Presidenca greke, Maqedonia mund vetëm të ëndërrojë përparimin

Presidenca greke e Bashkimit Evropian, e cila filloi edhe zyrtarisht nuk do të jetë premtuese për procesin euro-integrues të Maqedonisë në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Ne nuk duhet të kemi pritje të mëdha nga Presidenca greke sepse nuk kemi sinjale të tilla. Greqia nuk e ka ndërmend të shfaq angazhim më të fuqishëm për sa i përket integrimit të rajonit ndryshe nga Agjenda e Selanikut e vitit 2003. Prandaj nuk mund të jemi optimist për nxitjen e agjendës evropiane të vendit, përkundrazi gjatë kësaj presidence mund të presim një periudhë më pasive për Maqedoninë”, deklaroi Malinka Jordanova nga Instituti për Politike Evropiane.

Megjithatë për njeriun e parë të euro-integrimeve, zv/kryeministrin Fatmir Besimi, Presidenca greke me BE-në nuk duhet të shihet me pesimizëm përkundrazi siç u shpreh ai për Portalb, “Qeveria do të përqendrohet në reformat dhe do të tregohet e hapur dhe konstruktive për çështjet e hapura me fqinjët”.

Por nga opozita maqedonase, LSDM-ja hedhin dyshime rreth angazhimit të Qeverisë në rrugën evropiane të vendit edhe në periudhën e ardhshme. “Së pari në mars janë zgjedhjet, së dyti nuk do të plotësohen kushtet nga raporti i prillit të vitit të kaluar sepse agjenda ka ngecur plotësisht.  Ka disa çështje që qeveria duhet t’i përmbush sikurse reformat rreth kodit zgjedhor, duhet të zbatohën në praktikë rekomandimet të komisionit hetimor, kushtet rreth ligjit të medieve etj”.  

Sipas kryetares së Këshillit për euro-integrime të LSDM-së Lidija Dimova, arsyetimet e zyrtarëve të qeverisë se agjenda evropiane e vendit do të ngec për shkak të presidencës greke paraqet hedhje hi syve dhe pjesë e lojës të dy partnerëve të koalicionit VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.

Megjithatë, sipas Bojan Mariçiq nga Qendra maqedonase për edukim evropian, qeveria duhet të shfrytëzojë pikërisht këtë mundësi për të përmirësuar klimën e bashkëpunimit me Greqinë.  

“Presidenca nuk është aq e rëndësishme sa është me rëndësi që gjatë Presidencës greke të shfrytëzohet kornize për zgjidhjen e çështjes së emrit pasi në këtë mënyrë Greqisë do t’i shtohej përgjegjësia për procesin e zgjerimit, nëse kemi parasysh se agjenda  e Selanikut qe e iniciuar nga ajo dhe në përgjithësi zgjerimi i Ballkanit Perëndimor shihet si përgjegjësi pjesërisht e Greqisë, do të kishte përgjegjësi të punojë për zgjerim e mëtejshëm të Unionit, sidomos që Maqedonia të bëjë një hap përpara”.  

“Deri më tani Greqia nuk ishte kryesuese e Unionit ne kishim shtete anëtare të cilat ishin të përkushtuara për zgjerimin por nuk arritëm dot të gjejmë ndonjë zgjidhje dhe të bëjmë një hap përpara përkundrazi situata në sferat e tjera përkeqësohet sidomos në pjesën e lirisë së medieve, demokracisë, zgjedhjeve, administratës publike, korrupsionit, sundimit të së drejtës dhe gjykatave etj. Prandaj çështja e emrit nuk mund të jetë arsyetim për këto probleme. Tani duhet të ndërgjegjësohemi se anëtarësimi në BE kërkon nga ne të sillemi serioz dhe të ballafaqohemi me problemet dhe të gjejmë zgjidhje në vend që të drejtojmë akuza dhe shprehim pesimizëm”, shtoi Mariçiq.

Zyrtarë të lartë qeverisë përfshirë Ministrin e Jashtëm Nikolla Poposki, disa herë u shprehën të prerë se Maqedonia nuk duhet të pret lëvizjen përpara të integrimeve në gjashtë mujorin e ardhshëm, përkundrazi se Presidenca greke me Unionin do të lë në qorr sokak integrimet e vendit.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button