Gostivar, filloi manifestimit “Flaka e Janarit 2014”

Në prag të 17 janarit të vitit 2014, datë që përkon me 32 vjetorin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kardi Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, në organizim të Shoqërisë Kulturore Artistike “Lulet e Malësisë”, në Gostivar për të nëntin vit me radhë do të mbahet manifestimi tradicional “Flaka e Janarit 2014”. 

Në një konferencë për mjetet e informimit, Këshilli organizativ shpalosi agjendën dhe programin e manifestimit. 

Luan Veliu, kryetar i Këshillit Organizativ, dhe Sh.K.A “Lulet e Malësisë”, tha se nga sot ndizen flakadanët e Flakës së Janarit këtu në Gostivar, qytet ky i cili tashmë është një hallkë e fortë zinxhirore që përkon me gjitha manifestimet që mbahen gjithandej trojeve dhe diasporës shqiptare.     

“Kësaj radhe mysafirë që e kanë konfirmuar ardhjen e tyre dhe që do të evokojnë mbi jetën dhe veprën e dëshmorëve, kemi nga Kosova z. Emrush Xhemailin dhe z. Gafur Elshanin. Nga Kërçova kemi z. Fatmir Limani dhe nga Tetova rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, z. Vullnet Ameti. Të gjithë këto i pret, nikoqiri i qytetit të Gostivarit, kryetari i Komunës, z.Nevzat Bejta. Deri tani, këtij manifestimi i kanë ardhur edhe dy telegrame përshëndetëse. Në pamundësi që të jenë të pranishëm, njëri telegram vjen nga mërgimtarët që veprojnë në Zvicër dhe që janë të inkuadruar në shoqatën “Kadri Zeka”, e nënshkruar nga Agim Shabani. Telegrami tjetër ka ardhur nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë i cili përfaqëson edhe Kosovën në Bosnje e Hercegovinë, z. Flamur Gashi”, tha kryetari i këshillit organizativ, Luan Veliu, duke vazhduar se edhe kësaj radhe pjesë e organizmit do të jenë edhe ditët e homazheve, një praktikë e ndjekur nga viti i parë i organizimit të manifestimit në qytetin e Gostivarit. “Nga dita e shtunë, trupi organizativ do të fillon homazhet duke u nisur nga Gostivari dhe rrethina, në varrezat e fshatit Kollare në Kërçovë, dhe në Tetovë. Ditën e diel më 12 janar, do të shkohet në Gjilan, Prizren, Pejë e kështu me radhë”, tha Veliu. 

Imran Zhupani nga këshilli organizativ e shpalosi agjendën dhe programin e manifestimit, që do të mbahet me 16 Janar me fillim në ora 19:00, në Qendrën për Kulturë në Gostivar. 

“Pjesë e këtij manifestimi do të jetë ekspozita e disa dokumenteve të shkruara, revista dhe pamflete të ndryshme të botuara në periudhën e viteve 1980 deri vitin 2000, të cilat atë kohë kanë qenë si veprimtari e ilegales shqiptare në diasporë, dhe që janë shpërndarë në mënyrë të fshehur. Pjesa artistike e programit do të përfshinë referatin kushtuar tre dëshmorëve, do të ketë një monolog, si dhe tre pika të ndryshme muzikore”, theksoi anëtari i këshillit organizativ, Imran Zhupani. 

Kryetar i Këshillit Organizativ dhe i Sh.K.A “Lulet e Malësisë”, Luan Veliu tha se këtë vit Gostivari dhe Flaka marrin frymë më lirshëm, nga dy aspekte. “Nga njëri aspekt, ka mbështetjen e fortë të komunës së Gostivarit, dhe aspekti tjetër ndërlidhet me organizimin. Si bashkë organizatorë të manifestimit kemi edhe mediumet që veprojnë në Gostivar, duke u nisur nga Tv2, Tv Globi, Radio Vala dhe gazeta Koha dhe sigurisht edhe Qendra për Kulturë në Gostivar”, tha Veliu.

Lajme të ngjashme

Back to top button