Qeveria turke shënjestron gjyqësorin

Pas përpjekjes për “puç gjyqësor” kundër saj, qeveria e kryeministrit Erdogan synon të fitojë një kontroll më të madh në zgjedhjen e gjyqtarëve nëpërmjet një projektligji të ri.

Partia e kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka dërguar parlamentit një plan për t’i dhënë qeverisë më shumë kompetenca për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në zhvillimin e fundit në luftën e tij kundër një hetimi për korrupsion, ka bërë të ditur Reuters.

Erdogan e ka quajtur hetimin, i cili përbën pa dyshim sfidën më të madhe ndaj qeverisjes së tij 11-vjeçare, si një përpjekje për “puç gjyqësor” të nxitur nga kleriku islamik në azil, Fethullah Gulen, i cili ushtron ndikim të madh, ndonëse të fshehtë, në gjyqësorin dhe policinë e vendit.

Projektligji i ri i partisë qeverisëse AK, i publikuar në ueb-sajtin zyrtar të parlamentit, parasheh ndryshime në strukturën e Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (HSYK), i cili është organ përgjegjës për emërime në pushtetin gjyqësor, të cilin Erdogan e ka kritikuar që kur ka shpërthyer skandali i korrupsionit në dhjetorin e vitit që sapo lamë pas. Ai gjithashtu propozon që ndihmëssekretari i ministrit të Drejtësisë të lejohet të zgjidhet kryetar i bordit të HSYK-së, në një hap që do t’i mundësonte qeverisë turke një kontroll më të madh në zgjedhjen e gjyqtarëve.

“Askush nuk duhet të mbetet i pambikëqyrur. Në këtë vend mbikëqyret kryeministri, mbikëqyren ministrat, mbikëqyren anëtarët e parlamentit, por jo edhe këta zotërinj”, ka thënë Erdogan në një tubim të mbështetësve të tij më 29 dhjetor. “Kjo nuk është në rregull”, ka deklaruar kryeministri.

Erdogan dhe lëvizja Hizmet e Gulenit, e cila ushtron ndikim nëpërmjet një rrjeti të kontakteve të krijuara mbi financimin e shkollave dhe organizatave të tjera sociale dhe mediale, e akuzojnë njëri-tjetrin për manipulimin e policisë dhe gjyqësorit. Hizmet mohon të ketë dirigjuar hetimin.

Qeveria e Erdoganit ka degraduar qindra policë, në mesin e të cilëve komandantë të lartë, që kur skandali i korrupsionit ka shpërthyer më 17 dhjetor me arrestimin e dhjetëra njerëzve, përfshirë biznesmenë të afërt me qeverinë dhe djemtë e tre ministrave të kabinetit qeverisës. Beteja ka rritur shqetësimet për zbehjen e pavarësisë së gjyqësorit në Turqi, e cila në aspektin afatgjatë po ashtu mund të dëmtojë përpjekjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në të ardhmen.

Lajme të ngjashme

Back to top button