Lufta në Alepo, Rusia: Luftojmë bashkë me SHBA

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë bashkëpunimit në aksione ushtarake kundër militantëve në Alepo. Kështu shkruajnë agjencitë ruse të lajmeve duke cituar ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, transmeton Top Channel.

Luftimet për kontrollin e qytetit të ndarë me dy milion banorë, janë ashpërsuar gjatë javëve të fundit dhe rebelët që luftojnë kundër qeverisë kanë shënuar progres. Rusia mbështet Presidentin sirian Bashar al Asad, ndërsa SHBA kërkon largimin e tij. Por të dy superfuqitë po zhvuillojë bisedime për të gjetur një zgjidhje politike për luftën civile.

“Jemi në një fazë shumë aktive negociatash me kolegët amerikanë. Po i afrohemi gjithnjë e më shumë një plani, vetëm për Alepon, që do të na mundësojë të nisim të luftojmë bashkë për të sjellë paqen, në mënyrë që njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre në këtë zonë të trazuar”, citohet Shoigu nga agjencia ruse Ria.

Të pyetur nga mediat, zyrtarët amerikanë thanë se nuk kanë asnjë koment për të bërë, por theksuan se mbeten në kontakt të ngushtë me zyrtarët rusë. Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po përpiqet që të arrijë një marrëveshje për ndalimin e luftimeve në Siri në bashkëpunim me Rusinë.

Beteja për Alepon është shndërruar në një prej konflikteve urbane më shkatërrimtare të kohëve moderne dhe sipas analistëve, fuqitë e mëdha, në veçanti Rusia, po vihen para presionit të madh që të ndërhyjnë bindshëm dhe t’i japin fund luftës civile që vazhdon prej më shumë se 5 vjetësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button