Histori dashurie që përfundojnë te semafori

Ditën e nesërme pritet që në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë të zhvillohet seanca e parë për rrjetin e trafikut ndërkombëtar të prostitucionit. Ky rrjet u zbulua në fund të gushtit të vitit 2013, pas dëshmive të një prej viktimave në Athinë, A.B nga Gjirokastra, si dhe pas një kallëzim të minorenes M.K nga Delvina.

Hetimet nisën në Sarandë

Në 28 gusht të vitit 2013 pas kallëzimit që bëri 16 -vjeçarja M.K në komisariatin e policisë Sarandë, prokurori i çështjes Julian Çafka kërkoi arrestimin e dy shtetasve: Martin Buzheri 22 vjeç dhe Elton Ruçi Zhupa 34 vjeç, të dy banorë në Delvinë.

Policia prangosi Martin Buzherin, pas një operacioni të shpejtë në qytetin e Delvinës dhe shpalli në kërkim policor Elton Zhupa (Ruçi). Elton Zhupa, është emri i ndryshuar i Elton Muharem Ruçit, lindur në Koshan të Tepelenës dhe banues në Delvinë.

Policia në momentin që arrestoi Martin Buzherin, i gjeti atij në makinë drogë dhe pas një kontrolli të imtësishëm në banesën me qira, u gjet edhe një sasi e konsiderueshme parash. Policia vijoi hetimet, ku në dy celularët e autorit gjeti 58 mesazhe, të cilët i dhanë policisë edhe pistat e hetimit. 

Dëshmia e minorenes 

Dëshmia tronditëse e 16-vjeçares tregonte, për përdhunimet dhe pazaret me pronarët grekë në qendër të Athinës. “Ata me detyronin të shkoja me klientë të ndryshëm dhe nëse kundërshtoja ata më dhunonin, duke më rrahur”, pohon 16-vjeçarja, së cilës ia thyen edhe dhëmbët, sepse nuk pranoi të punonte si prostitutë.

Ajo tregon se e gjithë ngjarja ka nisur pas njohjes së saj me Martin Buxherin, i cili i premtoi se do të jetonin bashkë në Greqi dhe do të punonin, duke ndërtuar një familje. 

Ajo thotë se, pas një bisede për një jetë më të mirë në Athinë, përmes ndihmës së Elton Zhupës, Martin Buxheri e mori minorenen M.K  dhe u nisën në 3 korrik 2013 të kalonin në Kakavijë. Policia shqiptare i la të kalonin, policia greke e ktheu minorenen M.K. Ajo i telefonoi familjes. Por ata i thyen telefonin dhe e hipën në autobusin e linjës Maksa Travel, ku shoferi mori para dhe e kaloi në Greqi.

Kur vajza mbërriti në Athinë, e priste një person tjetër, i cili ishte quajtur “njeriu prej xhami”. Ai e kishte identifikuar lehtë 16-vjeçaren dhe e kishte marrë, duke e çuar në një nga banesat me qira, ku grupi i trafikut mbante vajzat të cilat i përdorte si prostituta.

Ajo thotë se kontaktin e parë atje, e pati me një nga të fejuarat e Elton Zhupës, nga Gjirokastra. Ajo ishte 24 vjeç, me arsim të lartë, e thërrisnin Stela. Ajo i kishte treguar 16-vjeçares M.K, se quhej Anisa, se kishte një vëlla dhe ishte e detyruar të qëndronte atje, se në të kundërt ata do t’ia vrisnin vëllanë.

Rrjeti i prostitucionit përfshinte vajza nga rrethi i Përmetit, Durrësit, Gjirokastrës dhe Delvinës, të cilat pasi përdoreshin në motelet e Delvinës dhe hotelet buzë detit në Sarandë, për klientët e gjetur nga tutorët, niseshin drejt Greqisë. Policia shoqëroi në komisariat disa nga klientët e deklaruar  nga vajzat, banorë të Delvinës. Skandali përfshiu sipërmarrës tregtarë familjarë që kishin paguar 10.000 lekë ora për marrëdhëniet me vajzat.

Por, prindërit e M.K e kishin denoncuar në polici Buzherin, të cilët e akuzonin se i kishte rrëmbyer vajzën. Pas një kohe qëndrimin në Greqi Martin Buzheri dhe 16-vjeçarja u kthyen në Shqipëri, duke thënë se vajza kishte ikur me dëshirë dhe ata ishin të fejuar. Pas kthimit në Qaf Bot, ajo deklaroi se ishte e dashuruar me Martinin, edhe pse mbi trupin e saj ende kishte shenja dhune.

Çifti i të rinjve jetonin në periferi të Delvinës, në një banesë qira, të cilën e paguanin me para që dilnin nga prostituimi i saj dhe vajzave të tjera në jug të vendit. Por, policia e arrestoi Martin Buzherin pas dëshmisë së bërë nga 16-vjeçarja, e cila nuk e duroi më dhunën dhe iu drejtua dyerve të policisë. Pas arrestimit të një prej autorëve, të gjitha viktimat e tjera, vajzat që ishin detyruar të punoni si prostituta me dhunë, dëshmuan në polici për të gjitha ngjarjet dhe historitë e tyre të tmerrit. 

Policia shpalli më pas në kërkim edhe Elton Zhupën, një nga djemtë e familjes së ardhur nga Koshani i Tepelenës për një jetë më të mirë në Delvinë. Nëna e tij Hamine pohon se, ka ndërmjetësuar për fejesat e të birit si çdo nënë, fejesa më e fundit në Përmet në muajin maj. Por, djali i saj të gjitha vajzat, me të cilat ishte fejuar i përdortë si prostituta, njëherë në Shqipëri dhe më pas i çonte në Greqi. 

Ndërsa 16-vjeçarja M.K, u kthye te prindërit, por thashethemet dhe presioni në qytetin e vogël të Delvinës bënë që ata të shisnin shtëpinë dhe të largoheshin që atje. 

Babai i minorenes ka treguar se shpeshherë janë kërcënuar dhe anëtarë të tjerë ta bandës kanë tentuar ta rrëmbejnë sërish vajzën. Sipas prindërve ajo është shumë e trembur dhe do të përballet në polici me të gjithë autorët. Ajo ka kërkuar që të shtrihet hetimi edhe përtej kufijve, pasi ka shumë vajza të tjera që detyrohen nënë kërcënimin e dhunës të punojnë si prostituta. 

“Kam frikë, nuk dua të përballem vetëm me një prej tyre, kam besuar se do zbulohet e vërteta, do shpëtojnë edhe ato që janë në Athinë, edhe motra ime  e vogël, me të cilën më kërcënuan se do ta vrisnin, edhe babai im. Janë provat, nuk është vetëm deklarimi Im”, ajo pohon se nuk do të hesht. Kohët e fundit ajo është rehabilituar nën terapi këshilluese si viktimë e trafikut të qenieve njerëzore./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button