fbpx

Mbeturinat ‘dekorojnë’ Universitetin Shën Kirili dhe Metodi (FOTO)

Banorët që jetojnë në rrugën “Otokar Kershovani” e cila ndodhet pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, ankohen nga mbeturinat të cilat nuk mblidhen nga Higjiena Komunale.

“Kjo është e tepër, jemi shumë afër qendrës dhe është turp që të kemi këtë pamje. Është e dëmshme edhe për shëndetin edhe për syrin. Higjiena komunale duhet të ndërmarrë masa sa më shpejt që mundet”, tha një banor i kësaj lagjeje.

Po ashtu kjo pamje irriton edhe studentet të cilët kalojnë nga kjo rrugë pothuajse çdo ditë.

“Nuk e di ku qëndron problemi, tek banorët apo tek institucioni përkatës, por pa dyshim që kjo pamje ta vret syrin dhe është shumë pasqyrë e keqe për qytetin tonë”, tha Aleksandar F., student.

Nga Higjiena Komunale bëjnë të ditur se mbledhja e mbeturinave bëhet me rregull, por nëse ka pasur ndonjë parregullsi ajo do të ndëshkohet.

“Dy herë në javë punëtorët tanë kalojnë nëpër këtë lagje dhe mbledhin mbeturinat nga shportat e plastikës që u ndanë kohë më parë. Nëse është bërë lëshim, dhe në këto rrugë nuk janë mbledhur mbeturinat pa ndonjë shkak apo arsye, atëherë do të ndërmerren masa dhe ndëshkime për fajtorët”, tha për Portalb, Rakip Doçi- drejtor i Higjienës Komunale.

Ai shtoi se ndoshta të pa përgjegjshëm mund të jenë edhe vetë banorët të cilët nuk kanë durim që të presin mbledhjen dhe i hedhin mbeturinat në rrugë.


“Menjëherë do të dërgojmë persona të cilët do të verifikojnë se a janë mbledhur mbeturinat ashtu siç është e paraparë, por më duhet të them se ka edhe banorë të tillë të papërgjegjshëm të cilët nuk kujdesen për mjedisin dhe hedhin mbeturinat më mes të rrugës”, tha Doçi.

Ai bën të ditur se për çdo parregullsi të punonjësve të këtij institucioni, qytetarët mund të ankohen drejtpërsëdrejti dhe do të ndërmerren masat e duhura për zgjidhje të problemeve të ngjashme. 

Lajme të ngjashme

Back to top button