Teuta Arifi takohet me Edi Ramën

Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi gjendet për vizitë pune në Republikën e Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme, kryetarja Arifi u takua kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama me ç ‘rast u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në sfera të ndryshme  si dhe shkëmbimit të përvojave dhe realizimit të projekteve të përbashkëta në nivel lokal.

Kryetarja Arifi përshëndeti mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës që do të mbahet nesër në Prizren dhe uroi jetësimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve të nënshkruara si dhe thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit ndërsa kryeministri Rama shprehu gatishmërinë për të ndihmuar komunën e Tetovës në realizimin e  projekteve të planifikuara zhvillimore në sferën e menaxhimit të pushtetit lokal, urbanizmit, arsimit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik.

Në korniza të vizitës së punës në Tiranë kryetarja Teuta Arifi takoi presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në rajon si dhe procesin e integrimit rajonal si parakusht për integrimin e Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian. Presidenti Nishani ritheksoi përkrahjen që Republika e Shqipërisë ofron ndaj proceseve integruese nder shqiptarë si dhe politikave progresive që bëhen në dobi të kombit shqiptar.

Gjatë ditës së sotme , kryetarja Teuta Arifi do të zhvillojë takim me krye bashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha me të cilin do të bisedojë për mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe bartjen e përvojës së Tiranës në sferën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik, transportin publik dhe menaxhimin e sistemit të integruar për grumbullimin e mbeturinave.

Lajme të ngjashme

Back to top button