Të vërtetat rreth ngjarjeve në Turqi

Të lodhur nga grushtet e shtetit dhe lojërat qeveritare të kurdisur në kurriz të tyre, turqit do të zgjidhnin në vitin 2002 në krye të tyre, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit aktual, Rexhep Tajip Erdogan. E vendosur në dy kolona, partisë së Erdoganit i ka ngelur vetëm “Zhvillimi”, ku investimet e mëdha kanë përmirësuar ndjeshëm jetesën e turqve, ekonomia është rritur dhe Turqia renditet tashmë si një ekonomi e fuqishme në rajon dhe botë, ndërsa kolona tjetër, “Drejtësia”, është cënuar ndjeshëm sidomos pas 17 dhjetorit, ku qeveria ka guxuar të ndërhyjë duke i shkarkuar apo ndryshuar vendin e punës dhjetra drejtorëve te policisë dhe më shumë se 1 700 policëve.

Aksioni i 17 dhjetorit, i inicuar njëkohësisht në kryeqytetit financiar turk, Stamboll si edhe në atë administrativ, Ankara, rezultoi me ndalimin e djemve të tre ministrave të qeverisë së Erdogan si edhe shumë biznesmenëve të tjerë. Mes biznesmenëve të arrestuar është edhe Reza Zarrab, një multimiliarder iranian vetëm 29 vjeç. Zarrab, një biznesmen ari, dyshohet se ka pastruar nëpërmjet bankës “Halk Bank” plot 85 miliardë dollarë para të naftës iraniane duke rezultuar kështu me shkeljen e embargos ndërkombëtare që SHBA dhe BE i kanë vendosur këtij shteti. Drejtorit të këtij të fundit iu gjeten 4.5 milionë euro para të thata CASH të futura në kuti këpucësh. Barcaletat me këto të fundit janë bërë ndër më të pëlqyeshmet tashmë në Turqi. Policia zbuloi gjithshtu gjatë aksionit në shtepinë e djalit të ministrit të Brendshëm, plot 1.5 milionë dollarë, tre kasa ruajtje parash si edhe tetë makina numërimi parash. Po ashtu media publikoi foto të njërit prej djemve të ministrave bashkë me familjarë të tjerë shoqëruar me charter nga Reza Zarrab për Umre në Arabinë Saudite.

Përballë një skandali të tillë (Jo surprizë, pasi shërbimet sekrete e kishin lajmëruar më parë për veprimtarinë e ministrave), Erdogan zgjodhi rrugën e shtrëngimit të radhëve të të tijve dhe jo të distancimit nga e keqja. Me një fjalor kërcënues, Erdogan foli për një puç të mirëorganizuar që atij po i bëhej nga të njëjtët aktorë që sipas tij kishin shkaktuar protestat e parkut Gezi, fuqitë e huaja përfshirë SHBA-të dhe Izraelin si dhe lobet e kredisë, por kësaj radhë i duhej edhe një armik i brendshëm. Ajo do të ishte Levizja Hizmet.

Pa kaluar as 12 orë nga aksioni, ministria e Brendshme pushoi apo u ndryshoi vendin e punës thuajse të gjithë krerëve të policisë turke duke i cilësuar ata si “njerëz të Hizmetit”. Në media përflitet se në zyrën e kryeministrit gjendet një listë prej 4 000 emrash të punonjësve të sektorit publik edhe këta, të etiketuar si “njerëz të Hizmetit”.

Shkarkimet prekën edhe skuadrat që kryen aksionet ndaj djemve të ministrave, madje këta të fundit u ndëshkuan me urdhër të vetë ministrit të Brendshëm, Muammer Gyler, me arsyetimin se duhej t’a vinin atë në dijeni se po i hetonin djalin. Shumë prokurorëve gjithashtu iu ndryshua vendi punës. Në këtë mënyrë, qeveria parandaloi fazën e dytë të arrestimeve të planifikuara nga prokuroria disa ditë më vonë, të cilat dyshohet se shkonin deri tek djali i Kryeministrit Erdogan, Bilali.

Gjuetia për “njerëzit e Hizmetit” vazhdon në polici, ndërsa është shtrirë edhe në sektorë të tjerë, siç është televizioni publik, nga i cili gjithashtu janë shkarkuar drejtues. Pavarësisht shkarkimeve në masë në polici, aksionet e arrestimeve për korrupsion tek zyrtarët e lartë të adminstratë turke vazhduan, duke vërtetuar se ndalimet nuk lidheshin me levizje apo persona të caktuar, por me zbatimin e ligjit nga funksionarët e policisë dhe drejtësisë.

Aktualisht, Turqia është kthyer në një shtet, ku ligji nuk zbatohet nëse bëhet fjalë për njerëz të afërm të qeverisë. Nën justifikimin e “puçit”, Erdogan ka vendosur nën kontrollin e qeverisë drejtësinë duke urdhëruar madje edhe transferimin dhe uljen në detyrë të prokurorëve që urdhëruan arrestimet në 17 dhjetor.

Përse AKP thotë se arrestimet po i bën “Hizmeti”?
Kryeministri Erdogan ka qeverisur gjithmonë duke pasur përballë gjithmonë një “armik”. Fillimisht ai u investua fort kundër regjimit të gjeneralëve, si përgjegjës të grushteve të shtetit të përgjakshme në Turqi. Burgosja e tyre i dha atij shumë pikë në sytë e popullit. “Armiku” i radhës do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe i ashtuqujajturi “Lobi i fajdes”, të cilët u akuzuan nga ai si organizatorë të protestave për parkun “Gezi”.

Sigurisht, përfshirja në korrupsion e djemve të ministrave dhe dyshimi për të njëjtën vepër penale për shumë anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar është një barrë e rendë për një qeveri të ardhur me kartën e Islamit dhe si e tillë, duhej gjetur një armik edhe për këtë rast. Duke shfrytëzuar faktin se dashamirës të Hizmetit gjenden në pozicione të ndryshme të organeve qeverisëse turke, kryeministri Erdogan akuzoi këta të fundit për përgatitjen e një puçi ndaj qeverisë, tashmë në bashkëpunim edhe me SHBA-të dhe Izraelin.

Orë pas ore dalin detaje të reja nga zhvillimet që kanë rrjedhur pas arrestimeve të 17 dhjetorit, të cilat zbulojnë fakte të ndryshme. Një prej tyre tregon se në fakt, përfshirja e ministrave në çështje korruptive nuk ka qenë një informacion i paditur për Erdoganin. Media publikoi një raport të shërbimit sekret, MIT, të tetë muajve më parë, në të cilin specifikohej se dy nga ministrat ishin përfshirë në një aferë me biznesmenin iranian, Rreza Zarrab. Ngjarjet po zhvillohen shumë shpejt në Turqi, aksione të tjera arrestimesh priten, po ashtu edhe shkarkime policësh dhe transferime prokurorësh.

Lëvizja Hizmet, larg politikës dhe pranë njerëzve
E udhëhequr nga idetë e klerikut mysliman Fethullah Gylen, Hizmeti është një levizje në fakt e frymëzuar nga idetë e një prej dijëtarëve më të mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, Said Nursi. Lutja e tij: “Zot, më mbro nga djalli dhe politika”, është ajo që udhëheq sot marrëdhënien e Hizmetit me partitë politike dhe qeveritë në Turqi dhe kudo në botë.

“Hizmeti” i ka qëndruar larg partive politike dhe qeverive pavarësisht faktit se mendimet e Gylenit mund të kenë ndikuar miliona persona nga shtresa të gjëra të shoqërisë, gjë e cila mund t’i japte atij komoditetin e hapjës së një partie. Qëllimi nuk është marrja e pushtetit, por ndryshimi i shoqërisë, shmangia e barrierave në komunikimin ndërmjet individëve, heqja e paragjykimeve fetare, rracore, klasore, formësimi i një lloj tjetër njeriu, i cili në një dorë do të ketë dijen dhe në dorën tjetër principet njerëzore. Të gjitha këto, synohet që të arrihen nëpërmjet rritjes së nivelit intelektual të njeriut duke luftuar injorancën.

E fokusuar tek arsimimi i shoqërisë, dialogu ndërfetar dhe ndërkuluturor të shoqëruara këto me principet bazë të njerëzimit, “Hizmeti” është një levizje ndërkombëtare e shtrirë tashmë në më shumë se 160 vende të botës. Mijëra institucione arsimore siç janë për shembull edhe kolegjet “Gylistan” në Shqipëri apo “Jahja Kemal” në Maqedoni, spitale, qendra trajnimesh, konvikte, qendra kursesh, jetimore, menca të ushqimit falas për të varfrit, qendra të dialogut dhe njësi të ngjashme në shërbim të njerëzve mbajnë firmën e Hizmetit në të gjithën botën.

Levizja Hizmet nuk funksionon si organizatë dhe nuk ka një numër të listuar anëtarësh. Biznesmenë, nëpunës të ulët, të mesëm dhe të lartë, individë të ndryshëm etj., të frymësuar nga mësimet e Gylenit, ofrojnë mbështetjen e tyre morale, materiale, financiare por edhe duke u vënë vetë në dispozicion për të realizuar idetë e tij në shërbim të shoqërisë. Si e tillë, gjithkush mund të marrë pjesë në këtë levizje pa qenë në mënyrë të mirëfilltë, anëtar.

Simpatizantët e levizjes gjenden në shtresa të ndryshme të shoqërisë, të administratave të vendeve të ndryshme, në krye të bizneseve apo pjesë e tyre, në polici, ushtri, në drejtësi, janë avokatë, financier, mjekë, infermier, mësues, inxhinierë, punëtorë të thjeshtë, bujq, në punë dhe pa punë. Mijëra dashamirës të kësaj levizje janë sot nëpër 160 vende të botës duke shërbyer nëpër shkolla, jetimore, konvikte, spitale apo qendra të ndryshme të ndodhura orë të tëra udhëtimi me avion larg shtëpisë së tyre.

Rigjykimi i gjeneralëve dhe aleanca me PKK-në
E gjendur përballë skandalit të korrupsionit të qeverisë së saj si edhe frikës se në ditët në vazhdim do të kishte arrestime të tjera VIP për këtë vepër penale, por edhe para zgjedhjeve lokale të marsit, AKP me mediat pranë qeverisë zgjodhën strategjinë e devijimit të vëmendjes nga çështjet e vjedhjes, pastrimit të parave të Iranit apo favorizimi i kompanive të caktuara nëpërmjet marrjes së rryshfetit duke akuzuar dhe shpifur se në fakt vala e arrestimeve bëhej për qëllime politike. Të gjithë më radhë, drejtuesit më të lartë të partisë duke filluar nga Kryeministri Erdogan akuzuan Levizjen Hizmet si nismëtarja e këtyre arrestimeve me qëllim vënien e qeverisë nën presion dhe mundësimin e humbjes së zgjedhjeve lokale në mars 2014. Në shërbim të këtij dezinformimi është edhe një grup i posaçëm gazetarësh të mediave pranë qeverisë, të cilët në bashkëpunim me shërbimet sekrete publikojnë në mënyrë periodike materiale për të kompromentuar individë të caktuar në drejtësi dhe polici, përfshirë edhe prokurorët që kryen aksionet e arrestimeve duke, i cilësuar ata si “njerëz të Hizmetit”.

Na kuadër të shpërqendrimit të vëmendjes së publikut, por edhe ruajtjës së pushtetit, Erdogan po përpiqet të krijojë një aleancë të madhe kundër arrestimeve duke kërkuar fitimin e simpatisë së pjesëve të caktuara të shoqërisë. Ai vetë dhe këshilltari i tij kryesor, Yalcin Dogan u deklaruan pro një procesi gjykimi ndaj gjeneraleve të burgosur për grushtet e shtetit të përgjakshme në Turqi, duke theksuar madje se ata ishin arrestuar me fakte të kurdisura. Në këtë mënyrë, përveç mbështetjes së ushtrisë, Erdogan kërkon të fitojë edhe simpatinë e një pjesë të votuesve të majtë në Turqi. Gjykatat ndërkohë liruan disa deputetë të burgosur të partisë kurde BDP, ndërsa ai po përpiqet të marrë rreth vetes edhe separatistët kurd të PKK-së, përgjegjës për vrasjen e 40 mijë personave gjatë tre dekadave të fundit në Turqi. Para Erdoganit, Turqia konsiderohej një shtet që udhëhiqej me ligje të rrepta, kurse veprimet e këtyre ditëve ndaj prokurorisë, gjykatave, policisë si edhe shkarkimet në masë të të ashtuquajturësve “njerëz të Hizmetit” duket se po e fusin atë në kushtet e një drejtimi sërish të rrepte, por tashmë pa ligje.

Izolimi i Erdoganit dhe iranizimi i Turqisë

Nëse do të bëhej një fotografi e drejtuesve dhe qeveritarëve të AKP-së gjatë mandatit të parë dhe të dytë të saj me ditët e sotme do të vërehen ndryshime të mëdha. Emra të shquar të kësaj partie në fillimet e saj, ose janë larguar fare ose janë menjanuar dhe nuk kanë zë në vendimarrje. Erdogan ndërkohë ka larguar këshilltarët e vjetër duke marrë që nga viti 2010 një grup të ri, të cilët njihen në publik për afërsitë e tyre me Iranin. Thyerja e embargos së SHBA-së dhe BE-së ndaj Iranit ishte ndërkaq aksioni ndaj drejtorit të “Halk Bank”, Suleyman Aslan, të cilit iu gjeten 4.5 milionë euro të futura në kuti këpucësh. Hetimi tregoi se nëpërmjet kësaj banke bëhëshin pagesat për shkëmbimet tregtare midis Iranit nën embargo ndërkombëtare dhe Turqisë. Rreza Zarrab njihet gjithashtu edhe si kontribues i rendësishëm me qindra milionë dollarë në shoqatën e drejtuar nga djali i kryeministrit Erdogan, Bilal Erdogan.

Irani e ka rritur ndjeshëm prezencën e tij në Turqi kohët e fundit edhe nëpërmjet bizneseve. Embargoja ndaj ekonomisë së këtij shteti ka bërë që kompanitë iraniane të hapin gjatë periudhës 2010-2013 më shumë se 1 600 kompani, të cilat ushtrojnë aktivitet thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë turke. Të dhënat zyrtare tregojnë se që nga viti 1953 dhe deri në 2010-en, numri i kompanive iraniane që ushtronin aktivitet në Turqi ishte 530. Ndërkohë, vetëm në tre vjet, ai deklarohet të ketë shkuar në 2 116 të tilla. / Klajdi Sela / http://www.albeu.com/bota/te-vertetat-rreth-ngjarjeve-ne-turqi/137398/

Lajme të ngjashme

Back to top button