Tramp në telashe, Klinton ndërton avantazh +6%

Klinton ka avantazh të konsiderueshëm, por nuk ka vend për rehati. Gjasat për fitore të Trampit janë dyfish më të mëdha se gjasat e Shkëndijës për të fituar Gentin në lojën e parë

Anketat para dhe pas konventave. Në fund të korrikut të dy partitë kanë mbajtur konventat e tyre ku kanë nominuar kandidatët për president dhe me këtë përfundimisht fillon fushata zyrtare për zgjedhje të presidentit të ardhshëm të SHBA-ve. Por konventat nuk kanë kaluar njëlloj për të dy partitë, siç mund të shihet nga gjendja e garës tani në muajin gusht.

Para konventave Klinton ka patur një avantazh të vogël në anketa, që është rrotulluar rreth 2-3%. Konventat, me gjithë fokusin mediatik në to, zakonisht ju japin kandidatëve një shtytje të lehtë. Ashtu ka ndodhur edhe këtë vit. Pas konventës republikane, që u mbajt e para, Tramp është ngritur në anketa dhe ka barazuar, madje ka tejkaluar Klintonin. Por situata e këtillë nuk ka zgjatur shumë. Menjëherë pas konventës demokrate dhe ekspozimit mediatik të Klintonit ajo ka rikthyer avantazhin. Ç‘është më e keqja Tramp më pas ka bërë një seri gafesh duke i mundësuar Klintonit të zgjerojë avantazhin, i cili tani është mbi 6%.

Anketat sipas modeleve të ndryshme. Numri i madh i anketave që publikohen çdo ditë në SHBA, e që shpesh janë madje kontradiktore, mund të dezorientojë edhe njohësit më të mirë të politikës ditore. Më lehtë dhe më saktë është të ndiqen agregatet e anketave që publikojnë sajte të ndryshme, secila sipas metodave të veta. Më të popullarizuara dhe po të njëjtat që ndjekim në këtë blog janë RealClearPolitics (RCP), HuffPost dhe projekti 538. Ja gjendja momentale e garës sipas këtyre modeleve:

Modeli Tramp Klinton Diferenca
RCP 41.2% 47.0% Klinton +5.8
HuffPost 39.6% 48.2% Klinton +8.6
538 48.0% 43.9% Klinton +4.1
Gjasat – bastoret 79% 21%

 

Modele të ndryshme japin rezultate të ndryshme, varësisht nga anketat që përfshijnë dhe mënyrat e gjetjes së mesatares së tyre. Sajti 538 si zakonisht është më konzervativ pasi përfshin dhe elemente tjera dhe në vend të situatës momentale të garës jep rezultatin e pritshëm në ditën e zgjedhjeve. Sido që të jetë duket qartë se Klinton ka ndërtuar avantazh të lartë për rrethanat amerikane, gjë që i jep gjasa tejet të mira për fitore. Siç shihet në tabelë atë e favorizojnë dhe bastoret duke i dhënë gjasa 79% (apo koeficient 1.27) përderisa Tramp ka vetëm 21% (apo koeficient 4.76).

Megjithatë këto nuk janë shifra për rehati të Klintonit. Gjasat e Trampit janë përafërsisht të njëjta me gjasat që një basketbollist mesatar të humbë gjuajtjen e lirë, apo dyfish më të mëdha se gjasat që Shkëndija të fitonte dje Gentin.

Një situatë e ngjashme paraqitet edhe nëse në anketa përfshihet kandidati i tretë, libertariani Geri Xhonson. Ja modelet me Xhonsonin në garë:

Modeli Tramp Klinton Xhonson Diferenca
RCP 37.1% 42.9% 8.6% Klinton +5.8
HuffPost 35.6% 42.5% 8.8% Klinton +6.9
538 48.0% 43.9% 6.8% Klinton +4.1

 

Në total duket sikur Xhonson ka mbështetje rreth 7-9%. Ç‘është më e rëndësishme për garën, ai si duket merr numër të njëjtë votuesish si nga Trampi ashtu dhe Klintoni. Kjo do të thotë se Klinton ruan avantazhin e madh kundrejt Trampit edhe me Xhonsonin në garë.

Anketat në shtetet kyçe. Në sistemin politik amerikan mbështetja në nivel nacional nuk do të thotë asgjë. Presidenti zgjidhet nga kolegji elektoral, ndërsa kandidati që fiton një shtet i merr të gjithë elektorët e atij shteti, pa marrë parasysh margjinën e fitores së tij. Pasi e shumta e shteteve votojnë përherë për njërën apo tjetrën parti, beteja kryesisht zhvillohet për 6-7 shtetet në mes, posaçërsisht në Ohajo dhe Florida.

Lajm i mirë për Klintonin është se ajo udhëheq në të gjitha këto shtete. Ja avantazhi i saj sipas modelit 538:

Shteti Diferenca
Florida Klinton +1.8
Ohajo Klinton +1.5
Pensilvania Klinton +4.8
Virxhinia Klinton +6.4
Nevada Klinton +2.9
Ajova Klinton +1.3

 

Më tutje. Trampit i kanë mbetur dy muaj e gjysmë deri në zgjedhjet e përgjithshme për të përmbysur këtë avantazh të madh të Klintonit. I ballafaquar me dështim ai këtë javë ka ndërruar menaxhmentin e fushatës së tij, por kjo nuk do t’i ndihmojë nëse ai personalisht nuk rritet si kandidat.

Ndërkohë gjasat më të mira për të bërë ndonjëfarë kthese janë tre debatet presidenciale dy muajt e ardhshëm. Faktor komplikues mund të jetë kandidati i tretë Xhonson, i cili mund të marrë pjesë në debate nëse kalon 15% në anketa.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button