Nevoja për Universitetin Nënë Tereza? Ministri me përgjigje konfuze!

Shumë pyetje të rëndësishme, në lidhje me Universitetin “Nënë Tereza”, në drejtim të ministrit të Arsimit, Pishtar Lutfiu kanë hasur në përgjigje konfuze nga vet ministri Lutfiu. Në kushte ende të panjohura dhe kuadër profesional ende të panjohur, ende s’ka garantues në kualitetin e këtij Universiteti. Madje, studentët e interesuar nuk dinë as kur do të mund të fillonin vitin akademik, e këtë nuk e dinë as vetë prijësit e projektit, raporton Portalb.

Në pyetjen se pse ky veprim i ngutshëm për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza”, kur kemi parasysh se ende nuk ka kushte të mirëfillta për të nisur viti akademik, ministri me përgjigje të prerë: “Nevoja konkrete është nevoja për kualitet”.

Ministri i Arsimit si duket nuk është i informuar mirë me punët në UT, sepse në pyetjen se a po bëhet kurban UT-ja, sepse disa drejtime të disperzuara janë mbyllur, për të hapur një Universitet të ri, ai tha se në UT janë shtuar drejtimet.

“Mesa jam i informuar dhe mesa e di unë në UT- janë shtuar degët; Pedagogjiku dhe Teknologjiku, nuk janë shkurtuar”, deklaroi ai.

Informacionin se nuk ka konkurs për studentë të rinj në drejtimet e disperzuara në Shkup për Portalb e ka konfirmuar zëdhënësi i UT-së, Selam Sulejmani.

“Njëjtë sikur drejtimet tjera, janë në pauzë. Ata që veçmë kanë filluar do të vazhdojnë, por nuk do të kemi student të rinj për këtë vit”, tha ai.

Universitetit Nëna Terezë i është ndarë toka e kazermës “Ilinden” dhe në ndërkohë është duke u bërë parapërgatitje për planin.

“Me buxhetin e 2017, besoj, do të fillojnë edhe ndërtimet vitin e ardhshëm për objektin. Shpresoj se javën tjetër do të kemi diçka më konkrete. Jemi në presion të kohës dhe jam duke insistuar që kjo punë të mblidhet një herë e përgjithmonë. Pas zgjedhjes së stafit akademik ata propozojnë anëtarë për Senat, Senati zgjedh rektorin, pastaj Universiteti shpall konkursin”, theksoi ministri mes tjerash.

Ai është zotuar se do të shfrytëzojë rastin që të bëjë një propagandë për studentët që duan të regjistrojnë shkencat teknike. Ministri porosit studentët të kenë durim se shumë shpejt do fillojnë me punë.

Ministri Lutfiu ka informuar se objekti i përkohshëm të jetë në ish Bankën Komerciale. “Unë kam propozuar në Qeveri për objektin e ish Bankës Komerciale, është kati i dytë. Në bisedime e sipër komisionet amë kanë pasur propozime tjera për disa alternative. Unë me qëllim për t’i ikur barrë së qirasë kam propozuar një objekt shtetëror, ku nuk kemi qira”, potencoi ai.

Në pyetjen e Portalb se a po krijohet pabarazi në mes studentëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, sa u përket kushteve në arsimin e lartë, ministri me përgjigje:

“Ne kemi një Universitet të Tetovës me një godinë shumë prestigjioze. Kemi UEJL që ka kushte shumë të mira, tash po bëjmë përpjekje që edhe në Universitetin Nëna Terezë të kemi kushte të mira dhe normale. Kjo është detyra jonë”.

Universiteti “Nënë Tereza” do të hap 84 vende pune, 5 fakultete dhe 14 programe./Portalb

LEXO: Shumë drejtime në “pauzë”, dështim i sistemit të disperzuar të USHT-së

LEXO: Studimet e disperzuara, populizëm i dëmshëm

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button