Biden: Kosova nuk ka rrugë prapa, formimi i “Asociacionit” i domosdoshëm

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, porositi sot në Prishtinë se populli amerikan do të vazhdojë të mbështesë Kosovën. Biden pas takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku mbajtën një konferencë për mediat, duke theksuar se suksesi i Kosovës, është sukses pjesërisht edhe i vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA)

Nënpresidenti amerikan tha se është i kënaqur nga përparimi që është arritur në Kosovë nga vizita e tij e fundit në vitin 2009. Ai tha se në Kosovë është për të marrë pjesë me familjen në ceremoninë emërtimit të rrugës me emrin e djalit të tij të ndjerë, dhe se është një prind krenar meqë djali i tij ka qenë më i mirë se ai.

Por përveç kësaj ceremonie, Biden theksoi se në Kosovë është edhe për shkak se SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën.

“Kur kam qenë këtu herën e fundit kam thënë se demokracia e juaj promovon stabilitetin rajonal”, tha Biden dhe theksoi se për pavarësinë e Kosovës nuk ka kthim mbrapa, dhe se është i vetëdijshëm se është dashur të merren edhe disa vendime të rënda për të shkuar përpara. Ai lavdëroi presidentin e Kosovës që respektoi viktimat serbë të vrarë në vitin 1999 në Lipjan, si dhe fëmijët e vrarë në Gorazhdec në vitin 2003.

Nënpresidenti amerikan theksoi se në takimin me kryeministrin Isa Mustafa dhe presidentin Thaçi është biseduar për domosdoshmërinë e dialogut me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe për domosdoshmërinë e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe do të jetë i vështirë, por është i domosdoshëm për juve, ky është përparimi bazë i Kosovës dhe integrimi i plotë i Kosovës dhe Serbisë në Evropë”, porositi Biden, duke shtuar se për këtë në Beograd ka biseduar edhe me kryeministrin serb Vuçiç. Më tej ai theksoi se në Kosovë duhet të kryhen reforma në gjyqësor dhe se lufta kundër korrupsionit doemos duhet të jetë efikas, sepse korrupsioni është kancer i një shoqërie që pengon investimet. Po ashtu theksoi se është shumë me rëndësi zhvillimi ekonomik dhe se SHBA-të në këtë plan ndihmojnë Kosovën. “SHBA-të kanë dhënë thuajse 2 miliardë dollarë ndihmë dhe do të vazhdojmë edhe më tej të ndihmojmë Kosovën”, tha Biden.

Ai porositi se Kosova nuk është vetëm dhe se ka miq nga e mbarë bota, porse nuk ka mik më të mirë se SHBA-të. Uroi Kosovën edhe për luftën e suksesshme kundër largimit të qytetarëve kosovarë në fushëbeteja të huaja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se vizita e nënpresidentit Biden është nder i madh për Kosovën. Ai theksoi se Kosova është e sigurtë për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së dhe se Kosova ka bërë hapa të rëndësisheme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut në Bruksel.

Në kontekst të fqinjësisë së mirë, Presidenti Thaçi porositi qytetarët e Kosovës se “pa miratimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe formimin e Bashkësisë së komunave serbe, Kosova mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota, pa miqtë si SHBA-të dhe BE-në.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button