ANALIZË: Qeveria na fut në kredi – si do kthehen borxhet!

Të dhënat për huamarrjen nuk mund dhe nuk duhet të analizohen në mënyrë të izoluar, pa u marrë parasysh ritmi me të cilin rritet ekonomia. Nuk ka arsyetim ekonomik që një shtet të shfrytëzojë kredi me kamata që janë më të larta se shkallët e rritjes ekonomike – komentojnë ekonomistët pas valës së fundit të huamarrjeve qeveritare. Të dhënat tregojnë se për dhjetë vite Borxhi i përgjithshëm publik është rritur për 2,7 miliardë euro, ndërsa Bruto borxhi i jashtëm nga ana tjetër është rritur për 3,8 miliardë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Kamatat e borxheve më të larta se shkalla e rritjes ekonomike…

Këtë vit, me rebalancin e Buxhetit, Qeveria i shoi pritjet optimiste për rritjen e ekonomisë prej 4%. Tani parashihet rritje ekonomike prej 2,7%. Nga ana tjetër, mbetën vetëm në letër qëllimet për uljen e deficitit buxhetor, i cili në vend që të konsolidohet, u rrit edhe më shumë.

Sipas dokumentit qeveritar „Strategjia fiskale” në këtë vit 2016 ekonomia duhej të rritej më fuqishëm, ndërsa borxhet të ulen për një periudhë katër vjeçare.

„Në periudhën 2016-2018 është paraparë një ulje e shkallëzuar e deficitit buxhetor edhe atë: viti 2016 – 3,2 % nga BPV, viti 2017 – 2,9 nga BPV dhe viti 2018 – 2,6% nga BPV – thuhet në dokumentin, i cili gjatë gjithë kësaj kohe shënon edhe rritje ekonomike të më të madhe. ”

„Rritja reale e BPV-së në vitin 2016 pritet të shënojë 4%, në vitin 2017 4,3 %, ndërsa në vitin 2018 të jetë 4,5%, shkruhet në strategjinë fiskale.”

Kundrejt këtyre projektimeve, në ekonominë reale, Borxhi publik tashmë është në rritje me huamarrjen e fundit nëpërmjet Euro obligacionit në vlerë prej 450 milionë dhe u implementuan edhe hua nga kreditorët e vendit. Në përmbyllje të kuartalit të parë të vitit, borxhi publik shënonte 4,33 miliardë euro ose 45% nga BPV. Ky nivel është një nga nivelet më të larta të matura që nga viti 2007 deri më tani. Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhë prej dhjetëra vitesh, borxhi publik u rrit për 2,7 miliardë euro, me ç’rast rritje ka edhe tek huamarrja e jashtme dhe tek ajo e brendshme.

Sipas ekonomistëve, shfaqen dy pyetje, e para, cilat janë hapat e rritjes në periudhën e analizuar dhe e dyta, sa kanë kontribuar huamarrjet në stimulimin e rritjes ekonomike, apo sa kanë përfunduar për projekte dhe qëllime joproduktive.

„Duhet të bëhet analizë se sa dhe si huamarrjet reflektohen tek rritja e BPV-së. Në vite të caktuara huamarrjet janë më të mëdha sesa vlera e të dalave kapitale, që domethënë se kemi marrë hua jo për zhvillim ekonomik, por për shpenzime buxhetore,” thotë analisti Sllobodan Najdovski.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe akademiku Abdylmenaf  Bexheti.

„Rritja, gjegjësisht dyfishimi i borxhit në një situatë kur as prej afër nuk dyfishohet rritja ekonomike, normalisht që është indikacion i keq, që tregon se financat publike dita ditës përkeqësohen. Efektet e kësaj nuk shihen në asnjë dimension, sepse paratë shpenzohen për shpenzime rrjedhëse, për rritjen e pensioneve, rrogave, furnizimin me mallra dhe shërbime, dhe kjo ndodh në një kohë kur institucionet gjegjësisht sektori publik është në gjendje katastrofale”, thotë akademik Bexheti, transmeton Portalb.

Paralelisht me rritjen e borxhit publik rritet edhe huamarrja e jashtme e ekonomisë, duke përfshirë edhe borxhet e shtetit dhe të sektorit privat.

Nëse bëhet analizë e të dhënave në dispozicion nga Banka Popullore, nga viti 2007, deri në fund të kuartalit të parë të vitit 2016, Bruto Borxhi i Jashtëm është rritur për 24,3 %. Gjegjësisht, në vitin 2007 borxhi i jashtëm ka shënuar 46,6% nga BPV ndërsa tani ai arriti në 70,9%.

Nëse analizohet shkalla e rritjes së Bruto Borxhit të jashtëm, nga viti 2004, prej kur kemi të dhëna në dispozicion për këtë lloj huamarrjesh që i publikon Banka Popullore, niveli më i ulët është matur në vitin 2004 prej 45,4 nga BPV. Që atëherë borxhi i jashtëm është në rritje, me çka niveli i Bruto borxhit të jashtëm prej 70,9% i matur në fund të marsit të këtij viti është më i larti në 10 vitet e fundit.

Edhe para dhe pas dhënies së Euro obligacionit, guvernatori Dimitar Bogov deklaroi se Banka Popullore nuk ka qenë kompetente për këtë huamarrje të re.

„Vendimi për dhënien e Euro obligacionit është i Qeverisë. BPRM është institucion i pavarur dhe nuk ka kompetenca mbi huamarrjen e qeverisë, dhe as nuk disponon me informata të detajuara fiskale. Secila huamarrje e cila pjesërisht është e destinuar për financim të deficitit buxhetor e rrit borxhin publik. Guvernatori që në vitin 2012 vazhdimisht thotë se është i domosdoshëm një konsolidim fiskal i cili do ta sillte deficitin buxhetor në nivel i cili do ta stabilizojë borxhin publik, gjegjësisht nuk do ta rrisë borxhin publik si përqindje nga BPV-ja”, njoftuan nga Banka Popullore.

Kërcasin Kallëzime Penale – LSDM dhe MF në gjyq?

Nga LSDM-ja opozitare, paralajmëruan kallëzime penale kundër ministrit të financave Kirill Minoski dhe kundër zëvendës ministres së drejtësisë Biljana Brishkovska në lidhje me dhënien e euro obligacionit të fundit. Mbeten në qëndrimin se jo vetëm një pjesë e huamarrjeve janë të paligjshme, por kërkojnë dhe përgjigje se kush do t’i kthejë paratë.

„Në vitin 2016 kemi huamarrje të re prej 450 milionë eurosh. Deri kur do vazhdojmë kështu? E keni vënë në pikëpyetje funksionimin normal të shtetit. Ky shtet tani më pa kreditime nuk mund të funksionojë,” deklaroi deputeti Hari Llokvenec.

Ministria e financave ua ktheu me „penale”.

„Fushata e zezë kontribuoi për dëm prej rreth 25 milionë eurosh në bazë të rritjen së shkallës së interesit, mjete të cilat Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë pa arsye do t’i paguajnë në tetë vitet e fundit. Për ta mbrojtur reputacionin ndërkombëtar të shtetit dhe Ministrisë së Financave, do t’i ndërmarrim të gjitha masat ligjore që të sanksionohet papërgjegjshmëria dhe veprimet e paarsyeshme të LSDM-së opozitare, të cilat janë gjithçka përveç sjelljes së përgjegjshme të një partie politike e cila kujdeset për të mirën e qytetarëve”, njoftuan nga Ministria e Financave.

Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE e lëshoi Euro obligacionin e katër me radhë në mandatin e tyre, me çka deri tani vetëm në bazë të këtij lloji të borxhit të huaj, e ngarkoi vendin me 1,3 miliardë euro pa kamatë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button