Maqedonia më keq punët me Bullgarinë se me Greqinë

Marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes janë më të ndërlikuara se sa me Greqinë. Ish Ministri i Parë i Jashtëm i Maqedonisë Denko Maleski u shpreh skeptik për mundësinë e ngrohjes së marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes pas vizitës së një dite më arë të shefit të diplomacisë bullgare Kristian Vigenin. Sipas Maleskit, klasa politike në Maqedoni nuk është e ndërgjegjshme për seriozitetin e marrëdhënieve tona me Bullgarinë.  
 
“Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë konsideroj se janë më të ndërlikuara se sa marrëdhëniet me Greqinë. Prandaj deklaratat optimiste të dy ministrave se është arritur progres në drejtim të firmosje së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nuk përkojnë me realitetin. Në këtë rast kemi të bëjmë me shfaqje naiviteti nga ana e të dy ministrave ose bëhet fjalë për mungesë të njohurive”, theksoi ish Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Denko Maleski.  

Çështjet e hapura mes dy vendeve fqinje janë shumë serioze dhe ato nuk mund të kapërcehen as me thellimin e bashkëpunimit tregtar, apo projektet e tjera infrastrukturore vlerëson për Portalb, Maleski.

“Kam frikë se këto aktivitete nuk do të mjaftojnë që në fund të vendoset firma në një marrëveshje për fqinjësi të mirë, pasi politika bullgare gjithashtu pret zgjidhjen e temave historike dhe të atyre që lidhen me identitetin. Ne shtiremi se ato nuk ekzistojnë por për fat të keq këto tema na imponohen edhe në marrëdhëniet maqedonase-bullgare dhe jo vetëm në marrëdhëniet greko-maqedonase”, shtoi Maleski.

Nga ana tjetër qëndrimi dukshëm më pak entuziast i Ministrit të Jashtëm Nikolla Poposki nga ai i homologut të tij Bullgar Vigenin, lidhur me ecurinë e bisedimeve mes Shkupi dhe Sofjes, buron nga mungesa e vullnetit të palës maqedonase për arritjen e marrëveshjes.
 
“Bullgaria e ka shprehur shumë herë vullnetin në kontaktet me qeverinë e Shkupit, lidhur me bisedimet për arritjen e një marrëveshje të fqinjësisë së mirë. Vizita e Vigenin, edhe sot e tregoi këtë gatishmëri, edhe pse Shkupi Zyrtar nuk shprehu asnjë entuziazëm. Kujtoj se, që para se Ivanovi të vinte president, Maqedonia shkeli rëndë ndjenjat e Bullgarisë, në një situatë që e detyroi Sofjen të kontestonte edhe kombin maqedonas. Fushata e pushtetit për ‘uzurpim’ heronjsh ndezi mjaft konflikte, dhe sot Shkupit, sigurisht nuk i vjen mirë të gëlltisë atë që pati pështyrë përgjatë viteve të fundit”, thekson për Portalb, Admir Qose, analist.
 
Kompleksiteti i çështjeve të hapura mes dy vendeve fqinje si dhe mungesa e vullnetit politik nga ana e Shkupit zyrtar, nuk lënë hapësirë që Marrëveshja për fqinjësi të mirë të arrihet në një periudhë të shkurtër.

“Unë nuk mendoj se së shpejti mund të nënshkruhet ajo marrëveshje për fqinjësi të mirë. Pala maqedonase, ministri maqedonas mbase këtë çështje e kupton dhe e prezanton më shumë si teknike, por për fat të keq në fund do të dëshmohet se ajo nuk është vetëm teknike por se ka tema nga historia të cilat bullgarët do të kërkojnë që të zgjidhen përpara se të vijë te deri nënshkrimi i marrëveshjes”, theksoi Ish Ministri i Jashtëm i Maqedonisë Denko Maleski.   
“Arritja e marrëveshjes nuk mund të paragjykohet, pasi është vullneti i Shkupit ai që përcakton fatin e marrëveshjes. Sa më shpejt që Shkupi të pastrojë marrëdhëniet me Bullgarinë, aq më shpejt do të shikohet marrëveshja. Autoritetet deri tani janë treguar të ngurta në shpalosjen e arritjeve, dhe kjo e bën të paqartë vizionin dhe datën për arritjen e marrëveshjes. Kam përshtypjen se periudha e ‘heshtjes’ në të cilën Maqedonia ka hyrë me Greqinë, tani gjatë presidencës në union, reflekton një rënie intensiteti edhe me marrëdhëniet me Bullgarinë”, u shpreh Admir Qose, analist.
 
Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristian Vigenin, duke komentuar marrëdhëniet mes Shkupi dhe Sofjes, u shpreh se muajt e fundit është treguar progres në dialogun që zhvillojnë dy venet në kuadër të arritjes së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, dhe se shpejti pret që dialogu të jap rezultate konkrete. Por një qëndrim të tillë nuk e mbështeti kolegu i tij maqedonas. Shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki  u shpreh se progres paraqet vetë ekzistimi i komunikimit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button