Kinezët, turistët më të mëdhenj

Plot 98 milionë turistë kinezë janë larguar nga vendi më 2013, 14 milionë më shumë se në vitin paraprak, sipas të dhënave zyrtare të Administratës Kombëtare të Turizmit të Kinës.

Pekin – Pothuajse 100 milionë turistë kinezë kanë vizituar vende të huaja vitin e kaluar, dhe ata pritet të zgjerojnë epërsinë e tyre si turistët më shpenzues në botë, ka raportuar AFP, të enjten.

Gjithsej 98 milionë turistë kinezë janë larguar nga vendi më 2013, 14 milionë më shumë se në vitin paraprak, ka raportuar gazeta shtetërore kineze China Daily, duke cituar të dhënat zyrtare nga Administrata Kombëtare e Turizmit e Kinës. Shifrat po ashtu kanë theksuar rritjen e shpejtë të numrit të kinezëve që udhëtojnë jashtë, numri i të cilëve ishte vetëm 29 milionë në vitin 2004.

Ekskursionistët kinezë kanë harxhuar 102 miliardë dollarë jashtë vendit më 2012, duke u bërë shpenzuesit më të mëdhenj në botë, para turistëve gjermanë dhe amerikanë, dhe është pothuajse e sigurt se ata e kanë thyer rekordin e 2012-s më 2013, ka thënë raporti i hulumtueses Song Rui.

Ekonomia e Kinës ka lulëzuar gjatë dekadës së kaluar, duke rritur numrin e njerëzve të shtresës së saj të mesme, të cilët janë të etur për udhëtime jashtë vendit pas dekadave të izolimit në vend në shekullin e kaluar. Bashkimi Evropian dhe vendet aziatike kanë lehtësuar procedurat për aplikim për viza për turistët kinezë në vitet e fundit, të cilët shpenzojnë shumë për qejfet e tyre.

“Turistët kinezë shpenzojnë aq shumë jashtë vendit, saqë disa të huaj po na quajnë neve ‘kuleta me këmbë’”, ka deklaruar Song, hulumtuese në Akademinë Kineze të Shkencave Shoqërore.

Hotelet, dyqanet dhe ndërmarrjet e tjera gjetiu në botë i kanë rritur përpjekjet e tyre për t’i joshur vizitorët kinezë. Qendra e njohur e madhe tregtare Harrods në Londër thotë se tani ka 70 pjesë të stafit të saj që e zotërojnë gjuhën mandarine, dhe më shumë se 100 terminale të bankës China Unionpay, që mundësojnë realizimin e pagesave të drejtpërdrejta nga llogaritë bankare kineze.

Kohë më parë, Administrata Kombëtare e Turizmit e Kinës e ka publikuar një “Udhëzues për Turizëm të Civilizuar” prej 64-faqesh – me ilustrime për të shoqëruar listën e saj të veprave të lejuara dhe të ndaluara. Turistët kinezë nuk duhet të kruajnë hundën në publik, të urinojnë në pishina apo të vjedhin jelekët e shpëtimit nga aeroplanët, kanë paralajmëruar autoritetet e brengosura për imazhin e vendit në përpjekjen e fundit të tyre për të luftuar sjelljet e pahijshme. (Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button