Paralajmërohet bllokimi i autostradës tek ura e Drinit dhe te tuneli i Kalimashit

Qindra banorë të Kukësit, të rinj të organizatave rinore, por edhe ato të forumeve partiake në opozitë, por edhe në qeveri, kanë manifestuar të premten në mesditë kundër taksës prej 5 eurosh të paralajmëruar për drejtuesit e automjeteve që do të qarkullojnë në Rrugën e Kombit.

Manifestimi i protestës ka nisur nga sheshi qendror i qytetit të Kukësit për të vijuar në këmbë drejt urës së Drinit të Zi dhe më pas në autostradë. Ndërkohë që si pasojë e këtij manifestimi janë shkaktuar vonesa në trafik, ndërsa policia kishte marrë të gjithë masat që protesta të mos dalë jashtë kontrollit, transmeton Koha.net

Folësit në këtë protestë kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare që të heqë dorë nga koncesioni, duke e cilësuar atë si një nismë të çmendur të qeverisë. Ata kanë kërcënuar për bllokim të urës së Drinit, tunelit të Kalimashit deri në mosbindje civile.

“Ne po protestojmë, se nuk do të lejojmë që qeveria të na fusë duart në xhepa. Ne nuk jemi popull që nënshtrohemi. Protestat do të vijojnë me bllokimin e urës së Drinit të Zi. Sot ishte një protestë paralajmëruese dhe nëse nuk do fitojmë kauzën tonë do ta vazhdojmë edhe me mosbindje civile dhe me bllokimin e tunelit të Kalimashit”, tha njëri prej organizatoreve të protestës.

Ndërsa kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Njazi Hoxha, Bashkinë e Kukësit e ka cilësuar koncesionin e Rrugës së Kombit si një vjedhje dhe abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe atyre kuksianë në veçanti.

“Jemi kundër dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit. Kjo përbën një krim për qytetarët shqiptarë, për ata kuksianë dhe ato të qarkut Kukës. Ky qark është absolutisht më i persekutuari në shkallë vendi dhe kjo për shkak të politikave dashakeqëse qeveritare. Taksimi i Rrugës së Kombit është papërgjegjësi e qeverisë aktuale. Për këtë taksim nuk ka dalë asnjë projektligj që të miratohet nga parlamenti. Rruga e Kombit është pronë e qytetarëve shqiptarë, nuk është pronë e pushtetarëve. Por më e rëndësishmja është që kjo taksë, ky koncesion është një vjedhje dhe abuzim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti ndaj atyre kuksianë. Jemi të vendosur që kësaj beteje t’i shkojmë deri në fund deri me mosbindje civile të theksuara dhe të vazhdueshme derisa kjo qeveri të heqë dorë nga kjo nismë e çmendur”, tha Njazi Hoxha.

Bërja publike e tarifës së pagesës prej 5 eurosh në autostradën Milot-Kukës-Morin, e gjatë 60 kilometra, më 26 korrik, është pasuar me një debat dhe reagime në Shqipëri, ku më aktive ka qenë një shoqatë biznesi me qendër në Kukës, por edhe banorët e këtij rajoni që preken më shumë nga vendosja e taksës.

Ndërkohë që Ministria e Transporteve në Shqipëri ka përzgjedhur më 22 korrik si fitues të koncesionit për mirëmbajtjen dhe rehabilitim e rrugës Milot-Morin, një bashkim kompanish kryesuar nga shoqëria turke “Vendeka Bilgi”.

Sipas marrëveshjes, automjetet që ofrojnë shërbime publike nuk do të jenë objekt i pagesës. Ndërsa për qytetarët banorë të zonës do ketë diferencime, të cilat do të specifikohen kur të lidhet kontrata. Por një reagim i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), që ka reaguar në lidhje me koncesionin e Autostradës Milot-Morinë, ka shuar shpresat e kuksianëve se do të përjashtohen nga taksat për qarkullimin në autostradë. Duke qenë se IFC¬-ja ka qenë pjesë e konsultimeve për dhënien me koncesion të kësaj autostrade, kjo kompani bëri të ditur se tarifa do të paguhet vetëm në një pikë, në tunelin e Thirrës dhe do të aplikohet një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë të autostradës, ku kishte parasysh banorët vendas. IFC (International Finance Corporation) ka theksuar se tarifa e parashikuar reflekton nivelin e jetesës së popullsisë dhe është më e ulët se mesatarja e rajonit.

Pas publikimit të tarifës për rrugën Milot-Kukës-Morin kanë reaguar shoqatat e biznesit në Kukës. Sokol Kolgjini, kryetar i Shoqatës Biznesi për Biznesin në emër të biznesmenëve dhe tregtarëve kuksianë ka dalë kundër aplikimit të kësaj takse. Sipas Kolgjinit, autostrada është ndërtuar me fonde publike dhe nuk ka argument për taksë shtesë ku për çdo mjet paguajmë taksën e qarkullimit, e cila i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve. Ndërkohë që Rajoni i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit.

Me shoqatat e biznesit është solidarizuar edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu. “Unë jam kundër dhënies me koncesion, sepse tarifa që do të paguhet është e papërballueshme për ne. Kam folur me të gjitha bizneset e vogla që operojnë në Kukës. Ka biznese që sjellin tre-katër makina në ditë për furnizim. Kostoja e tyre, pas pagesës së detyrueshme, do të shkojë 1.200 euro në muaj. Po në vit? Pra një tarifë e papërballueshme për një biznes të vogël që do të sjellë mbylljen e tyre”, është shprehur Shehu. Megjithatë, kryetari i Bashkisë së Kukësit ka vënë alarmin edhe për largimin e turistëve, të cilët nuk do të përballojnë kostot e kësaj rruge. “Kosovarët janë të vetmit turistë që kemi dhe ata nuk harxhojnë shumë. Kjo pagesë do të rrisë koston e udhëtimit dhe do sjellë largimin e tyre nga Shqipëria, drejt vendeve të tjera”, theksoi Bashkim Shehu.

Por pagesa në aksin Milot-Morin dhe më pas në atë Vermicë-Prishtinë do të sjellë probleme edhe në turizmin e fundjavës, ku tashmë nga Kosova ka një trend të ri. Shumë qytetarë nga Kosova kanë blerë banesa në bregdetin e Shqipërisë dhe i frekuentojnë ato gjatë gjithë vitit, në fundjava. Por pagesa këndej dhe andej kufirit do të frenojë në maksimum vizitat në fundjavë në Shqipëri, pasi qytetari nga Kosova do të fillojë udhëtimin në start besoj me minus 20 euro, pasi të fillojë aplikimi i pagesës edhe në pjesën e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button