Fatmir Besimi: Maqedonia nuk rrezikohet nga rikthimi i vizave

Maqedonia nuk rrezikohet nga rikthimi i regjimit të vizave, pavarësisht mekanizmit të miratuar nga BE-ja në fillim të vitit. Zv/kryeministri Fatmir Besimi siguroi se qeveria ka marrë masa për parandalimin e vënies në funksion të këtij mekanizmi nga ndonjë shtet i Bashkimit Evropian. Madje, edhe në rast të paraqitjes së fluksi të ri të emigrantëve, Besimi shpjegon se vendit i lihet hapësirë për një kohë të caktuar për të zgjidhur situatën.

Sipas rregullores së BE-së, mekanizmi vendoset individualisht nga ato shtetet të BE-së që mund të preken nga fluksi i emigrantëve ose azil-kërkuesve, dhe jo në rang unioni.

 “Nëse vende të caktuara kanë sfida të tilla ato mund të vendosin viza në aspekt bilateral, paraprakisht duke paralajmëruar vendin përkatës që të ndërmarrë masa konkrete. Prandaj kjo, si mundësi dhe mekanizëm është risi në BE, por ka mekanizma të cilat i paraprijnë këtij procesi deri sa një vend të marrë një vendim të tillë. Kjo vlen edhe për Maqedoninë, sidomos me vendet ku në të kaluarën ka pasur fluks më të madh emigrantësh, mirëpo Maqedonia i ndërmerr të gjitha masat me qëllim që në mënyrë preventive të reagojë të mos ketë situata të tilla bilaterale me cilin do vend të BE-së”, tha sot për mediat zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi.

Edhe pse ministri siguron, megjithatë rreziku nuk është i largët. 

“Ka një numër vendesh anëtare që këto vitet e fundit vazhdimisht janë ankuar se ka probleme me të cilat duhet të përballemi dhe kjo nuk është e re, vijon e njëjta situatë. Shqetësimi i disa vendeve anëtare qëndron tek tendenca që nuk po ulet në mënyrë bindëse. Kjo është diçka që Komisioni po e sheh sistematikisht përmes sistemit të monitorimit dhe vlerësimit, i krijuar posaçërisht për të parë se cila është situata dhe se ku jemi”, deklaroi Michele Cercone nga Komisioni Evropian. 

Lajme të ngjashme

Back to top button