Lufta e Kosovës, si e blinduam Kukësin me topa dhe tanke

Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen për ushtrinë shqiptare në kufirin verilindor përballë trupave të ushtrisë serbe.

Ideja e gjithhershme “Pavarësi për Kosovën”, nuk mori jetë vetëm nga veprimet luftarake të UÇK-së. Që në vitet ‘80 ushtria shqiptare përgatitej për një operacion të jashtëzakonshëm, që gjithsesi ruhej në sekret të plotë.

Plani “Shpërthimi”, mbi të cilin punuan vetëm katër ushtarakë madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuar nga Mehmet Shehu, përcaktonte saktësisht, mësymjen frontale që do të mund të merrte me forcë territoret shqiptare të humbura nga Konferenca e Londrës.

Gati 20 vjet më vonë, lufta do të niste vërtet, por këtë herë në kushte të tjera… …Në 100 vitet e shtetit shqiptar, të paktën në dy raste ushtria do të tregonte se dinte të luftonte. Provokacionet greke të gushtit ’49 dhe ato serbe 50 vjet më pas nuk e realizuan misionin.

Kolonel Sulejman Abazi, si një nga drejtuesit e ushtrisë shqiptare që mori pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit shtetëror, gjatë Luftës së Kosovës, rrëfen për “Shekullin”, ditët e vështira në verilindje të vendit përballë trupave të ushtrisë serbe.

A ka pasur Shqipëria plan konkret për të ndërhyrë në Kosovë?

Po, ka një histori të tillë. Në hartën e Drejtorisë së Zbulimit të Shtatmadhorisë Shqiptare, mbi dislokimin e forcave ushtarake në drejtimin Kosovë – Shqipëri, ishin të pasqyruara saktësisht forcat e Z2-3U të Armatës së Jugosllavisë, me qendër në Nish e Shkup.

Në arkiv gjendet harta e shkallës 1:200 mijë, me Nr.927, dt. 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, ku parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për depërtim e veprime në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak.

Kjo hartë u ndje e nevojshme të formulohej në bazë të të dhënave të zbulimit strategjik shqiptar në kohën e ngjarjeve të vitit 1968, e më pas, të vitit 1981 në Kosovë, të cilat kishin karakter të hapur politik me motive etnike.

Operacioni i mundshëm i ushtrisë shqiptare, ishte i vështirë. Ideja e masave, në raport me zhvillimet ndërkombëtare, synonte përgatitjen e lartë për të realizuar në çdo kohë mbështetjen e fuqishme, deri ndërhyrje ushtarake për çështjen shqiptare në ish-Jugosllavi.

Sipas deklaratës së ish- Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në vitin 1981, Veli Llakaj, kuptojmë: “…kapacitetet e ushtrisë shqiptare u përgatitën, jo vetëm për të pritur shqiptarë që do të shpërnguleshin nga Kosova, jo vetëm për të siguruar integritetin territorial të shtetit shqiptar, por dhe për të qenë plotësisht të aftë për të ndërmarrë veprime ushtarake mësymëse të suksesshme, madje të tilla që do të mund të korrigjonin edhe padrejtësitë historike”.

Veli Llakaj, si autori i planit parashikues për një situatë të mundshme ushtarake në drejtim të Kosovës, në bashkëpunim me ushtarakun Refik Kucaj, ia paraqitën atë Enver Hoxhës, i cili e cilësoi “të pranueshëm”, me porosinë që “të mbahet në kasafortë si variant rezervë”. Ky skenar veproi në vitet ‘97-‘99. 

Po në kohën kur u hartua ky plan, cilat ishin masat e marra në kufi? 

Në vitet 1970-‘83, në drejtimin verilindor ishin vendosur 3 korpuse gjitharmëshe, brigada sulmuese, batalione kufiri, tanke e potenciale të fuqishme artilerie. 

Kundërshtari mbante nën presion shtetin shqiptar dhe paralelisht shtypte në të gjithë format popullsinë shqiptare në Kosovë. Përballja me shtetin jugosllav mendohej se, “s’do të ishte veprim i lehtë”. Megjithatë, me përparësi u përpunuan çështjet e drejtimet e reagimit ushtarak. 

Realizimi i stërvitjeve komando-shtabi në nivel operativo-strategjik, si “Kështjella”, “Drini”, “Shebeniku”, “Taraboshi”, “A-81”, etj, mbanin nën presion shtetin jugosllav. Doktrina ushtarake parashikonte elementët e luftës popullore, të cilat do të realizoheshin me trupat sulmuese dhe të zbulimit për veprime në prapavijë të armikut. 

Si çështje të paracaktuara, në kushtet e relievit, koha vërtetoi se ato u zbatuan në kohën e luftës në Kosovë. Në drejtimet kundër shtetit jugosllav, tërhiqte vëmendjen K5K në Pukë. Zona mbulonte drejtimet operativo-strategjike të rëndësishme. 

Ajo dispononte 7760 QZ (qendra zjarri) për mitraloza, 546 QZ për topat KT, 41 PZ të artilerisë (nivel baterie artilerie me 4-6 gryka zjarri), 135 km transhe e hendeklidhje. Vetëm në drejtimin Morinë-Kukës ishte realizuar funksionimi i 3769 QZ për mitraloza. 

Korpusi dispononte 12 grupe artilerie dhe 3 bateri të lartësive, 19 kompani mortajash, 15 bateri KT me 360 gryka zjarri të AT dhe 104 topa KT. Në gatishmëri të përhershme luftarake ishin 8 grupe të artilerisë, 3 bateri lartësie, 5 bateri të batalioneve mitraljerë, gjithsej 40% e artilerisë së përgjithshme. 

Planifikimi dhe realizimi pjesërisht i planit, me emrin kodik “A-81”, shtroi hapur para udhëheqjes shqiptare idenë: Të realizohej, në kushte të situatës së veçantë, një organizim i ri luftarak i forcave në drejtimin lindor dhe verilindor, duke pasur si qëllim kryesor idenë e lëvizjes dhe përqendrimit të trupave sipas një plani të ri rigrupimi, të paracaktuara qysh më parë. 

Të krijohej ideja e një riorganizimi të ri në sistemin e ndërlidhjes e të komandim- drejtimit, sipas organizimit të ri të forcave dhe të mjeteve. Të përforcohej ideja e një riorganizimi të ri të forcave dhe mjeteve të ushtrisë në kushte dhe situata të paparashikuara. 

Fillimi i viteve ’80 ishte i tensionuar në Kosovë, po në Shqipëri si u përcoll? 

Në vitin 1981, shteti shqiptar ndërhyri në zonën verilindore, për të fuqizuar me forca e mjete njësitë ushtarake në drejtimin e Tropojës e Kukësit, me praninë e K5K-së, në brezin e sigurimit. Parashikimet çuan në fortifikimin e territorit kufitar, i veçantë në llojin e vet, që kapte 44% të sasisë së përgjithshme të fortifikimit në shkallë vendi. 

Në këtë drejtim funksiononin 78 rajone mbrojtje të këmbësorisë. Stërvitja “Drini”, me pjesëmarrjen e 40 mijë trupave, shkaktoi reagim nga shteti jugosllav. Në vitin 1981, në drejtimin e Kukësit e Tropojës u realizua rikonicioni i Shtabit të Përgjithshëm. Ideja: “Përsosja e elementëve të rendimit të luftimit, rritjen cilësore të kapaciteteve luftarake e manovrës së forcave në interes të veprimeve luftarake kundërmësymëse”. 

Stërvitjet komando-shtabi dhe ato me trupa të nivelit taktik kanë qenë të shpeshta. Në vitin 1994, ish-shefi i zbulimit të Z3U-së në armatën jugosllave të Maqedonisë, pohonte, “…ne mund të kalonim në regjimin e zakonshëm të gatishmërisë së reparteve tona përballë, vetëm atëherë kur siguroheshin se me përfundimin e stërvitjeve të reparteve dhe njësive shqiptare, ishin bërë konkluzionet dhe gjërat kishin shkuar në vendet e tyre”. 

E shtjellova mbi bazën e dokumenteve arkivore këtë periudhë, krahasuar me potencialet ushtarake e veprimet përgatitore, për të kuptuar se, arritjet e pasojat në disa dekada, nën presionin e një lufte të ftohtë, nuk ishin rastësi. 

Ringritja e ushtrisë për të përballuar luftën 

Në vitin 1999, kufiri shqiptar kërcënohej nga ushtria serbe. Duke folur për situatën në ushtrinë shqiptare të porsadalë nga kaosi i dy viteve më parë, kolonel Sulejman Abazi thotë: “Situata ishte e rënduar, për shkak të goditjes që morën elementët e Sigurisë Kombëtare në ngjarjet tragjike të vitit ‘97. 

Atëherë ushtria shqiptare kishte në organizim 8 divizione dhe një sasi repartesh e njësish të Komandës së Përgjithshme. Të mos harrojmë, se akoma ishim në sistemin e mobilizimit me trupa rezerviste dhe kishte një kufizim të thellë të trupave aktive. 

Mundësitë e drejtpërdrejta në atë kohë ishin shumë të kufizuara. Veçanërisht Divizioni i Kukësit, në kontakt të drejtpërdrejtë me ushtrinë serbe në kufi, në një shtrirje frontale 187 km, e kishte të pamundur të rezistonte pa mobilizimin e të gjithë strukturave rezerviste, të cilat ishin ushtria reale që do t’i dilte në mbrojtje vendit. 

Në vitin 1998 u ndërmorën masa urgjente për ringritjen e strukturave të ushtrisë, për stabilizimin e armatimeve, pasi ky vit shtrihej në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë, të cilat në muajt prill e deri në fund të qershorit, rezultonin me një situatë të ndezur luftarake midis ushtrisë serbe dhe strukturave të UÇK-së. 

Në kohën e përgatitjes operacionale për dislokimin e Divizionit të Tiranës në veri, plotësuam mjaft detyra, veç grupeve të rikonicionit në Kukës edhe në zonën e Tiranës. Shtabi i Divizionit ishte shumë aktiv. 

Rehabilituam sistemin e kushtrimit ajror të kryeqytetit, të dëmtuar pas viteve ‘92. Kontribuuam në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Tiranës për të ardhurit nga Kosova. Bashkëpunuam me Policinë Ushtarake të UÇK-së, pas urdhrit të mobilizimit. Kambana e alarmit kishte rënë kudo në Shqipëri”. 

Urdhri për të luftuar në kufirin verilindor 

Gjatë periudhës së Luftës, kolonel Sulejman Abazi do të drejtonte forcat e Divizionit të Tiranës, në kufirin verilindor. Ai thotë: “Në 15 shtator të vitit 1997 u riktheva në ushtri, fillimisht me detyrën e shefit të shtabit të Divizionit të Tiranës dhe pas 8 muajsh, i komanduar komandanti i Divizionit. 

Në këtë kohë kalova një periudhë të vështirë për jetën dhe karrierën time, kur nuk pranova të shkoja me detyrën e Komandantit të Divizionit të Kukësit, në nëntor 1998, atëherë kur më premtuan detyrën, gradën e gjeneralit, e të tjera. Në të njëjtën kohë që kryeja detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës, u ndodha para një vendimmarrjeje, të cilën e bëra sipas zgjedhjes time, pa u ndikuar nga askush. Atëherë kuptova se, kolegun tim donin ta shkarkonin. 

Jam konsultuar vetëm me ish-këshilltarin e Presidentit Mejdani në atë kohë, z. Sabit Brokaj. Tendenca për të më çuar në Kukës m’u përsërit disa herë nga ministri Hajdaraga në atë kohë, me presione, deri në fund të muajit shkurt 1999. Nuk jam penduar që nuk pranova, edhe pse ëndrra e një oficeri të karrierës është të meritojë gradën “gjeneral”, madje ndihem i çliruar moralisht dhe shpirtërisht. 

Divizioni i Tiranës kreu manovrën taktiko-operative dhe i dislokua në grykën e Morinit në kufi, deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Ishte koha kur shikoja karvanet me njerëz të traumatizuar që kalonin kufirin dhe dislokoheshin në Kukës e fshatrat përreth. Kukësi atëherë, si zakonisht me 15 mijë banorë, mbante në gjirin e tij mbi 100 mijë njerëz dhe për atë që ka ndodhur ndodhur dhe përballur, ndoshta sot duhet të ishte “Qyteti me Çmimin Nobel për Paqen”. 

Nga ajo kohë e vështirë ruaj kujtime shumë të mira, por dhe me syrin kritik për kohën. Shumë ngjarje që ndonjëherë ecnin më shpejt se sa vetë koha. Kujtoj orët e vështira të datës 22 maj dhe disa ditëve më vonë. Ndodheshim në pikën e drejtimit operativ (PDO) në fshatin Bardhoc. Ka qenë një ditë shumë e vështirë. Jam ndier shumë ngushtë. 

Bëhet fjalë për zhvillimin e operacionit “Shigjeta – 2”, mësymjen e brigadës me djemtë dhe vajzat e Kosovës, që u përgatit në Burrel dhe në disa pika brenda ZM të Divizionit të Kukësit. 

Kam lexuar të përsëritur shkrime për këtë veprim luftarak. Kam pasur rastin të studioj edhe hartat e operacionit. Nga disa kolegë të mi, kjo ngjarje ngrihet në shkallën sipërore. Punë e tyre. Atëherë e shikoja veprimin luftarak brenda parimeve të doktrinës të luftës. Brigada pushtoi malin e Pashtrikut dhe u gjend për orë të tëra nën goditjen e hapur të artilerisë së obuzave të ushtrisë serbe. 

Shikonim dhe pyesnim veten: “po ne pse jemi këtu?! Nejse, nuk kam pse të flas më tej për këtë. Analizën e doktrinave e kam bërë hapur publikisht në botimin tim të kohës; “Psikologjia e luftës kundër luftës”. Ajo kohë e vështirë ka pasur plot ngjarje të fiksuara në kujtesë, që lidhen me veprimtarinë ushtarake, me qëndrime politikanësh, me deklarata e kundërdeklarata, deri me ndonjë dezertim apo abuzim, ashtu siç mbart brenda saj vlerat e një vitaliteti mbarëpopullor, përherë një hap para shtetit për t’i dalë zot fatit dhe kohës”. 

Divizioni i Kukësit 

“Divizioni i Kukësit ishte vënë në eficencë të plotë më të gjithë kapacitetin e tij aktiv dhe pjesërisht rezervist. Mos harroni, ishim në vitin 1998 dhe kohët kishin ndryshuar sa i përket anës militare të shtetit shqiptar. Në atë kohë, si dhe sot, ushtria jonë nuk ishte aspak operacionale. 

Edhe pse “mbetjet” ishin akoma prezent, elementët mbrojtës ishin me probleme të mëdha, ndërrimi i strukturave kishte lënë hapësirat boshe. Ajo që vlerësohej atëherë ishte faktori kohë, i cili dha mundësinë për të kryer veprime në interes të mbrojtjes dhe të pranisë së mjeteve të sulmit afër kufirit. 

Kompletimi i artilerisë tokësore brenda brezit të mbrojtjes dhe përsosja e elementëve të mbrojtjes kundërtanke në grykat e mundshme të depërtimit të mjeteve të blinduara serbe, të mbështetura në një sistem fortifikimi të mjaftueshëm, e bënte strukturën e ushtrisë tonë, jo vetëm të pranishme në të gjithë hapësirën, por dhe shumë kërcënuese në rast të ndonjë aventure ushtarake të ushtrisë serbe. 

Luftëtarët e UÇK-së përgatiteshin në Shqipëri 

Por, kur filloi UÇK-ja të merrte jetë dhe kur do të radikalizonte veprimet? Kolonel Sulejman Abazi, si njohës shumë i mirë i kësaj veprimtarie shpjegon: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte një mësymje agresive gjithëpërfshirëse e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në zhvillimet e luftës në Kosovë, fillimisht do të veçoja dy momente kryesore. 

Së pari, aktin heroik të familjes Jasharaj në Drenicë, ku u flijuan për lirinë e Kosovës 52 pjesëtarë të kësaj familjeje, duke dhënë mesazhin e plotë, se tashmë lufta kishte filluar dhe me shtetin serb do të flitej vetëm me grykën e pushkës. 

Së dyti, 15 janari i vitit 1999, kur hordhitë serbe kryen masakrën në Reçak, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe duke nxjerrë në dritë fytyrën e tyre të vërtetë kriminale. Është kjo arsyeja për të shpjeguar që në fillim, se akti heroik nuk ishte një rastësi. Ajo lidhet me ecurinë e ngjarjeve që kanë ndodhur me popullin shqiptar nën ish-Jugosllavi. 

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore tek shqiptarët nën ish Jugosllavi, përkon me ngjarjet e vitit 1968, të cilat do të vijonin me demonstratat e rinisë shqiptare dhe popullit në Kosovë në vitin 1981, për të kërkuar statusin federativ dhe në vitin 1989, kundër shtypjes dhe represionit të lartë ushtarako- policor të regjimit të Milosheviçit. 

Në atë kohë, në Kosovë vepronte organizata politike, Lidhja Popullore e Kosovës, shkurt LPK. Për hir të së vërtetës, në udhëheqjen e lartë të LPK-së, në çdo kohë ka pasur një përplasje midis shërbimit sekret jugosllav dhe sigurimit të shtetit shqiptar. 

Këto përplasje çuan dhe në zbulimin e udhëheqjes dhe u finalizuan me gjyqin e Pejës, ku u dënuan me shumë vite burg mjaft nga drejtuesit e LPK-së. Goditja solli ndarjen e LPK-së. Prej saj doli fraksioni radikal, Fronti i Rezistencës, i vendosur të luftonte me armë kundër regjimit serb. 

Në vitet 1990, me miratimin e Ramiz Alisë filloi përgatitjen në Shqipëri, grupi i parë me 58 anëtarë, që u pasua edhe nga dy grupe të tjerë. Në atë kohë, në Shqipëri u formua Partia e Unitetit Kombëtar (PUK) dhe në Kosovë shkoi direktiva për të krijuar simotrën e saj, UNIKOMB, të drejtuar nga profesori Halil Alidemaj dhe filozofi shqiptar Ukshin Hoti. Fatkeqësish mjaft prej pjesëtarëve të dy grupeve të para u spiunuan dhe goditja prej strukturave serbe vazhdoi për eliminimin e tyre. 

Lajme të ngjashme

Back to top button