UT mbyll të gjitha drejtimet e disperzuara në Shkup, maturantët ankohen

Maturantët janë shqetësuar kur kanë parë se në Shkup Universiteti i Tetovës nuk ka shpallur konkurs për regjistrim, ata janë konfuz dhe nuk e dinë se çfarë po ndodh. Nga UT konfirmuan se nuk do të ketë sivjet student të rinj, duke mos treguar arsyen përse.

“Njëjtë sikur drejtimet tjera, janë në pauzë. Ata që veçmë kanë filluar do të vazhdojnë, por nuk do të kemi student të rinj për këtë vit”, tha për Portalb, zëdhënësi i UT-së, Selam Sulejmani.

Nxënësja Merita Elezi nga Shkupi e cila sivjet përfundoi shkollën e mesme, thotë se ajo dhe shoqëria e saj janë habitur kur u kanë thënë që në UT në Shkup nuk ka konkurs.

“Ne që ishim shoqëri shkuam në UT për të parë drejtimet dhe për t’i dorëzuar dokumentet për regjistrim por na thanë që sivjet nuk ka konkurs. Çka do të thotë kjo, që nuk do të ketë asnjë drejtim sivjet në Shkup? Nuk e di jemi shum konfuz”, tha për Portalb, Elezi.

Besmir Hoxha po ashtu maturantë shprehet se kjo nuk është e drejtë dhe se mbyllja e drejtimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në shkollimin e shqiptarëve në Shkup.

“Jo të gjithë kanë kushte që të regjistrohen në Universitete private apo të udhëtojnë për në Tetovë. Shpresojmë që drejtimet do të hapen sepse duke pasur parasysh krizën që po përjetojnë shqiptarët, shumë e vështirë do të bëhet që të përfundojnë fakultetin. Nuk e di pse po na e bëjnë këtë, do të na dëmtojnë shumë”, tha ai për Portalb.

Maturanti Enis Idrizi thotë se ata ende shpresojnë që kjo çështje do të rregullohet.

“Ne nuk do të rimë duarkryq, do të mblidhemi dhe ta diskutojmë këtë çështje dhe do të kërkojmë sërish të hapen drejtime. Kjo është absurde, nxënësit qe duan dhe janë të mirë me mësime por nuk kanë kushte, do të ngelin në shtëpi apo të studiojnë maqedonisht? Si duket këtë duan ata që e kanë menduar këtë ide ‘brilante’, për mbylljen e dyerve për studentët shkupjan”, tha Idrizi.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti shprehet për Portalb se me këtë rast mbetet të thuhet sipas tij “Mos i fal o Zot, sepse e dinë se çfarë po bëjnë!”

“Dikur kam menduar se dështimet janë vetëm si rezultat i paditurisë së tyre, kam menduar se nuk i kuptojnë proceset. Tani është e qartë se dështimet e tyre janë si pasojë e të qenurit peng. Pra, për fat të keq ne jemi pengu i pengut! Dhe me këtë rast mbetet të thuhet: Mos i fal o Zot, sepse e dinë se çfarë po bëjnë! Këtë akt e kam kritikuar që në momentin kur për nevoja të defokusimit të opinionit, në mungesë të projekteve të realizuara e shpallën me pompozitet sikur bëhet projekt madhor. Në fakt tani del edhe më keq sa që e paralajmëruam! Çfarëdo që të themi nuk ndryshon me këtë klasë politike!”, tha për Portalb, Rushiti.

Në vitin akademik 2012/2013, në UT në Shkup u hapën 14 drejtime, ndër të cilat ishin: Programi studimor Informatikë, Programi studimor Kimi-Fizikë, Programi studimor Biologji, Programi studimor Matematikë, Programi studimor Psikologji
Filologji orientale, Programi studimor Gjuhë dhe letërsi angleze, Programi studimor Gjuhë dhe letërsi gjermane, Drejtimi gjyqësor, E drejta ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, Studime në gazetari, Studime në shkencat politike, Drejtimi ekonomi dhe biznes, Administratë biznesi, por për shkak të kushteve të pa përshtatshme, këto drejtime filluan që të ndërpriten duke u cilësuar kështu si në pauzë, me ç’rast studentët disa herë ngritën zërin për rihapjen e tyre, mirëpo kërkesa e tyre ishte e kotë, një gjë e tillë nuk u realizua.

Ndryshe nga atëherë, në vitin akademik 2015/2016 numri i drejtimeve u ul në 9, me çrast kishte 640 vende të lira për vitin e parë, edhe atë Informatika në gjuhën angleze në Shkup 60 studentë, Matematika në financa dhe biznes në Shkup 60 studentë, Ekologji – Shkup 60 studentë, Studime të disperzuara për filozofi në Shkup 70 studentë,
Studime të disperzuara për gjuhë dhe letërsi franceze në Shkup 50 studentë, Studime të disperzuara për gjuhë dhe letërsi italiane në Shkup 50 studentë, Studime të disperzuara të drejtimit të jurisprudencës në Shkup 120 studentë, Studime të disperzuara për gazetari në Shkup 70 studentë, Studime të disperzuara për biznes administratë në Shkup 100 studentë./ Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button