Qeveria nuk përkthen librat në gjuhën shqipe, vetëm në maqedonisht

Projekti Qeveritar i cili iu nda Ministrisë së Kulturës për përkthimin e 540 titujve nën emrin “Yjet e literaturës botërore”, do të realizohet vetëm në gjuhën maqedonase. Shqiptarët nuk do të pëfitojnë libra në gjuhën amtare edhe pse janë taksapagues në këtë shtet.

Sekretari shtetëror në Ministrisë së Kulturës, Muzafer Bislimi pranon se librat e këtij projekti do të përkthehen vetëm në gjuhën maqedonase. Ai nuk tregon arsyet pse anashkalohen shqiptarët.

“Nga ky projekt asnjë libër nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Deri më tani Qeveria ka ndarë mjete vetëm për përkthimin në gjuhën maqedonase. Nuk e dimë se a do të përkthehen edhe në shqip”, tha për Portalb, Bislimi.

Ndërkaq ditë më parë u bë promovimi i 60 titujve të rinj nga gjithsej 209 tituj të përkthyer deri më tani në gjuhën maqedonase.

Në promovim ishin prezent kryeministri Nikolla Gruevski si dhe ministrja e kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska, të cilët vlerësuan si një projekt mjaft të rëndësishëm për të rinjtë maqedonas të cilët mund të gjejnë libra të literaturës së njohur të kulturës botërore.

Sipas Gruevskit, ky projekt do të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, kurse në promovim ai nuk përmendi asnjëherë se këto libra do të përkthehen edhe në ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.

Projektet qeveritare financohen nga taksapaguesit e Maqedonisë, nga paratë e popullit ku 25 % janë shqiptarë sipas matjes së popullsisë në vitin 2002. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button