SOJ FENIKSI

Po ngutej të kthehej në shtëpi nga udhëtimi zyrtar. Vetura e vjetër me vështirësi e arrinte shpejtësinë prej nëntëdhjetë kilometrash në orë, duke lënë pas vetes tym dhe erën e rëndë të naftës së padjegur mirë. I dukej se shtëpitë e fshatrave po ecnin shumë ngadalë pas veturës së tij që shkonte përpara. Dikur nisi t’i numërojë fshatrat që i lente prapa dhe e shikonte matësin e kilometrave në veturë që ta shihte se edhe sa kohë kishte të arrijë në fshat… Më në fund e pa se ishte edhe nja dhjetë kilometra larg fshatit të tij ku e priste gruaja. Po a e priste se? A kishte marrë vesh për rrëmetin i cili e kishte vërshuar fshatin dhe kishte një siguri se e shoqja nuk do ta ketë pësuar. Kur po afrohen në më pak se dhjetë kilometra e la numërimin e kilometrave. I fërkoi sytë nga habia kur e pa fushën që tashmë nuk ishte fushë por një baltovinë nga tregimet e absurdit. Për fat rruga ishte e mgritur mbi ultësirën e fushës dhe vetura mund të vazhdonte rrugën. Por nuk mundi të ecë shumë, sepse edhe rrugën dikur e kishte gëlltitur balta. E ndali shpejtësinë dhe ngadalë e parkoi veturën në anën e djathtë të rrugës së përbaltur. Para tij tash dolën shtëpitë me pullaze të rëna, rrethojat e rrëzuara. “Ah”, bëri, “paskam pasur kot shpresë! Ky realitet nuk i përgjigjet pritjes sime se do t’i gjejë të gjithë shëndosh e mirë”!… I hoq këpucët, i përveshi pantallonat dhe mori të vrapojë. Mirëpo balta që ishte ngjitur për asfalti ishte e rrëshqitshme. Me turrin e parë, u rrëzua. U ngrit dhe ndjeu si e kaploi zjarrmia. Pastaj një lëmsh iu lidh në fyt. Megjithatë mundohej të shpejtojë. Ende ishte larg fshatit dhe priste të dëgjojë një të lehur qeni. Kot.

Derisa ecte e vuri re një re të zezë. E nxori telefonin e xhepit, me të cilin ishte munduar disa herë të kontaktojë me të shoqen dhe e kërkoi edhe një herë. Në vend të përgjigjes fliste automati: “Personi që keni kërkuar nuk ka qasje në rrjetë, ju lutemi kërkoni më vonë”!… Ai i kërkoi kushërinjtë, sepse vëllezër nuk kishte, kurse prindërit i kishte të ndjerë. E njëjta punë. Edhe nga telefonat e tyre “përgjigjej” automati: “Personi që keni kërkuar…”. Duke ecur me mundim dhe me lutje drejtuar perëndisë që ta gjejë të shoqen dhe kushërinjtë me familjet e tyre shëndosh e mirë ai doli në një kodrinë nga ku dukej si në shuplakë fshati i tij. Dukej?… Fshati i tij ishte shndërruar në një kalvar ku njerëzit e kishin pësuar nga rrëmeti, pastaj ky rrëmet i kishte gëlltitur. Nuk kishte lëvizje. Një fshat fantazmë. “O zot”! tha, pastaj  iu lut zotit që t’i jepte qetësi e sabër, t’i jepte forcë që të depërtonte në fshat. Kur u afrua edhe më shumë, e priti një pamëni edhe më e tmerrshme. S’kishte më shtëpi të bukura, me fasada të bëra me shije. “O zot!”, përsëriti. Shikoi kah muret e shtëpive dhe e vërejti një vijë të zezë që e kishte lënë baltovina e cila i kishte bërë kërdinë, duke marrë me vete krevate, kauçë, makina për larje teshash, tryeza, vetura, dhe i kishte bërë grumbuj-grumbuj nëpër skajet e rrjedhës së vet të tmerrit.

Ai mezi priste një zë njeriu. Dhe, thuajse perëndia ia plotësoi dëshirën. Dëgjoi një klithmë që ishte thirrje e pazakontë për ndihmë. Iu afrua ngadalë vendit prej nga vinte zëri. E pa dritaren hapur dhe në dritare një grua plakë. E njohu  plakën dhe iu drejtua me emër, kurse ajo, ajo vetëm përsëriste: “Shpëtona or bir!… shpëtona or bir!…  Kemi mbetur dy pleq brenda”!  Iu afrua derës, por derën e kishte  zënë në veturë e madhe, të cilën rrëmete e kishte mbështetur aty me rrotat ngjitur për dere. U mundua ta largojë veturën, por kjo ishte peshë e madhe.

“Rrini aty, pa merak! Do t’ju nxjerr së andejmi! – tha. Menjëherë iu kujtua gruaja dhe iu mbushën sytë me lot. E vazhdoi rrugën tutje dhe gjithandej situata ishte keq e më keq. Mirëpo rrugës gjeti njerëz të cilët kishin ardhur të ndihmojnë. Kërkesës së tij për t’i shpëtuar pleqtë iu përgjigjën katër burra. E larguan veturën, baltovina u derdh pjesërisht jashtë, kurse tjetrën e nxorën me lopatat që i kishin marrë me vete. U futën brenda i morën pleqtë në shpinë dhe ngadalë dolën jashtë. Pastaj gjithandej shpërndahej vaji për njerëzit që i kishte marrë rrëmeti, për bagëtinë, për fushën. Vazhdoi me ngut, ndonëse zërat dhe vajet iu vulosën në kujtesë dhe ishte i sigurt se ato do ta shoqëronin deri në frymën e fundit. Po thirrja që i bënte vatra me të shoqen brenda ishte vendi ku e ndjente veten të lirë dhe të realizuar. Aty e kishte altarin e të parëve prej nga përhapej ngrohtësia dhe prej nga kumbonin fjalët shqipe të nënës, të cilat i bëhej se dilnin vazhdimisht si flutura krahëshkruara. Dhe, aty e priste e shoqja me të cilën kishin kaluar nëpër golgotë dera e kishin ngritur kulmin e shtëpisë së re mbi themelet e shtëpisë së vjetër.

Ku doli para shtëpisë, e ndali frika se mos e ka pësuar e shoqja. Shikoi me droje rreth e përqark dhe e vërejti se rrëmeti s’e kishte prekur shtëpinë e tij. Zemra nisi t’i rrahë më shpejt. Pastaj u lëshua kah dera. Duke vrapuar e thërriste me emër të shoqen, ndërsa priste më të keqen, e shoqja i doli përpara e verdhë limon në fytyrë. Sa e pa të shoqin ajo u alivanos. “Gruaja ime”, tha, e mori në krah dhe hynë në dhomë. Në frigoriferin e mbetur pa rrymë e gjeti një shishe ujë me gaz. Ia derdhi gjysmën në qafë dhe gruaja erdhi në vete.

Me atë pak ujë që mbeti e poq një xhezve me kafe dhe u ulën me të shoqen të pinë bashkë.

“Shyqyr o zot që u ktheve” i tha ajo.

“Jam më i lumturi në botë që të gjeta gjallë”, tha ai, “por njëherësh jam njeriu më i pafat kur e shoh fshatin kështu”! shtoi. Pastaj shikonin rrëmujën rreth tyre me sytë e mbushur me lot. “Po kushërinjtë? pyeti ai.

Gruaja shpërtheu në vaj. Dhe, duke qarë tregoi se te njëri kushëri kishte ndodhur tragjedi. Familja kishte humbur dy njerëz. I kishte marrë rrëmeti, si edhe disa fshatarë të tjerë!

Ai u ngrit dhe me hapa të shpejt u nis të shkojë kah dera. Pastaj u kthye. Gjatë gjithë kohës ndër mend i shkonin shumë pyetje dhe përgjigje nuk gjente.

Si do të dilet nga kjo rrëmujë, nga ky ankth? pyeti ai.

Ndoshta do të na ndihmojë shteti, tha gruaja.

Ndoshta, ndoshta, tha ai, me një dozë të rrastë të pasigurisë, por edhe me një dozë cinizmi, sepse përvoja nuk i jepte shpresa se pushteti do ta zgjasë dorën e ndihmës. “Por”, mendoi ai, ne s’kemi ku shkojmë. Jemi soj feniksi”…

Ditët që pasuan e vërtetuan në një masë të madhe pasigurinë e tij…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button