Teknologjitë po zhdukin përrallën si mënyrë e zhvillimit mendor

Hulumtuesja dhe shkrimtarja shqiptare me origjinë nga Korça, por që jeton në Gjermani, Juliana Janku në një intervistë për Anadolu Agency flet për dashurinë e saj për përrallën e cila si e tillë e ka dërguar në shtete të ndryshme në kërkim të tregimeve të cilat fatkeqësisht kanë ngelur vetëm në gojëdhëna të pazbardhura në letër.

Ajo tregon se pasioni i saj për përrallën është nga gjyshja dhe stërgjyshja e saj të cilat me tregimet e tyre e kanë magjepsur duke ja bërë të dashura përrallat.

Pas promovimit të librit “Përralla nga sënduku i gjyshes” vitin a kaluar, Juliana së fundmi ka qëndruar në Shkup, për të cilin qytet thotë se ka Çarshinë si një nga vendet që dashuron më së shumti në Ballkan, por para se gjithash thotë se ka ardhur për të gjetur atë thesar të vogël të përrallave që qëndron i fshehur diku në këtë vend.

Këto treva të shqiptarëve, thotë Janku, duke iu referuar Maqedonisë dhe Kosovës janë të pasura me përralla, por ankohet në mentalitetin e mbyllur të shqiptarëve që ja vështirësojnë punën.

“Pasuri mendoj se ka shumë, por mentaliteti i shqiptarit është pak sa i mbyllur dhe është e vështirë që të hyjë në këtë fushë. Megjithatë përpjekjet e mia nuk po reshtin dhe mendoj se në një moment do hyjë në gjirin e kësaj toke. Përralla nuk ka të bëjë vetëm me stilin, ka të bëjë me origjinalitetin dhe unë e dashurojë atë, thjeshtë atë që mund të bëjë është të hedh pak sheqer, pak ëmbëlsirë nga sipër”, rrëfehet Janku e cila për vete thotë se përdorë origjinalitetin gjatë të shkruarit të përrallës, që sipas saj është çelësi i suksesit.

Përralla është gjendja e parë emocionale e një fëmije sepse përmes saj fëmijës i shtohet frika ose trimëria, ose i jepen virtyte duke zhvilluar edhe fantazinë e fëmijëve dhe pikëpamjen për një situatë, thotë Juliana Janku, e cila shpreh shqetësimin për përdorimin e tepërt të teknologjive bashkëkohore të cilat përmes lojërave po privojnë fëmijët nga përrallat.

“Ato nëna të cilat e kanë nivelin pak më të lartë se nënat e zakonshme, mundohen që të mos japin këtë frymë tek fëmijët e vet, por mundohen të ndikojnë përmes përrallës, librit dhe me kulturë. Ka nga ato nëna që kanë para ose janë të ngarkuara me karrierën e tyre dhe nuk kanë kohë të merren me fëmijën duke ia lejuar atij lojërat kompjuterike për të qenë e qetë. Fatkeqësisht ka shumë nga ato nëna që nuk kanë kohë ti kushtojnë familjes”, shprehet e shqetësuar Janku.

Sipas saj, fëmijët që kanë dëgjuar përralla janë tipa social dhe aktiv, ndërsa fëmijët që merren vetëm me lojëra kompjuterike nuk janë të afirmuar në jetën e përditshme dhe më vonë shfaqin tipare egoiste.

Aktualisht ajo është e vetmja femër shqiptare që merret me punë hulumtuese që kërkon sakrificë si në aspektin kohorë ashtu edhe në atë financiar. “Mundohem që përrallën që e sjell para publikut të jetë origjinale dhe patjetër të ketë emër poshtë kush e ka treguar si dhe origjina e përrallës se nga ku ka ardhur”, thotë ajo.

Janku shprehet se për të zbuluar një përrallë nuk është patjetër të udhëtoni enkas për zbulimin e tyre, sepse ndonjëherë mjaftojnë edhe vizitat private për çka shpalosë detaje nga një vizitë private në Turqi që kishte rezultuar shumë frytdhënëse nga aspekti i zbulimit të disa përrallave të vjetra turke.

“Kur isha për vizitë te një mike në Turqi, atje ishin mbledhur fqinjat e saj, përderisa po flitnim për përralla njëra nga zonjat duke u lavdëruar tha se di shumë përralla, madje shumë, dhe ato ishin përralla të vjetra të cilat më vonë i përktheva me mikeshën time, dhe ky qe suksesi i asaj mbrëmjeje”, tregon Janku e cila nga ajo mbrëmje kishte dalë më e pasur për pesë përralla që sipas saj është një sukses i madh.

Pas Shkupit, destinacioni i Juliana Jankut është Tirana, ndërsa siç rrëfen për AA, produkti i radhës i saj është një libër fabulash ku kafsha flet dhe përdorë forcën për të treguar urrejtjen, dashurinë , mirësjelljen, pasi siç thotë letërsia shqiptare është pak sa e varfër në këtë drejtim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button