Jankullovska: Për incidentin në Bit Pazar përgjegjësinë do ta mbajnë shitësit

Ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska në një deklaratë për televizionin Alsat, ka bërë të ditur se të vetmit që do të bartin përgjegjësi për incidentin në Bit Pazar janë shitësit, të cilët do të përballen me padi penale. 

“Jemi nga fundi në zbardhjen e rastit. Do të ngrihen padi adekuate kundër personave që penguan personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare. Prokuroria pastaj do të vendosë se çfarë do të ndërmarrë ndaj këtyre personave”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Gordana Jankullovska u shpreh se “rreth të gjitha veprimeve të pjesëtarëve të policisë, ne po vërtetojmë ligjshmërinë ose paligjshmërinë e përdorimit të armëve të zjarrit. Nuk janë konfirmuar shkelje nga ana e policisë, por është konfirmuar se një grup i dhunshëm tentoi pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Por rregullorja për përdorimin e mjeteve të dhunës dhe armëve të zjarrit specifikon qartë rastet kur duhet dhe kur nuk duhet të përdoren ato. Rrethanat në të cilat është përdorur arma e zjarrit në Bit Pazar bien në kundërshtim me nenin 26 të kësaj rregulloreje, ku thuhet se “nuk përdoret armë zjarri nëse me atë akt vihet në rrezik jeta e qytetarëve të tjerë,  fëmijëve e të moshuarve, nëse këta persona nuk rrezikojnë jetën e personit zyrtar apo personave të tjerë, me armë zjarri ose mjete të tjera të rrezikshme”.

Lajme të ngjashme

Back to top button