104 vjet nga Çlirimi i Shkupit dhe 83 vjet nga atentati ndaj Hasan Prishtinës

Në 104 vjetorin e Çlirimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, dhe në 83 vjetorin e atentatit ndaj prijësit të kësaj kryengritjeje, atdhetarit Hasan Prishtina, sot një delegacion nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (SHHSHM) dhe Mehmet Prishtina, vunë kurora lulesh para përmendores së Hasan Prishtinës në Shkup. Delegacioni i SHHSHM-së udhëhiqej nga kryetari Skender Asani dhe historiani Nebi Dervishi, kurse përpos Mehmet Prishtinës, jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës e nderuan edhe veprimtarët Sylë Zhitia nga Kosova, Ibrahim Kolari nga Shoqata “Vatra” në SHBA, Memedali Ahmedi nga Shoqata “Makoval” në Belgjikë, veprimtari Sazan Papraniku, historiani Arben Llalla, etj.

Kryetari i SHHSHM-së, Skender Asani, tha se “Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 ishte ngjarja e veçantë, sepse ishte me artikulim të qartë politik që deri atëherë nuk kishte ndodhur me kryengritjet e mëparshme. Vitet 1912-1933 janë vite kur Hasan Prishtina zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike, diplomatike dhe arsimore kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare dhe jashtë saj”. Sipas tij, këto data janë momente frymëzimi edhe për gjeneratat e ardhshme, që të veprojnë në përputhje me aspiratat shekullore kombëtare të shumicës së shqiptarëve gjithandej trojeve etnike.

Ndërsa, Memet Prishtina, pasardhës i familjes së Hasan Prishtinës, tha se prania e kësaj figure historike me këtë përmendore në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, në Shkup, reflekton shqiptarizëm gjithandej trojeve shqiptare. “Hasan Prishtina deshti që pikërisht në Shkup, në këtë kryeqendër të Dardanisë dhe të Vilajetit të Kosovës, të përfundojë rrumbullakimi i konceptit të Rilindjes Kombëtare, andaj çdo përvjetor që shënojmë këtu, na shkakton emocione të veçanta, dhe na obligon që gjithmonë ta mbajmë ndezur frymën e vërtetë kombëtare, frymën hasaniste”, u shpreh Mehmet Prishtina.

Më 12 gusht 1912, hynë mijëra kryengritës shqiptarë në Shkup, me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, e shumë të tjerë. Kjo ngjarje madhore i dha shtytje përfundimit të procesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që përfundoi me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Hasan Prishtina (1873-1933), deputet, aktivist dhe prijës i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912, luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Ai u vra në një atentat në Selanik, më 13 gusht të vitit 1933.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button