve janë shqipfolësit shpirtshitur, që kanë sy e nuk shohin, që kanë gojë e nuk flasin, që kanë vesh e nuk dëgjojnë, që kanë mend e s’kuptojnë gjë prej gjëje. Të tillët janë qenie hermafrodite, kalkulues interesesh meskine, mat-e-shmatës, kreh-e-mos-këputës, konformistë, konjunkturistë, thupra gardhesh të hueja, pjesë kopeshë amorfe, eunuhë pa kod identitar.

Ileti i shpirtit të robit sulmon njësoj individin dhe kopenë e deleve të (t)ulta të Perëndisë, me bosht poroz drejtëpeshimi dhe kurrize pa palcë.

Shpirtrobi është purtekë e trembur kush e di prej kujt dhe kush e di prej kur. Frika i lexohet në fytyrë dhe në dritën e shkërmoqur të bebzave të syrit. Ai është sejmen i shpirtshiturve te të cilët ka varur strajcat tingall të shpresave për ditë më të bardha.

Shpirtrobi është heroi ynë budallë që vret vëllanë për pikën e qejfit, ama xhi t’bojsh kur bën zort zaman në pefekturat ku ndahet misri i Migjenit. Aty është tuts mjeran, shëmtia e gjesteve majmunore.

Shpirtrobi bëhet me rehati flegmatiku pjesë e ekspeditave të diabolizimit, depersonalizimit, tjetërsimit nga trungu gjenealogjik, nga shenjat e natyrshme dalluese, sepse ashtu e do shpirtshituri, sepse (këtë e kanë thënë të mençurit): një komb inferior dhe i kompleksuar në të gjitha aspektet e mundshme, është i prirur të kërkojë shpëtim në gjirin e atyre që i koncepton më të fuqishëm se vetvetja. Jo rastësisht shqipfolësit, më shumë dhe më turpshëm se kushdo tjetër, kërkojnë baballarët aty ku nuk i kanë, duke e justifikuar këtë me tërtevërte kalamajsh.

Shpirtrobi është i kompleksuar dhe fatalist. Inferioriteti i tij ndjehet në gjuhë, në sjellje, në veshje, në kulturë, në kthim prapa në kohën e gurit te rrasa e varrit kolektiv. Ai nuk do kallauz për ta njohur, sepse të kallëzon vetë…

Shpirtrobi është statist burlesku, ku (thotë poeti Xhevdet Bajraj):  liliputë më të vegjël se kaka e tyre bëjnë yrish ta shpëtojnë dynjanë nda fundi i hurdhës septike.

Shpirtrobi e do demokracinë vetëm pse i lejon të ushtrojë zejen antikombëtare të  zuzarëve, të valëvisë me shkëpurdhje flamurin e tjetrit. Ai është ushtar revolucionesh verbale që ka në shpirt diktaturën e shpirtshiturit që ia siguron tagjinë. Ai është foshnje që nuk rritet, malukat mikroskopik që s’e ka për marre të vozitet nga i rrjepti e i shqepti.

Shpirtrobi jeton me thërmijat që ia qet në pjatë shpirtshituri – bossi i honorareve fijengatërruara si lesh-arapi, prej të cilit tutet tej çdo kufiri që mund të merret me mend, njësoj si prej prometejëve që ia ofrojnë zjarrin e shpëtimit nga katandisja në gjynaf. I metamorfozuar në zullu, atij s’i bën përshtypje qiriri i Naimit, Nositi i Lasgushit, Plugu i Konicës… Ata s’ia lëvizin damarët e atrofuar. Ai ka për idhull vetëm baltën e baltës, mjerimin me përmasa oqeani, shpirtin adhurimtar të kurgjësë. Ai është borxhli i përhershëm ndaj më të fortit, pa çka se në magje nuk ka miell për bukën e gojës.

Kohë pas kohe shpirtrobi duket sikur del nga lëkura me zgjebe, por: jo. Ai e bën këtë vetëm nga frika e cunamëve që mund ta godasin në kapërcyejt e ndërrimit të pushteteve, kur është duke ndjekur si minjtë lëvizjet milimetrike të tërmeteve shoqërore, duke soditur drejtimin e erës, duke kapur kursin e ri, duke u rireshtuar në korre çafkash, kur dresohet qençe nga prindërit jobiologjikë, kur bëhet mashë mercenarësh, rekrut i përdorshëm, letër higjenike, kur metastazon në shtrungë bij-skllevërish që nuk e duan dhe nuk e meritojnë lirinë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button