Rreth 5 mijë familje janë dëmtuar nga moti i ligë në Shkup dhe rrethinë

Rreth 5 mijë familje prej 12 vendbanimeve në rrethin e Shkupit janë dëmtuar nga moti i ligë i cili ndodhi të shtunën.

Siç kumtoi sot sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujërave, Besir Jashari, ekipet profesionale tashmë janë në terren dhe janë duke e bërë vlerësimin e dëmeve, për të cilat akoma nuk mund të thuhet se sa mund të jenë. Është e sigurt se nuk do të ndikojnë mbi prodhimin bujqësor, ndërsa njerëzit do të dëmshpërblehen në kohë.

Sipas Jasharit, shkak për pasojat nga shiu i rrëmbyeshëm nuk janë kanalet për dërgimin e ujit pasi që ato, përmendi, rregullisht pastrohen, jo vetëm nga Minsitria e Bujqësisë, por edhe nga Minstria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Çdo Ministri vepron sipas planit të përcaktuar dhe dinamikës në kuadër të ingerencave të tyre.

“Shkaku për dëmet nuk duhet kërkuar në rrjetin e kanalizimeve. Kanali nga Gazi Baba drejt Haraçinës është pastruar dhe është duke u pastruar në kontinuitet. Është e qartë se reshjet kanë qenë të mëdha gjë që çon drejt konstatimit se diçka po ndodh dhe për këtë duhet të përgatitemi. Dje dolëm në terren dhe filluam me pastrimin e gjedheve të ngordhura që të mos lejohet përhapja e infeksioneve. Janë duke punuar gjithsej 11 ekipe, shtatë prej Ministrisë së Bujqësisë si dhe katër të Agjencisë për ushqim dhe veterinari”, theksoi Jashari.

Duke nënvizuar edhe njëherë se autoritetet kompetente, në mënyrë maksimale janë të angazhuar, Jashari e theksoi edhe nevojën e ruajtjes së pyjeve pasi që, siç sqaroi, nuk është e njëjtë lëvizja e ujërave kur në sipërfaqe ka drunj duke e pasur parasysh se rrënjët absorbojnë një pjesë të sasive.

“Tani është e rëndësishme të vlerësohen dëmet. Rezultatet e vlerësimit do të dorëzohen në byronë për ekspertiza gjyqësore, do të rishikohen me ç’rast do të pasojë edhe pagesa për shkatërrimin e sipërfaqeve dhe gjedheve. Njerëzit do t’i marrin mjetet, por për fat të keq viktimat nuk mund të kthehen”, nënvizoi sekretari shtetëror Besir Jashari.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button