Vrasësi i katërfishtë në Korcë: Të dashurës i thashë “ose me mua, ose në varr”

Katër arkivole dje u kallën në dhe në fshatin Gjonomadh të Korçës. Vrasja e dy çifteve brenda një nate kanë lënë pa “frymë” banorët e zonës dhe jo vetëm ata. Të gjithë ishin në dijeni të lidhjes sentimentale mes 40-vjeçarit Bashkim Latollari e nënës së dy fëmijëve, Danjela Muçollari, nga e cila mori shkas masakra. Për lidhjen jashtëmartesore ishte në dijeni dhe bashkëshorti i 30-vjeçares, Belimon Meçollari dhe babai i këtij të fundit. Por kishin heshtur për hir të fëmijëve dhe të kaluarës kriminale të Latollarit, i cili mbrëmjen e së martës u “çmend” dhe bëri masakër. Dje i gjithë fshati ishte në zi. Ndërsa kuja trondiste muret e themelet e banesës së familjes Meçollari.

Tejet i tronditur, 82-vjeçari Neki Meçollari qan për djalin e nusen e vdekur, nuk do t’u besoj fjalëve, por kërkon drejtësi për gjëmën që i ndodhi. Sipas banorëve, por edhe policisë, Bashkim Latollari kishte një lidhje intime me Danjela Muçollarin prej katër vitesh. Mësohet se Latollari pretendonte atësinë e djalit 4-vjeçar të viktimës dhe se më 1 janar ai i kishte kërkuar të dashurës së tij që të divorcohej nga bashkëshorti dhe të martohej me të. Refuzimi i divorcit dhe mohimi i atësisë ka acaruar së tepërmi 40-vjeçarin.

Burimet e mësipërme pohuan se të martën, autori i masakrës (në gjendje të dehur) i ka telefonuar Danjelës duke i kërkuar të takohej, por ajo nuk ka pranuar, madje e ka njoftuar për fundin e marrëdhënies së tyre. “Harroje atë që kemi kaluar. Ne nuk mund të jemi më bashkë. Djali nuk është i yti dhe unë nuk mund të martohem me ty”, i ka thënë 30-vjeçarja. Kaq ka mjaftuar dhe Bashkim Latollari ka marrë pushkën dhe ka vrarë të dashurën e burrin e saj në sy të fëmijëve të mitur. Më pas ai ka shkuar në banesën e çiftit Metollari, të cilët ai prej disa kohësh i akuzonte për prishjen e marrëdhënies me Danjelën.

DËSHMIA E VRASËSIT

Pasi është vetëdorëzuar, Bashkim Latollari ka dëshmuar në polici për vrasjen e katërfishtë. “Unë e doja marrëzisht Danjelën. Kishim katër vite bashkë dhe nuk mund të ndahesha me të. Djali i vogël i saj është i imi dhe për këtë jam i bindur. I kërkova asaj të divorcohej dhe të martohej me mua. Fillimisht nuk më ktheu përgjigje dhe unë po prisja. Por gjithçka u prish nga Rexhep Metollari, daja i Belimonit. Ai dhe bashkëshortja e tij, Valentina ndërhynë dhe prishën lidhjen time, ndaj i vrava. E kisha vendosur, Danjela o do të bëhej e imja, ose më mirë në varr”, është shprehur 40-vjeçari. Dy bashkëshortët Metollari janë varrosur në Korçë. Mësohet se Rexhepi në bashkëpunim me Valentinën në vitin 92 ka mbytur në liqen djalin e xhaxhait të tij pas një konflikti për motive pronësie. Ata u liruan nga burgu vetëm dy vite më parë./ gazetashqiptare

Lajme të ngjashme

Back to top button